Romët në Kosovë fshehin etninë e tyre për të gjetur punë (VIDEO)

Aktuale April 08, 2016 - 16:18

Tingujt e muzikës së tyre çdo ditë dëgjohen në pjesët e ndryshme të qytetit, edhe pse jo çdoherë kënga dhe muzikae tyre tregon gëzimin apo lumturinë që ndjenjë ata. Muzikën e cila i jep gjallëri Prishtinës, vjen nga pjesëtarët e komunitetit romë, të cilët e bëjnë me qëllim që ndonjë kalimtar t’u ofrojnë disa të holla, me të cilat do të mund ta kalojnë ditën.

Fëmijë, gra, burra dhe të moshuar të këtyre komuniteteve çdo ditë i shohim edhe duke kërkuar lëmoshë, duke rrezikuar jetën e tyre në komunikacion, derisa pastrojnë xhamat e veturave apo duke mbledhur kanaqe në kontejnerët e qytetit. Këto janë disa nga “punët” e zakonshme që bëjnë ata për të siguruar të ardhura.

Me një nivel të lartë papunësie, mungesë shkollimi dhe mungesë të gjërave elementare për jetë, këtë komunitet në Kosovë, i gjen edhe ky 8 prill, datë në të cilën shënohet Dita Ndërkombëtare të Romëve.

Ndërsa, për këtë nivel të ulët të mirëqenies së këtij komuniteti por edhe të atij ashkali dhe egjiptian, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të këtyre komuniteteve dhe organizata joqeveritare, përgjegjës i bëjnë institucionet e vendit.

Sipas tyre, diskriminimi i cili bëhet komunitetit nga ana shoqërisë dhe institucioneve të vendit ka bërë që mënyra e jetesës së pjesëtarëve të këtij komunitetit të mos pësojë pothuajse fare ndryshim nga viti në vit.

Në mënyrë që ky komunitet të ri-integrohet dhe të mos diskriminohet, sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës, Kujtim Paqaku nga Partia e Romëve të Kosovës, duhet të ketë veprim afirmativ nga shumica e popullatës në Kosovë, si dhe zbatim të ligjit. Sipas tij, në Kosovë po shkelet ligji për shërbyes civil, pasi përfaqësimi i minoritetit rom në institucionet e niveli qendror dhe ato lokale është në nivel shuam të ulët, duke mos u përmbushur as 10 për qindëshi i përcaktuar me ligj.

Sipas Paqakut, diskriminimi është prezent edhe në Universitetin e Prishtinës, ku nuk ka asnjë studentë të komunitetit rom.

Ai tha se dhënia e mundësisë së punësimit dhe integrimi do të stabilizonte këtë komunitet në shoqëri. Kurse, për ta fituar një vend pune, Paqaku thotë për KosovaPress se ka raste kur këta qytetarë deklarohen të ndonjë etnie tjetër vetëm që të kenë mundësi punësimi.

Pikërisht mungesa punësimit dhe kushtet jo të mira për jetës, sipas drejtorit ekzekutiv të organizatës “ Voice of Roma, Ashkali, Egyptians in Kosovo”,Isak Skender bëri që në valën e migrimeve ilegale që ndodhi gjatë viti të kaluar nga Kosova, të largohen rreth 10 mijë pjesëtarë të komunitetit rom, shkali dhe egjiptian.

Sipas tij, në bazë të statistikave të VoRAE-s, papunësia te këto komunitete është 92 për qind, derisa pjesëmarrja në arsim fillor dhe mesëm të ultë është 68 për qind, ndërsa pjesëmarrja në arsim të lartë të mesëm është 30 për qind.

Ai thotë për KosovaPress se këta qytetarë nuk trajtohen të barabartë në shoqëri, derisa shtoi se steriotipet gjithmonë kanë qenë shkaktar që kjo pjesë e shoqërisë të diskriminohet.

Përveç nivelit të madh të papunësisë, sipas pjesëtarit këtij komuniteti, Idriz Murtezit, problem është edhe ndërprerja e ndihmës sociale që ky komunitet merr nga skemat sociale që ofron shteti.

Sipas tij, asistenca sociale edhe në Kosovë duhet të jepet deri në moshën 18 vjeçare, ashtu siç është edhe në shtetet e Evropës.

Ndryshe, për ditën e romëve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim përfaqësuesit e komunitetit rom në Kosovë, ku është ka shprehur përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për komunitetin dhe qytetarët romë në Republikën e Kosovës.

Përfaqësuesit e komunitetit rom kanë falënderuar kryeministrin Mustafa për përkrahjen, duke shprehur përkushtimin e tyre për proceset në Kosovë.

Gjatë takimit u bisedua edhe për aspekte konkrete të mbështetjes për këtë komunitet./KosovaPress/