Iu mohohet e drejta për doktoratë

Aktuale May 11, 2016 - 08:17

Për shkak të bllokimit të studimeve në doktoratë, më shumë se 60 kandidatë janë larguar nga Kosova për të vazhduar studimet jashtë vendit. Studentëve iu mohua e drejta për doktoratë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” 

 

Janë bërë tri vjet që kandidatët për doktoratë që u pranuan në studime në vitin 2013 nuk po i ndjekin këto studime. Mbi 60 kandidatë, që konkurruan në vitin 2013 në nivelin e tretë të studimeve, atë të doktoratës, të cilën të drejtë e fituan sipas kritereve të shpallura me konkurs për këto studime, iu mor e drejta e studimeve.

Kriteret e konkursit për doktoratë janë ndryshuar nga Senati i UP-së, pasi është kryer vlerësimi i kandidatëve sipas kritereve me konkurs, duke lënë pastaj jashtë listave të të pranuarve mbi 60 studentë. Në konkursin e shpallur më 26.09.2013 kriteret e vlerësimit ishin: nota mesatare gjatë studimeve paraprake së paku 8.00; publikimet nga fusha e studimeve në të cilat konkurron kandidati; pjesëmarrja në konferenca shkencore; rekomandimet e dy profesorëve nga lëmi përkatës; mbajtja e gjuhës angleze (ku nuk parashihet një prag i caktuar)...

Por, vendimi i Senatit me numër 2/988 bie në kundërshtim me konkursin dhe me Statutin e Universitetit të Prishtinës, Neni 122, paragrafët 1, 2, 3 mbi të cilin nen është shpallur konkursi, pasi nuk merren parasysh kriteret bazë të konkursit, siç është nota mesatare, publikimet shkencore dhe shtohet intervista, e cila nuk parashihej në konkurs... Të gjitha këto dhe të tjera fakte gjatë procesit të konkursit janë përfshirë në dosjen që ndodhet tash së fundi në Gjykatën Themelore.

Gjykata po e zvarrit ankesën e studentëve

Kandidatët për doktoratë kanë dorëzuar fillimisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë kundër menaxhmentit të UP-së për shkeljen e kritereve të konkursit për këto studime.

Padia është ngritur kundër rektorit, Këshillit Drejtues dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës si organe drejtuese të Universitetit. Ali Xhelili, në emër të grupit të kandidatëve të mbetur jashtë listave, i ka bërë thirrje edhe një herë UP-së dhe MASHT-it që të merret parasysh padrejtësia që iu është bërë në vitin 2013.

“Në këtë vit në mënyrë arbitrare Senati i UP-së me anë të vendimit të jashtëligjshëm 2/988 na ka mohuar të drejtën për të vazhduar studimet e ciklit të tretë. Përkundër vendimit të MASHT-it, i cili e konfirmon se na është bërë e padrejtë, administrata e kaluar e UP-së nuk na ka zgjidhur problemin”.

Madje, e njëjta administratë, sipas tij, në ankesën ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, vendim i cili po ashtu e konfirmon se UP-ja ka shkelur ligjet në fuqi, në pikën shtatë të ankesës, zotohet se “do të na bëjë zgjidhje të problemit duke na krijuar lehtësi në konkursin e ardhshëm për studimet e ciklit të tretë, përsëri distancohet nga zotimi i dhënë”.

Xhelili thotë se tash trajtimi i padisë ndaj kësaj padrejtësie, nga Gjykata e Apelit është rikthyer në Gjykatën Themelore.

“Kjo lëndë nuk është shqyrtuar që nga nëntori i vitit të kaluar, gjë që e zbeh besimin në paanësinë dhe drejtësinë e gjykatës. Aq më tepër kur drejtësia e vonuar llogaritet si krim në vete”.

Studentët kërkojnë vazhdimin e studimeve

Prandaj, Xhelili në emër të grupit apelon te organet e institucioneve përkatëse, e sidomos rektorit të UP-së dhe ministrit të MASHT-it që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre që t’iu mundësohet vazhdimi i studimeve.

“Përkundër të gjithave, besojmë se administrata e re nuk do të na lërë në baltë, por do të na kthejë aty ku është dashur të jemi prej tre vjetësh: studentë të doktoratës. Në të njëjtën kohë, dua t’i vë në dijeni se humbjet tona në aspektin profesional, material dhe atë të zhvillimit të karrierës janë marramendëse”, thotë ai.

Prej vitit 2013 e deri më tani janë nxjerrë vendime të gjykatave dhe rekomandime të inspektoratit të Ministrisë, por asnjë nga këto veprime institucionale nuk kanë çuar në zgjidhjen e problemit.

Pas gjithë këtyre vendimeve dhe të tjera Xhelili thotë për gazetën se çështja e tyre po zvarritet qëllimshëm.

Reagimi i UP-së ndaj vendimit të themelores, sipas të cilit iu njihet e drejta për të vazhduar studimet në nivelin e doktoratës, Xhelili e quan absurd.

“Ajo çfarë vlen të ceket është fakti se UP-ja, në pikën shtatë (faqe pesë) të përgjigjes shprehet se: Universiteti i Prishtinës pritet që së shpejti të hapë konkurs të ri për pranimin e studentëve në nivelin e studimeve të doktoratës dhe paditësit kanë mundësi aplikimi të serishëm, ndërsa UP-ja do të krijojë rrethana lehtësuese për këta kandidatë", ka thënë ai.

Senatit iu kërkua anulimi i konkursit 

Më 18.07.2014, Departamenti i Inspektoratit të Arsimit i rekomandon Senatit të Universitetit të Prishtinës anulimin e konkursit për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës.

Në këtë rekomandim të siguruar nga gazeta thuhet se shpallja konkursit është bërë në kundërshtim me rregulloren për studime të doktoratës, pasi që konkursi për regjistrim nuk është shpallur një muaj para fillimit të vitit akademik.

Ndërsa Senati nxjerrë vendim më 11 nëntor 2013 për plotësim të konkursit për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës, pas mbylljes së konkursit.

Vendimi i kësaj date konsiderohet nga inspektorati eliminues dhe jo i drejtë për kandidatët, pasi që janë larguar nga ranglista e komisionit të njësive akademike kandidatët që kanë plotësuar kushtet para këtij vendimi dhe janë futur kandidatë të tjerë.

Gjykata Themelore në Prishtinë nxjerrë aktgjykim me 28.04.2015 ku aprovon kërkesën e paditësve (kandidatëve për studime) se iu njihet e drejta për kthim në listat prioritare dhe e drejta për t'i vazhduar studimet e doktoratës në departamentet përkatëse.

Prej 60 kandidatëve që iu është bërë e padrejtë disa janë larguar nga Kosova dhe disa të tjerë kanë filluar studimet në vende të ndryshme, si pasojë e bllokimit të studimeve për ta në UP.

Sipas burimeve të gazetës dhe kontaktit me këta studentë llogaritet se kanë mbetur vetëm 20 veta që për arsye familjare dhe mungesë të mjeteve financiare presin që drejtësia të jetë në anën e tyre.