Koalicion, vetëm me një PDK ndryshe
Ramush Haradinaj nuk e hedh poshtë mundësinë e një koalicioni me PDK-në, por, siç thotë ai, me kusht që Kadri Veseli do t’i bindë se nuk është për vazhdim të kësaj logjike qeverisëse. Sipas tij, partia më e madhe në vend është përgjegjëse për kapjen e shtetit, për shkallën e lartë të korrupsionit, rritjen e kriminalitetit të brendshëm dhe rritjen e ekstremizmit fetar
Ramush Haradinaj thotë se ende është e mundur partneriteti me partitë opozitare, por, siç thotë ai, nuk është i gatshëm t’ia dorëzojë vizionin e AAK-së një subjekti tjetër politik, duke aluduar në Lëvizjen “Vetëvendosje”.
Sipas tij, Aleanca është parti e qendrës së djathtë dhe duke u bazuar në këtë e ka zhvilluar një vizion të veten se si e sheh Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm.
“Këto janë vizionet tona, të cilat nuk hezitojmë t’i ofrojmë për partneritet, por të njëjtat nuk pranojmë t’i dorëzojmë te një partner politik. Pra, ky është dallimi ynë”, shprehet Haradinaj gjatë një interviste për gazetën “Zëri”.
Gjatë kësaj interviste ai është shprehur i sigurt se zgjedhjet e parakohshme në vend do të mbahen para vjeshtës së këtij viti.
Ndërsa për mundësinë e një koalicioni me PDK-në Haradinaj ka thënë për “Zërin” se një gjë e tillë do të ishte vazhdim i logjikës së deritanishme të qeverisjes.
Megjithatë, sipas tij, nëse PDK-ja në krye me Kadri Veselin arrin t’i bindë se angazhimi i tyre nuk është vazhdim i gjendjes aktuale, atëherë, siç thotë ai, çdo gjë është e mundur.
Kemi dallime si opozitë
Zëri: Zotëri Haradinaj, kemi pasur disa përplasje mes opozitës, përkatësisht mes jush dhe zyrtarëve të “Vetëvendosjes”, a vazhdoni të jeni të bashkuar në kauzat tuaja të bëra publike?
Haradinaj: Partneriteti dhe solidariteti ynë si opozitë e bashkuar, filluar me ministrin Jabllanoviq, i cili kishte fyer nënat gjakovare, kur protestuam dhe ne të gjithë e ndiejmë të nevojshëm të jemi bashkë në atë rast. Pastaj e kemi forcuar këtë partneritet me Ligjin për “Trepçën” dhe së fundmi me marrëveshjet për Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë dhe Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Në të gjitha këto zhvillime jemi bashkë, Në temat për të ardhmen, çka kishim mundur ne së bashku t’ia ofrojmë Kosovës si alternativë e përbashkët ose si opsion i përbashkët, kemi dallimet tona.
Zëri: Keni përmendur zvarritjet në Kuvend, duke thënë se nuk pranoni të bëni veprime të tilla si Visar Ymeri. Këto kanë ndodhur në muajt e fundit disa herë brenda Parlamentit. Pse u desh që pas gjithë atyre veprimeve tash së fundmi të jepni edhe këtë kritikë, pse jo edhe më herët?
Haradinaj: Është vlerësim i mënyrës së funksionimit gjatë opozitëbërjes. Të gjitha këto dallime kanë ekzistuar në çdo diskutim tonin të brendshëm. Ishte reflektim në një deklaratë të një kolegu nga Lëvizja “Vetëvendosje” se si do të ishte forcuar opozitëbërja në Parlament. Unë shpjegova se nuk mundem ta forcojë opozitëbërjen edhe me veprime të tilla.
Nuk e dorëzoj vizionin e AAK-së!
Zëri: Në qasje ideologjike keni dallime të mëdha, a mund të na përmendni se ku nuk pajtoheni me “Vetëvendosjen”?
Haradinaj: Tani mendoj se opozita, në këtë rast Aleanca, “Vetëvendosja” dhe “Nisma”, kanë bërë diçka tepër të mirë për vendin. Kur Kosova është ndodhur në një disbalancë shumë të madhe, pra një koalicion shumë i madh qeverisës me më shumë se 2/3, të cilin koalicion nuk e kemi pasur ndonjëherë më parë, ne kemi ftuar edhe qytetarët që ta krijojnë balancën, pra opozita që ishte në Parlament plus qytetarët dhe e kemi krijuar një balancë të temave në kundërshtim dhe rezultat i kësaj dy tema, t’i quaj ashtu, janë të ndërprera, përkatësisht Bashkësia e Komunave pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe Demarkacioni nuk është ende i ratifikuar në Kuvend. Çka më tutje? Në opozitë Aleanca është parti e qendrës së djathtë, duke u bazuar në këtë e ka zhvilluar një vizion të veten si e mendon Kosovën, si i sheh temat qeverisëse veç e veç, si e sheh angazhimin e Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Pra, këto janë vizionet tona, të cilat ne nuk përtojmë t’u ofrohemi për partneritet, por nuk i dorëzojmë në një vizion të një partneri tjetër. Pra ky është dallimi, ne nuk jemi ofruar që tërë vizionin tonë që e kemi ndërtuar nëpër vite ta dorëzojmë.
Zëri: Domethënë, është problem që të hyni në një listë të përbashkët?
Haradinaj: Është problem dorëzimi i vizionit në një vizion tjetër. Partneriteti është i mundur. Pra edhe pse dallojmë, shkojmë në një partneritet vizionesh edhe Kosova do të jetë pjesërisht si e mendon AAK-ja, pjesërisht si e mendon LVV-ja, pjesërisht si e mendon “Nisma”, ose ndryshe të themi njëjtë ndodh edhe si në koalicionet paszgjedhore kur bashkohen dy parti politike. Kosova zakonisht është pjesërisht si e mendon njëra dhe pjesërisht si e mendon tjetra për shkak se është bashkim vizionesh. Por, Aleanca nuk është e gatshme ta dorëzojë vizionin e vetë, këtë po e shpjegoj.
S’kam kërkesë direkte për detyrë të caktuar
Zëri: Në rast se shpallen zgjedhjet, cili do të ishte pozicionimi juaj?
Haradinaj: Personalisht kam hequr dorë prej kërkesës direkte për një detyrë të caktuar. Mendoj se shërbimi më i mirë që ia bëj Kosovës në këto rrethana edhe Aleanca që mundet t’ia bëjë Kosovës sot është t’i ofrojë ndryshim, ta ndihmojë ndryshimin. Sa më shumë ndryshim në qeverisje është fati i Kosovës, sa më shumë vazhdim është fatkeqësia e Kosovës.
Zëri: Çfarë koalicioni mendoni? Me cilën parti do të kishit mundur të keni qasje dhe ideologji të njëjtë?
Haradinaj: E tregova më herët që si parti e djathtë do të ishim më të afërt me parti të djathta politike, mirëpo për fat konstalacionet kanë ndryshuar. Një pjesë e së djathtës, në fakt dy partitë në pushtet PDK-ja dhe LDK-ja, mendojnë se janë të djathta, ndërsa si e djathtë në opozitë jemi ne. Ka ndoshta edhe parti të tjera, por me të djathtat do të ishim më afër.
Zëri: Me LDK-në e keni fjalën, a po?
Haradinaj: Pa e precizuar me cilën prej këtyre partive, por si e djathtë kuptohet jemi më afër në vlera.
Zëri: Zotëri Veseli ka dhënë një intervistë për “Zërin”, ku përmend edhe mundësinë e hapur të një bashkëpunimi edhe me ju, a ka mundësi që të ketë ndonjëherë ndonjë koalicion me PDK-në në krye me zotëri Kadri Veselin?
Haradinaj: Të them të drejtën marrëdhëniet tona qeverisëse me PDK-në nuk ekzistojnë. Pra, s’ka ndodhur ndonjëherë deri më tani. Vetëm një herë ka ekzistuar një koalicion i gjerë në vitin 2001, pas një krize dhe për formimin e institucioneve të para, atëherë kemi pasur koalicion me presidentin Ibrahim Rugova dhe zotëri Thaçin. Për mua është tepër herët të deklarohem për mundësinë e një koalicioni me PDK-në, për shkak të një problemi që është serioz në Kosovë. PDK-ja do të ishte vazhdimësi, pra bëhet fjalë për vazhdim të logjikës qeverisëse. Në rast se një PDK, në rastin konkret e udhëhequr nga Veseli, jep prova serioze se është për ndryshime e jo për vazhdim të logjikës së deritashme, për shkak se PDK-ja është meritore direkte për gjendjen në vend. Pra për shkallën e kapjes së shtetit, për shkallën e korrupsionit, për problemet në rend dhe ligj për të gjitha ato që i kanë ndodhur Kosovës, rritjen e ekstremizmit fetar, rritjen e kriminalitetit të brendshëm.
Zëri: Do të thotë me një reformim të brendshëm të PDK-së dhe pastrim të disa individëve nuk e përjashtoni mundësinë e koalicionit?
Haradinaj: Nuk e di çka është pastrimi tek ata, por në rast se PDK-ja i bind të tjetër se angazhimi i tyre i mëtejmë nuk është vazhdim i kësaj gjendjeje, por është ndryshim i gjendjes si tregues direkt, atëherë çdo gjë është e mundur.
Zëri: Zotëri Haradinaj, thuhet se javëve të fundit jeni takuar me Kadri Veselin, a ka pasur takime të tilla?
Haradinaj: E kam parë zotëri Veselin në pritjet e ndërkombëtarëve, nuk jam takuar me atë.
Zëri: Takime të tjera nuk ka pasur?
Haradinaj: Jo, jo. E kam takuar në pritje ndërkombëtare, domethënë në këtë “recepcion”, që po i thonë këta po.
Zëri: A keni biseduar, për shembull, për zgjerim të koalicionit aktual në qoftë se nuk keni folur për?
Haradinaj: Jo.
Zgjedhjet, para vjeshtës
Zëri: A mendoni se do të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme në vjeshtë?
Haradinaj: Mendoj se ka kosto për ta mbajtur këtë gjendje, pa marrë parasysh çka bën opozita. Mendoj se është e paqëndrueshme gjendja dhe zgjedhjet kanë për të ndodhur më shpejt sesa që mendojnë shumë në Kosovë.
Zëri: Para vjeshtës?
Haradinaj: Unë mendoj se do të ishte më racionale të mos vonohen. Në rast se shkojmë në vjeshtë, gjendja del edhe më e vështirë dhe atmosfera për zgjedhje është më e rëndë.
Zëri: Vazhdimisht ka pasur akuza ndaj drejtuesve të partisë suaj për haraç. Ju ka akuzuar edhe nga “Vetëvendosja” Dardan Molliqaj?
Haradinaj: I bëj thirrje prokurorit Lumezi, kryeministrit Mustafa, ministrave Hyseni e Kuçi le t’i zënë kush merret me haraç, le t’i shtien në burgje e le ta zbatojnë ligjin. Në këtë rast nuk mund t’i them LVV-së le t’i zënë, por edhe ata le t’i lajmërojnë nëse kanë të dhëna. Është fushatë e oponentëve politikë, të cilën në fillim e kam neglizhuar skajshëm. Mund të ketë çdoherë njerëz që mund të shkojnë diku dhe ta keqpërdorin emrin tim, por le t’i shtien në burg. Pa shtet ligjor partitë s’mund ta bëjnë ligjin vetë. Në s’mund ta dimë se çka po ndodh sot në Kosovë, për këtë kemi Polici, Hetuesi, gjyqësi, AKI. Kush është keq me ligjin le ta mbyllin.
Isa Mustafa s’është partner potencial
Zëri: T’i kthehemi pak inateve të mëhershme, nëse mund t’i quajmë inate personale me zotëri Mustafën, në momentet kur edhe ai prishi bllokun opozitar që kishte një qëndrueshmëri. A mund të themi se keni një inat personal me ata (LDK-në) në kohën e bllokut në 2014-n?
Haradinaj: Shikoni simpati, antipati të gjithë kanë dhe s’ka dilemë, por jo inate politike. Pse kështu po flas, unë po i bëj 16 vjet në këtë punë. Më kujtohet kam punuar me Mahmut Bakallin, me presidentin Rugova, me Hashim Thaçin, me Isën e me të tjerët. Pra, nuk është se ne vuajmë prej këtyre marrëdhënieve, por treguesit për çka angazhohemi në vend na obligojnë. Në rast se unë angazhohem për ndryshim, për shembull zotëri Mustafa tash konsiderohet vazhdim ose konsolidim i vazhdimit, pra nuk është më ai partner potencial për mua apo dikë tjetër që synon ndryshimin. Ai (Isa Mustafa) ka hyrë në kategorinë e vazhduesve të konsolidimit të kapjes së shtetit. Kur i them këto pikëpamje nuk lidhem në një marrëdhënie personale unë me atë ose ai me mua ose ja se çka na bëri në VLAN, por tani ai kategorizohet si vazhdim.
S’ka antiperëndimorë, ka antikosovarë
Zëri: Të ndalemi pak edhe te relacioni vendor-ndërkombëtar. Kemi qëndrimin e “Vetëvendosjes”, një raport jo të mirë në lidhje me Ambasadën Amerikane dhe me vendet e Quint-it. A mendon se ende na duhet Kosova në këtë gjendje aktuale politike që është?
Haradinaj: Unë mendoj se në Kosovë nuk ka antiperëndimorë. Ka antikosovarë që mund të jenë ata që janë të përfshirë në luftëra fetare ose të tjerë, por ata janë anti-Kosovë dhe ata mund të jenë anti-gjithë botën, por shumica e popullit të Kosovës po them ashtu janë properëndimorë, pro-Amerikë. Pra pro edhe kjo vjen vetvetiu edhe prej të vërtetës se jeta jonë në kohë të rrezikimit të jetës tonë është shpëtuar prej perëndimit, prej Amerikës, prej NATO-s, prej vendeve që janë pjesë e NATO-s edhe kësisoj mendoj se kjo është e qartë. Pra nuk munden këto nuanca që ndodhin, ose veprimet e përkohshme ta ndërrojnë bindjen e ngulitur thellë se jemi gjallë falë miqve. Ne kontribuuam për lirinë tonë, ishim insistues në lirinë tonë, ishim si të themi themeli i lirisë edhe në themel të kësaj lirie kemi martirë e dëshmorë e plot vuajtje, por prapë miqtë na ndihmuan. E si duhet vazhduar më tutje partneriteti me Bashkësinë Ndërkombëtare, unë mendoj se duhet një ridefinim i marrëdhënieve me qeveritë mike. Pse ridefinim? Për shkak se na kanë hequr prej agjendës, mendoj se ne më nuk jemi në agjendë të miqve, ka ndoshta një kohë që kjo veç po ndodh.
Diplomatët ndërkombëtarë s’mund ta gjejnë të vërtetën për demarkacionin
Zëri: Kauza juaj kryesore ka qenë demarkacioni me Malin e Zi. Atë që e tha Murat Meha në njëfarë mënyre e konstatoi grupi i ekspertëve ndërkombëtarë. A pajtoheni ju me një vlerësim të tillë të ekspertëve dhe si do të ishte dashur që të ishte zgjidhja tash pas rekomandimit të këtyre ekspertëve?
Haradinaj: Jo nuk pajtohem me këtë që kanë thënë ekspertët që kanë ardhur. Në fakt unë nuk kam ndonjë vërejtje që kanë thënë ata, sepse ata kanë ardhur ta vlerësojnë metodologjinë e këtij komisioni. Unë s’kam problem me metodologji të punës, unë kam problem me fshehje të fakteve. Kjo ishte vepër e kundërligjshme. Fshehja e të vërtetës. Këta janë diplomatë nuk kanë mundur ta gjejnë të vërtetën që e ka fshehur zotëri Meha me ekipin e vet. Këtë mund ta gjejnë vetëm FBI-ja, hetuesit. Në rast se vijnë hetuesit ndërkombëtarë të hyjnë brenda, jam i bindur se do të gjejnë se ku është e vërteta.
Zëri: A jeni të gatshëm që ta dërgoni në Gjykatë të Arbitrazhit?
Haradinaj: Jo, tash jo.
Zëri: Po në qoftë se nuk vijnë hetuesit e FBI-së, si të bëhet zgjidhja?
Haradinaj: Jo, duhet ta ngremë një hetim të brendshëm për të gjeturat. Shiko për ta dërguar në Gjykatë të Arbitrazhit, se ajo është e pashmangshme në rast se kontesti nuk zgjidhet bilateral, ne me Malin e Zi, ajo do të ndodhë. Por, për ta dërguar atje (në Gjykatë të Arbitrazhit) Kosova duhet të ketë një version të vetin me të cilin e konteston një marrëveshje me Malin e Zi. Përderisa ne kemi vetëm një version që jemi dakord me Malin e Zi, qysh e çon në Gjykatë të Arbitrazhit.
Zëri: Për Asociacionin kemi një vendim të Gjykatës që thotë se mund të korrigjohen shkeljet gjatë hartimit të statutit të Asociacionit. A duhet respektuar ky vendim i Gjykatës Kushtetuese?
Haradinaj: S’ka mundësi. Qeveria është jokredibile që ka nënshkruar një marrëveshje e që është gjetur në kundërshtim me Kushtetutën, tani ta shkruaj statutin e kësaj Marrëveshjeje është e pakuptimtë kjo. Nuk përputhet në asnjë variant.
Në Bruksel të bisedohet edhe një herë për Asociacionin
Zëri: Domethënë duhet të ndërrohet Qeveria?
Haradinaj: Jo duhet të rivizatohet kjo Marrëveshje. Unë besoj se në Bruksel duhet të ulemi edhe një herë edhe ta shohim se çka është kjo. Se në rast se Marrëveshja bazë nuk është në harmoni me Kushtetutën është rrezik pikërisht për atë produkt që çdoherë të jetë konfliktuoz në rast se çdo nen i kësaj Marrëveshjeje nuk është në harmoni me Kushtetutën e vendit. Pra s’ka logjikë të vazhdohet tash me nënprodukte e çdoherë ndoshta të jetë në konflikt me Kushtetutën e vendit.
Vuçiq në Kosovë, Mustafa të shkojë në Bujanoc
Zëri: Si e komentoni vizitën e fundit të kryeministrit serb Vuçiq në Kosovë? Ai tha se “Trepça” dhe Ujmani janë të Serbisë?
Haradinaj: Unë mendoj se Kosova duhet ta fillojë një reciprocitet më konkret me Serbinë. Në rast se Vuçiqi vjen në Kosovë le të shkojë edhe Mustafa andej dhe le të tregojë se i kujt është Bujanoci, por nuk mund të shkojë në pakufi kjo. Ne nuk jemi kundër ardhjes së zyrtarëve të shteteve fqinje dhe vizitave të punës edhe kur janë vizita ku ne jemi nikoqirë, se ne nuk ishim nikoqirë realisht, nuk e priti Qeveria jonë, por e pritën qytetarë të vendit tonë, në këtë rast serbët e Kosovës. E ne shkojmë në disa raste te shqiptarët tanë. Unë shkoj në Zvicër te shqiptarët tanë ose shkoj diku tjetër, por në Preshevë s’kam qenë ende. Pra duhet Qeveria jonë ta fillojë një reciprocitet më konkret në këto tema.
Zëri: A është për t’u fajësuar bashkësia ndërkombëtare në mosintegrimin tonë apo janë problemet tona të brendshme?
Haradinaj: Jo problemi është i brendshëm, problemi buron prej nesh. Për shembull, presidenti Rugova gjatë asaj rezistencës paqësore afirmimit të problemit të Kosovës ka zënë miq. Në kohë lufte edhe UÇK-ja ka zënë miq, e gjithë bota ishte e interesuar për Kosovën. Pas luftës në atë kohën e emergjencës të gjithë ishin me ne, mirëpo tani e hetojmë se ka rënë ai interesimi për Kosovën, kjo buron prej mungesës së kapacitetit të brendshëm, pra për të qenë pjesë e agjendave.
Zëri: Partnerët tanë dhe Amerika po kërkojnë themelimin e Gjykatës Speciale. Jeni pro apo kundër?
Haradinaj: Unë jam kundër.
Zëri: Pse jeni kundër?
Haradinaj: Mendoj se Kosova i ka kryer obligimet ndaj ligjit ndërkombëtar. Një herë përmes OKB-së prezente në Kosovë. Për disa vite OKB-ja ka procesuar njerëz, është marrë me krimet e luftës, me shqiptarë si kryes të krimeve. Janë procesuar, ndoshta, të mos them, mijëra njerëz për këto krime, ka pasuar Gjykata Ndërkombëtare e Tribunalit për ish-Jugosllavi, prapë i kemi kryer obligimet tona ndaj drejtësisë ndërkombëtare, bile e kemi nderuar ligjin ndërkombëtar me një sjellje të shkëlqyer e që është përshëndetur nga të gjithë. Ka pasuar EULEX-i prapë dhe kjo është si të themi operacioni i katërt për t’i pastruar krimet e Kosovës, të supozuara të shqiptarëve etnikë ndaj të tjerëve në Kosovë e nuk përputhet me të vërtetën e Kosovës. Unë mendoj se është një devijim nga e vërteta jonë, nuk është në të mirën e askujt kjo. Kuptohet na është dashur ta shqyrtojmë çdo dyshim për krime lufte në Kosovë, por për këtë është dashur të ndërtohet një gjyqësor i qëndrueshëm. Këtu vjen prapë merita e zotëri Thaçit dhe PDK-së që kanë dështuar që ta ndërtojnë një gjyqësor të qëndrueshëm. Hajredin Kuçi është ministër qe sa vite dhe, për shembull, ai është një tregues i një gjyqësori të dobët ose një drejtësie të dobët që e kemi në vend.
Zëri: Thoni se në Kosovë ka vend që të themelohet një gjykatë vetëm për krimet e luftës. Domethënë kanë ndodhur krime?
Haradinaj: Është dashur që ta kemi atë sistemin radar, ta quajmë. Çdo gjë që e kap radari është dashur që të mbërrijë në gjyq. Çdo informatë, çdo e dhënë, çdo dyshim që një radar i ligjit e kap është dashur të përfundojë në gjyq.
Zëri: Kemi ish-komandantë që tashmë kanë nisur akuzat ndaj njëri-tjetrit për këto, që realisht ka edhe dyshime. Si e vlerësoni këtë diskurs që vetëm se ka filluar mes komandantëve?
Haradinaj: Tash politizimi i pjesëtarëve të UÇK-së, partizimi, fragmentimi i tyre nëpër grupacione të ndryshme politike e të interesit të caktuar e ka sjellë një diskurs të tillë. Unë mendoj se më nuk jemi komandantë, komandantë kemi qenë kur ka qenë lufta. Unë kam qenë në UÇK deri kur kam dorëzuar uniformën e UÇK-së. Pra këto tash janë debate të qytetarëve të Kosovës duke i perceptuar si të tilla dhe nuk është mirë që t’i ndërlidhim me sakrificën e me të gjitha ato që kanë ndodhur në atë kohë.
Zëri: Akuzat për vrasje të ushtarëve të FARK-ut dhe vrasjet e tjera menjëherë pas përfundimit të luftës, kush duhet t’i trajtojë këto vrasje?
Haradinaj: Gjykata.
Zëri: Gjykatat tona? A mendoni se gjykatat tona janë të afta me këtë nivel të drejtësisë që e kemi, të merren me këto raste?
Haradinaj: Unë kam qenë në pushtet 100 ditë. Besoni se prej kohës që kam qenë në pushtet të gjitha lëndët mund të gjykohen. Nuk ka rast që nuk mund të gjykohet. Ka hetues Kosova, ka gjyqtarë, por duhet një qëndrueshmëri në këto tema. Pra ata që janë në pushtet, po të dojë kryeministri Mustafa sot bash për çdo rast e gjen të vërtetën. Nuk ka rast që ka ndodhur pas luftës që nuk mund t’i gjejnë.
Zëri: Pse nuk ka vullnet? Për shkak të implikimeve të tyre?
Haradinaj: Jo. Unë mendoj se ata duhet të tregojnë një lloj vendosmërie në këto tema.
Zëri: Kaluan 17 vjet dhe ne ende...?
Haradinaj: Për çdo gjë që kap, unë e përdori fjalën “radar”, çdo gjë që e kap radari, që e kap si krim që ka ndodhur është mirë të shqyrtohet, është mirë të ngrihen procese.
Zëri: Kemi disa individë, domethënë ish-komandantë që kanë prona milionëshe. Kemi hulumtuar për disa muaj dhe kemi dëshmuar me fakte dhe argumente për uzurpimin e pronave. Cili është vlerësimi i juaj për këta individë?
Haradinaj: Shikoni ne jemi sot në ekonomi të tregut, edhe pjesëtari i UÇK-së ka të drejtë të ketë ekonomi, si pjesëtari i lidhjes komuniste i ish-Jugosllavisë, si pjesëtari i Lidhjes Socialiste, etj. Le të krijojnë ata që dinë të krijojnë, ata që dinë të punojnë. Mirëpo krijimi i vlerës së re ekonomike dhe krimi ekonomik ose politik dallojnë, pra nuk është mirë të shkohet as me kategorizim ose as me apriori që është UÇK. Unë njoh pjesëtarë të UÇK-së që janë shumë të suksesshëm në ekonomi, që punojnë në bazë të rregullt. Mirëpo, për këto raste kur janë krim ekonomik ose kur janë përfshirë në krim të çfarëdo natyre, duhet të vlejë ligji pa marrë parasysh se kush është.
Zëri: Kërkohet edhe prej organit më të lartë legjislativ të kalohet Ligji për Konfiskimin e Pasurisë dhe po ankohen përse nuk po trajtohen disa raste si duhet edhe prej Kuvendit. Megjithatë, kemi deputetë që kanë pasuri milionëshe në ato që deklarojnë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, zyrtarisht kanë nga një pagë. Si mund të ketë kredibilitet shumica e legjislativit me një bagazh ende të paqartë?
Haradinaj: Duhet të ketë shpjegim për çdo gjë, për çdo gjë që ka dikush. Pra duhet të ekzistojë shpjegimi për ato që nuk ekzistojnë, duhet të vlejë ligji.
Agjendat e lëvizjeve radikale islame
Zëri: Nga viti 2012 e përcjell temën e radikalizmit, kur kam paralajmëruar me emra e mbiemra konkretë të imamëve që janë të lidhur me grupe të tjera radikale në Maqedoni dhe ka nuanca të rritjes së përkrahësve. A po vëreni nuanca të rritjes së fetarizimit të kësaj shoqërie dhe të përcjelljes së kësaj ideologjie?
Haradinaj: Mendoj që Kosova e ka një rrezik, është ndikimi në identitet. Do të thotë herët është provuar në mënyra të ndryshme disi të na tjetërsojnë si shqiptarë. Shumë lëvizje radikale islame kanë ardhur këtu me agjendë. Do të thotë jo shqiptarët si myslimanë modernë, ta quaj ashtu, evropianë, por shqiptarët me modelet islame që janë ekstreme, e që janë fati i keq i popujve edhe atje prej nga vijnë. Shumë prej nesh në Kosovë e kemi hetuar këtë në vazhdimësi dhe ka pasur edhe situata kur besoj që kanë ndodhur edhe keqkuptime në mes të asaj që është ruajtur identiteti ynë kombëtar e fetar në këtë rast, sepse ne s’jemi kundër fesë dhe krenohemi në botë me tolerancën ndërfetare edhe të asaj që ka qenë insistim të kthehet Kosova, ta quaj ashtu, në vend ku buron ekstremizmi fetar. Lufta nuk është fituar ende, duhet një kujdes i madh i Kosovës, jo për hatër të dikujt tjetër, por edhe të vetvetes. Dy rreziqe i kemi direkt nga këto: është rreziku në identitet dhe rreziku në siguri. Pra janë këto dy aspekte që Kosova duhet t’i ketë parasysh.
Zëri: Po të jeni pjesë e Qeverisë, a do të lejoni mbajtjen e shamive dhe mësimbesimin në shkolla?
Haradinaj: Mendoj që në Kosovë feja duhet të ndahet nga sferat tjera të jetës, sepse është çështje shpirtërore. Kosova është e interesuar t’i takojë familjes evropiane, të jetë anëtare e NATO-s, të ketë një partneritet afatgjatë me SHBA-të dhe vetë integrimi i Kosovës duhet të bëhet me një shoqëri që është e konsoliduar, që i ka të rregulluara të gjitha çështjet, përfshirë edhe çështjen e besimit në mënyrë racionale e jo të ngarkuar dhe të tepruar.
Zëri: Shtrirja e ndikimit të Erdoganit në Ballkan ka nisur në Bosnje dhe është duke vazhduar në Shqipëri e Kosovë. Kemi dy asetet kryesore të Kosovës që i takojnë dhëndrit të Erdoganit, që është Aeroporti dhe Distribucioni. Pse një heshtje e politikës sonë që të trajtohet çështja e ndikimit të një autokrati me ndikim si Erdogani?
Haradinaj: Nuk kam komunikim me presidentin Erdogan, i vetmi kontakt politik me Turqinë është ambasadorja. Në diskutime me ambasadoren unë çdoherë e kam theksuar që është shumë me rëndësi që Kosova të jetë e mbrojtur prej çdo arritjeje, ta quaj ashtu, të ekstremizmave fetarë, nga kushdo e nga kudo. Ky ka qenë një pozicion i vazhdueshëm dhe konsistent. Në të njëjtën kohë duke qenë të hapur për investime nga të gjitha vendet, po ashtu ne e ndajmë një interesim të madh si Kosovë dhe si Prishtinë, që investimet të vijnë prej vendeve që po ashtu aspirojnë integrimin. Duhet të thuhet se ne e kemi mirëpritur një rol të Turqisë në kohën e marrjes së njohjeve. Ka qenë një partneritet i dobishëm në atë kohë, mirëpo në marrëdhënie të tjera jemi të interesuar të ruajmë integritetin, sovranitetin e Kosovës dhe të drejtën e Kosovës në vendimmarrje.