Lunacek: Serbia duhet ta njohë Kosovën

Aktuale May 10, 2016 - 07:49

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, në një intervistë ekskluzive dhënë “Zërit” ka thënë se Serbia e di që BE-ja nuk do të pranojë asnjë shtet, i cili nuk i ka kufijtë e definuar. Për këtë arsye ajo thotë se Serbia edhe do ta njohë Kosovën

Prishtinë. Kosova do ta ketë përkrahjen e plotë të Parlamentit Evropian në momentin kur rekomandimi për liberalizimin e vizave do të shkojë atje. Kështu ka thënë nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”. Lunacek i ka bërë thirrje edhe klasës politike kosovare që të investojë në një përpjekje të përbashkët me shoqërinë civile dhe kosovarët e shquar që t’i bindin hezituesit nga 28 ministrat e Brendshëm të Këshillit të Evropës. Lunacek ka shtuar për “Zërin” se shpreson që së shpejti Kosova do të jetë pjesë e të gjitha organeve të OKB-së. Raportuesja për Kosovën në BE ka folur edhe për zgjedhjet serbe në Kosovë dhe sjelljen e pahijshme të disa zyrtarëve serbë. Ndërkohë duke folur për Gjykatën Speciale, Lunacek i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i sigurojë fondet e mjaftueshme për funksionalizimin e saj. Ajo ka ripërsëritur se Serbia nuk ka të ardhme në BE pa njohjen e Kosovës. Lunacek ka folur edhe për shumë çështje të tjera, ndërsa ka përfunduar duke thënë se shpreson që në 10 vite edhe Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Zëri: Zonja Lunacek, zyrtarët kosovarë thonë se i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Si raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, a pajtoheni se Kosova meriton liberalizimin e vizave?

Lunacek: Është koha që qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje ta gëzojnë lirinë për t’i vizituar miqtë dhe familjen në Bashkimin Evropian për tre muaj. Siç e dinë të gjithë, Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor qytetarët e së cilës nuk janë të lejuar të udhëtojnë të lirë në Bashkimin Evropian për tre muaj. Kështu që drita e gjelbër e Komisionit Evropian, të mërkurën e kaluar, ishte me të vërtetë një hap i madh dhe i shumëpritur përpara. Kjo situatë anormale se vetëm kosovarët në regjion kanë nevojë për viza duhet të ndryshojë së shpejti, në mënyrë që qytetarët të mos i bëjnë të ndihen “të mbyllur” më. Liberalizimi i vizave nuk është një e drejtë në vetvete, ajo është e bazuar në meritë. Qeveria dhe Parlamenti në Prishtinë kanë përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat dhe standardet e kërkuara nga Komisioni Evropian. Është një moment shumë i mirë i ri për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ky hap i vonuar tani do t’i japë fund izolimit të papranueshëm të qytetarëve të Kosovës. Dy standardet e fundit të cilat mbesin mund të përmbushen nga Kosova shumë shpejt dhe tani është në duart tona, në Parlamentin Evropian dhe për Këshillin që të ndjekin shembullin e mirë dhe t’i japin dritën jeshile për t’ua hapur rrugën kosovarëve. Tani varet nga ministrat e Brendshëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian që t’u qëndrojnë besnikë premtimeve dhe të pajtohen. Prandaj, bëj thirrje Qeverisë së Kosovës dhe partive politike që tani të investojnë në një përpjekje të përbashkët me Kuvendin e Kosovës, me shoqërinë civile dhe kosovarët e shquar në mënyrë që t’i bindin ende hezituesit nga 28 ministrat e Brendshëm në Këshill. Unë jam optimiste dhe Parlamenti Evropian fuqishëm do të mbështesë Kosovën. Lajmi tjetër i mirë këtë javë erdhi nga UEFA, me Kosovën që u bë anëtarja e 55-të e kësaj organizate. Ky ishte një tjetër hap shumë i madh për të përfunduar izolimin e atletëve të Kosovës, artistëve dhe qytetarëve. Po ashtu është një shtytje për një njohje të plotë ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës dhe shpresoj së shpejti edhe përfshirjen në të gjitha organet e OKB-së.

Zëri: A do të ndodhë liberalizimi i vizave këtë vit dhe nëse po, kur?

Lunacek: Asnjëherë nuk kam qenë përkrahëse e dhënies së datave, në veçanti kur nuk varet prej meje që t’i përmbushi ato. Unë jam optimiste se vizat do të hiqen këtë vit. Nga ana e Parlamentit Evropian ne do ta mbështesim fuqishëm këtë proces.

Zëri: Mediet kanë raportuar se liberalizimi i vizave do të ndodhë me disa kushte, cilat mund të jenë ato?

Lunacek: Pika e sigurisë, e prezantuar në fillim të vitit 2014, aplikohet për udhëtimin pa viza për qytetarët e të gjitha shteteve të renditura në shtojcën II, të Rregullores së Vizave. Duke marrë parasysh diskutimet e fundit me shtetet anëtare në politikën e vizave të Bashkimit Evropian, numrin e madh të azilkërkuesve gjatë një viti e gjysmë të kaluar, (duke përfshirë ata prej Kosovës), Komisioni tani ka propozuar që të fuqizojë mekanizmin suspendues. Kjo nëse aprovohet do ta bëjë më të lehtë për shtetet anëtare për t’i njoftuar rrethanat, të cilat çojnë drejt një suspendimi të mundshëm dhe kështu t’ia mundësojë Komisionit për ta përdorur këtë mekanizëm nëse është e nevojshme me iniciativën e tij. Në Parlamentin Evropian ne do të insistojmë që qytetarët e Kosovës të trajtohen të barabartë si qytetarët e të gjitha shteteve nën këtë Rregullore.

Zëri: Serbia është ende duke organizuar zgjedhje në territorin e Kosovës, cili është komenti juaj rreth kësaj çështjeje?

Lunacek: Ka qenë OSBE-ja dhe jo autoritetet serbe të cilat kanë organizuar zgjedhjet në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ka qenë e shkelur, pasi nuk ka pasur zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Serbisë të pranishëm në qendrat e votimit. Megjithatë, sjellja ndërhyrëse e disa politikanëve nga Serbia është me të vërtetë e diskutueshme dhe unë u bëj thirrje atyre që ta respektojnë plotësisht Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Zëri: Ku pritet të funksionalizohet Gjykata Speciale për Kosovën dhe kur do të jenë akuzat e para?

Lunacek: Ndryshimet kushtetuese, të cilat përcaktojnë themelimin e Dhomave të Veçanta dhe një Prokurori Speciale, janë miratuar. Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Holandës mbi marrëveshjen e shtetit pritës janë finalizuar dhe procesi i rekrutimit për Prokurorinë Speciale ka filluar. Tani kësaj zyre speciale të Prokurorisë i duhet staf i mjaftueshëm për t’i kryer detyrat e saj. Më lejoni që këtu po ashtu t’u bëj thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të sigurojnë fonde të mjaftueshme për funksionimin e personelit të Dhomave të Veçanta. Po ashtu, më lejoni të përsëris thirrjen time për autoritetet e Kosovës që të bashkëpunojnë plotësisht me Dhomat e Veçanta.

Zëri: A do të kushtëzohet Serbia me pranimin e pavarësisë së Kosovës para pranimit të saj në Bashkimin Evropian?

Lunacek: Serbia e di se Bashkimi Evropian pas Qipros nuk do të pranojë asnjë shtet tjetër si anëtare të saj, i cili nuk i ka kufijtë e definuar. Për këtë jam optimiste se procesi i dialogut do të bëjë që Serbia t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe kjo do të thotë ta njohë atë. Natyrisht, unë gjithmonë kam bërë thirrje te pesë shtetet ngurruese të Bashkimit Evropian që të heqin dorë nga rezistimi i tyre për ta njohur Kosovën. Në shkurt, Parlamenti Evropian ka adaptuar raportin tim për Kosovën dhe deputetët e Parlamentit Evropian edhe një herë kanë bërë thirrje tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për ta kompletuar njohjen e tyre zyrtare për shtetin e Kosovës. Ndikimi pozitiv i Bashkimit Evropian në Kosovë do të ishte më i fuqishëm me të gjitha shtetet anëtare të BE-së duke vepruar së bashku.

Zëri: A do të jetë lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar kusht për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian?

Lunacek: Korrupsioni është ende i përhapur, ashtu siç është edhe në shtetet e tjera të rajonit. Për këtë arsye lufta kundër korrupsionit tashmë është një kusht. Të gjitha raportet e mia për Kosovën thërrasin Qeverinë në Prishtinë që të marrin hapa konkretë drejt luftimit efecient të korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, duke përfshirë rangjet e tyre, sigurimin e qytetarëve të saj me një të ardhme në një Kosovë të lulëzuar dhe për ta stabilizuar vendin si ekonomikisht dhe shoqërisht.

Për fat të keq, ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë vazhdimisht dhe në mënyrë të konsiderueshme është dobësuar nga përçarja rreth statusit të Kosovës. Për shembull, bashkëpunimi i plotë ndërkombëtar me INTERPOL-in dhe EVROPOL-in është ende i bllokuar për shkak të refuzimit të anëtarësimit të plotë të Kosovës dhe për këtë arsye dëmton përpjekjet e përbashkëta për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në rajon.

Zëri: Dy kauzat e opozitës kosovare janë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi, si mund të arrihet një kompromis me opozitën rreth këtyre dy çështjeve?

Lunacek: Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe duhet të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës në të gjitha pikat dhe në respektim të plotë nga vërejtjet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Asociacioni nuk do të ketë asnjë mandat ekzekutiv. Mirë do të ishte që tashmë Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës të bashkëpunonte me komunat me shumicë serbe. Detyra e komunave është që pavarësisht cilit grup etnik i takojnë qytetarët e saj ta përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të saj me shkollim, shëndetësi, rrugë, infrastrukturë, aktivitete të lira etj. Ngërçi i tanishëm duhet të përfundojë, gjithashtu me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Komisioni i tre ekspertëve ndërkombëtarë, i ngritur nga ish-presidentja, ka konfirmuar se marrëveshja ka qenë korrekte. Për këtë arsye ajo duhet të ratifikohet nga Kuvendi edhe pasi që ajo është një nga dy standardet e mbetura për të udhëtuar lirshëm pa viza.

Zëri: A mund ta na thoni cilat janë tri problemet më të mëdha që Kosova duhet të ballafaqohet me to në mënyrë urgjente?

Lunacek: 1. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç e përmendëm më lart.

2. Duke folur ekonomikisht, investimet janë të ulëta, infrastruktura si: transporti publik (urban), hekurudhat, rrugët e mira janë të pakta dhe papunësia e rinisë dhe grave është më e larta në rajon. Një përmirësim më i madh shoqëror dhe ekonomik është i nevojshëm dëshpërimisht për gratë në të gjitha fushat, qoftë në arsim, në promovim të karrierës, në luftën kundër barrierave për të avancuar në profesion dhe rritjen e objekteve për kujdesin e fëmijëve, ose në luftën kundër dhunës (vendore) seksuale, ose mungesën e të drejtave të trashëgimisë. Ashtu siç ka thënë ish-presidentja Atifete Jahjaga në fjalimin e saj të mrekullueshëm “Gratë në Parlament”, në forumin global në Oman, më 5 maj, ku edhe unë kam marrë pjesë: “Gratë duhet që ende të sfidojnë mentalitetin patriarkal dhe traditat, të cilat kufizojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë në të gjitha nivelet e shoqërisë”.

3. Kosovarët duhet të marrin përgjegjësi rreth asaj që po ndodh në Kosovë. Problemet nuk duhet t’i faturohen më “Serbisë”, “BE-së”, “Ndërkombëtarëve”, “EULEX-it” ose kujtdo tjetër. Qytetarët e Kosovës dhe institucionet duhet që të marrin më shumë përgjegjësi për veprimet e tyre në të ardhmen.

Zëri: Nëse zhvillimi ekonomik dhe politik i Kosovës shkon me këtë trend, ku e shihni Kosovën në 10 vjetët e ardhshme?

Lunacek: Nëse këto dhe problemet tjera, të cilat i kam përmendur, seriozisht trajtohen dhe kosovarët e cilitdo grup etnik marrin përgjegjësi për shtetin, atëherë Kosova do të bëjë progres të madh në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Dhe sigurisht se qëllimi im dhe i Bashkimit Evropian është që të kemi të gjithë Ballkanin Perëndimor të pranuar në BE. Në 10 vite shpresojmë se edhe Kosova do të jetë afër përfundimit të detyrave për t’iu bashkuar BE-së.