Thaçi: Universiteti i Prizrenit shembull i mirë i Kosovës

Aktuale May 03, 2016 - 16:44

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim rektorin e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj.

Presidenti Thaçi ka përgëzuar rektorin Vataj për angazhimin rreth konsolidimit të këtij universiteti, duke theksuar rëndësinë për hapat e ndërmarrë në thellimin e reformave të tij.

“Është mesazhi më i mirë që Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” po shënon suksese në fillesat e funksionimit të tij. Natyrisht se duhet të implementohen të gjitha kriteret, standardet që kërkohen edhe nga Agjencia e Kosovës për Akreditim”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili i përgëzoi drejtuesit e UPZ-së për faktin që në këtë universitetit ka afro 13,000 studentë, me një staf akademik të nivelit rajonal, por edhe më gjerë.

Thaçi mirëpriti zhvillimin e mësimit në tri gjuhë në këtë universitet, gjë që, sipas tij, është një shembull i mirë i Kosovës së re, Kosovës multietnike, Kosovës evropiane.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, në emër të UPZ-së, përgëzoi presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re.

 “Jemi i vetmi universitet në Kosovë që ofron program edhe në gjuhët turke dhe boshnjake. Po punojmë në profilizimin e programeve dhe të kurrikulës”, ka thënë rektori i UPZ-së Vataj,

“Punoni sa ma shumë për ngritjen e cilësisë dhe kapaciteteve të universitetit, për sa më shumë hulumtime shkencore, për diversifikimin e kurrikulës në institucionin tuaj. Keni bërë punë solide, por natyrisht se ka hapësirë për t’u bërë edhe më shumë”, theksoi presidenti Thaçi, duke shtuar se UPZ do të ketë mbështetjen e vazhdueshme. /ZËRI