PDK dhe AAK, humbëset më të mëdha
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë goditur më së shumti nga largimet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Këto dy subjekte politike i kanë nga tre deputetë më pak në legjislativ, krahas numrit të deputetëve që kanë fituar në zgjedhjet e qershorit 2014.
Në anën tjetër, LDK-ja dhe “Vetëvendosja” kanë përfituar nga lëvizjet e deputetëve, përderisa “Nisma për Kosovën” dhe Lista “Srpska” kanë numër të njëjtë të ligjvënësve, aq sa kanë fituar në zgjedhje.
Partia e Ramush Haradinajt (AAK), nga 11 deputetë sa kishte fituar më 8 qershor 2014, sot numëron vetëm 8, pasi që Blerim Shala, Melihate Tërmkolli dhe së fundmi Donika Kadaj-Bujupi braktisën këtë subjekt politik. Vetë Donika Kadaj-Bujupi tha se ndërrimin e partisë e bëri për çështje parimore. “Ajo çka po ndodh sot dhe ky vendim imi është vazhdim i plotë imi në Lëvizjen që nuk u tundua kurrë për pushtet. Në mes paqes dhe drejtësisë, unë kam zgjedhur drejtësinë", tha ajo. Përkundër kësaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e sheh si shqetësim largimin e deputetëve të saj. Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, i ka thënë “Zërit” se ndryshimet që po ndodhin në AAK flasin më shumë sesa largimet e deputetëve. “Një ditë pas largimit të Donikës, në AAK kanë aderuar 50 zonja të respektuara, shumica prej të cilave me shkollim superior. Për mua kjo flet më shumë sesa votat e Donikës që i paska pasur dikur. Secili njeri në këtë vend është i lirë të zgjedhë rrugën e vet”, ka thënë Nitaj.
Madje, sipas zëdhënësit të AAK-së, kjo parti lëre që nuk po dobësohet , mirëpo sot gëzon mbështetjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë. “AAK-ja nuk ka qenë asnjëherë më e madhe dhe më e mbështetur se sot. Do të ketë kohë që secili veç e veç ta shohë mbështetjen që e ka dhe mbështetjen që do ta ketë AAK-ja”, ka përfunduar Nitaj.
Megjithatë nuk është vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës partia e cila ka humbur deputetët e saj. Edhe partia numër një në vend, PDK-ja, është në minus tre deputetë. Margarita Kadriu, Shaip Muja e Gëzim Kelmendi nuk bëjnë pjesë më në Grupin Parlamentar të PDK-së dhe aktualisht janë deputetë të pavarur. Ndërkohë Grupit Parlamentar të LDK-së i janë shtuar dy deputetë të komunitetit romë dhe ashkalinjë. Veton Berisha dhe Danush Ademi sot bëjnë pjesë në këtë grup. Numrin e deputetëve në 17 Lëvizjes “Vetëvendosje” ia ka çuar Donika Kadaj-Bujupi me aderimin e saj ditën e djeshme. Ndërsa pa Lëvizjen ka qenë “Nisma për Kosovën”, e cila me 6 deputetë e ka nisur rrugën e saj dhe 6 i ka ende.
E njohësit e çështjeve politike në Kosovë, vlerësojnë se pamundësia për të ardhur në shprehje por edhe trajtimi jo i mirë nga partitë po bënë që deputetët të lëvizin në të majtë dhe në të djathtë.
Profesori universitar, Blerim Burjani i ka thënë “Zërit” se lidershipet e partive po tregohen jo serioze. “Deputetët po ndihen si argatë dhe jo si kreator të politikës brenda subjekteve prandaj apo kërkojnë zgjidhje të tjera. Pra problemi qëndron të joserioziteti që kanë udhëheqësit”, ka thënë Burjani. Madje ai ka thënë se disa lider po sillen edhe në mënyrë shumë arkaike krahas deputetëve të tyre. Pikërisht kjo sjellje sipas Burjanit mund të bëjë që në zgjedhjet e ardhshme parti si AAK të rrezikojnë edhe kalimin e pragut zgjedhor. “Këto parti nuk e kanë idenë si të rrisin interesimin e intelektualëve. Ato udhëhiqen nga struktura jo intelektuale dhe jo të interesuara për të vepruar institucionalisht por individualisht. Më së shumti dëm i kanë bërë vetes duke bërë veprime anarkike dhe riciklime politike. Problemi më i madh do të jetë hyrja në kuvend në zgjedhjet e ardhshme”, ka përfunduar ai.
Ndërkohë Nexhmedin Spahiu ka thënë se kalimi i deputetëve nga njëra në tjetrën parti po ndodhë më së shumti për shkak të zgjedhjeve personale të deputetëve.”Mendoj që këto po ndodhin për arsye të ndryshme e më shumë për zgjedhje personale të deputetëve të cilët po lëvizin. Ata ku kanë konsideruar se mund të vijnë në shprehje më shumë. Lëvizja prej një partie në parti tjetër është e drejt e gjithkujt, atu mund të lëvizin ku ata e shohin se mund të jenë më në vëmendje”, ka thënë Spahiu. Ai ka shtuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk po tregohet e aftë që të mbajë disa njerëz afër vetes. “Donika mund të thotë çfarë të dojë sepse ajo tashmë është në partinë tjetër, por kjo punë mund të merret si rezervë. Udhëheqja e AAK nuk po mundet që ti mbaj disa njerëz afër vetes dhe kjo ka bërë që ti largohen disa persona. E ata persona kanë paraparë që ti kenë arsyet e veta”, ka përfunduar Spahiu.