Kosova ua 'hap dyert' kriminelëve serbë
Politikanë dhe ish-udhëheqës të forcave policore e ushtarake serbe që dyshohen për krime ndaj civilëve shqiptarë në vitet 1998-1999, po rikthehen në Kosovë, pa i penguar askush. Disa me leje e të tjerë pa leje, Kosovën e kanë shndërruar në poligon të fushatave elektorale e politike. Derisa pushtetit nuk i bëjnë përshtypje këto vizita, opozita dhe analistët politikë i konsiderojnë cenim të integritetit të vendit
Ish-gjeneralët serbë dhe drejtuesit e dikurshëm të institucioneve të dhunshme serbe po hyjnë e po dalin nga Kosova pa i “parë” askush. Dikush me leje të Qeverisë së Kosovës e disa të tjerë edhe pa të, po rikthehen për të parë atë që kishin djegur 17 vjet më parë, e po ashtu për t’i vizituar vendet ku janë varrosur të vrarët nga urdhrat e tyre.
I fundit nga ta ishte gjenerali famëkeq Millovan Bojoviq, i cili mbahet mend nga shqiptarët e rajonit të Llapit, si urdhërdhënësi për vrasjen e qindra shqiptarëve, djegien e mijëra shtëpive shpërnguljen e mijëra të tjerëve.
Në vitet ’98-‘99, Bojoviq ishte gjeneral i ushtrisë jugosllave dhe njëri nga miqtë më të ngushtë të “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq. Nga forcat serbe në rajonin e Llapit u vranë 499 shqiptarë. Ai hyri e doli nga Kosova sikurse edhe disa gjeneralë të tjerë, përshirë edhe Lubisha Dikoviq, shefi i ushtrisë serbe dhe shumë të tjerë.
Ndërkohë jo më larg se dje zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ishte në Kosovë për fushatën e tij parazgjedhore dhe provokoi me deklaratat e tij se Serbia nuk do t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e luftës, ndërsa u shpreh i kënaqur që e ka penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Para tij erdhi edhe kryeministri Aleksander Vuçiq, i cili tha se Liqenin e Ujmanit dhe “Trepçën” kurrë nuk ua japin shqiptarëve.
Partitë opozitare në Kosovë kanë reaguar duke i quajtur skandaloze provokimet dhe vizitat e këtyre zyrtarëve serbë. Ndërkaq njohësit politikë kanë thënë se Serbia po cenon edhe sovranitetin e Kosovës me disa raste.
Nënkryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Driton Çaushi, në një prononcim për gazetën “Zëri”, ka thënë se deklaratat e tilla si të Ivica Daçiqit, janë provokuese dhe skandaloze. “Deklarata të këtilla janë provokuese dhe skandaloze, kjo edhe për shkak të faktit se vetë një pjesë e këtyre zyrtarëve, si Daçiq, Vuçiq, Dikoviq etj., do duhej të hetoheshin dhe të përgjigjeshin për krimet serbe gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Çaushi, sipas të cilit, këto veprime përveçse janë provokime, tregojnë një realitet të ri dhe shumë të rrezikshëm.
“Këtu mendoj për qëllimet e planet e qarta të shtetit serb për të rikthyer ndikimin dhe kontrollin mbi Kosovën, pra duke shfrytëzuar dialogun e Brukselit dhe pushtetarët e korruptuar, të shantazhuar e antikombëtarë të Kosovës. Marrëveshja për ‘Zajednicën’ është shembulli më i mirë për këtë”, ka thënë ai.
Megjithatë, përkundër këtyre provokimeve nga zyrtarët serbë, Çaushi ka thënë se nuk ekziston rreziku i një eskalimi të situatës në vend. “Rreziku real në këto momente të rëndësishme për fatin e vendit do të ishte indiferenca e qytetarëve përballë qasjes shoviniste të Serbisë dhe proceseve shtetrrënuese që po e kanosin Republikën e Kosovës. Andaj e konsideroj si të domosdoshme që secili qytetar të jetë i angazhuar në përpjekjen për të ndalur këto procese”, ka thënë Çaushi.
Ndërkohë jo më pak i ashpër ka qenë edhe zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj.
“Nuk është hera e parë që zyrtarët serbë vinë në Kosovë dhe sillen sikur t’ua ketë lënë baba këtë vend. Nuk është hera e parë që ata bëjnë deklarata skandaloze dhe askush nuk merret me ta. Por kjo, fatkeqësisht, nuk flet për ata, por për Qeverinë tonë skandaloze, që i ka futur veshët në lesh, dhe krejt hallin e ka si ta shpëtojë vetveten. Urgjentisht duhet të ndalen edhe zyrtarët serbë që abuzojnë me vizitat e tyre, por edhe Qeveria e Kosovës, që nuk po mund të qeverisë më vendin”, ka thënë Nitaj.
Ndërkohë, profesori i Unionit Evropian për politika ndërkombëtare, Dashnim Ismajli, ka thënë se zyrtarët serbë po shfrytëzojnë vakumin institucional në Kosovë për të bërë fushata e vizita. Ai i ka sugjeruar Qeverisë së Kosovës që të kërkojë ndihmë nga ndërkombëtarët nëse nuk mundet vetë të trajtojë këtë situatë.
“Kosova nëse nuk mund të tregojë aftësinë e saj për të ndaluar këto aktivitete dhe vizita të shtetit serb, që janë të dëmshme dhe nuk i shërbejnë sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, siç ishte ajo e gjeneralit serb Millovan Bojoviç, atëherë duhet që institucionet kosovare me urgjencë të kërkojnë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht Unionit Evropian që të bëjë presion mbi shtetin serb për mosprovokimin e situatave të tilla, dhe të respektojnë marrëveshjet e deritanishme të arritura në Bruksel, si dy palë të barabarta që do t’i kontribuonte rregullimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në shërbim të krijimit dhe zhvillimit të mirëqenies së qëndrueshme dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Ismajli.
Ndërkohë, analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, ka thënë se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar nga serbët e Kosovës, të inkuadruar në institucionet legale të vendit, besnikëri ndaj shtetit, rendit të tij ligjor, kushtetues dhe simbolik, por një gjë e tillë u është lënë në ndërgjegje këtyre politikanëve.
“Sigurisht që Qeveria e zotit Mustafa duhet të reagojë që të kërkojë përgjegjësi për secilën fjalë dhe secilin veprim nga kabineti i tij qeverisës, pa marrë parasysh që në këtë rast kemi të bëjmë me një pjesëtar të komunitetit serb”, ka përfunduar Matoshi.