Rektori Dema, matematikan dhe ish-prorektor

Aktuale April 02, 2016 - 08:15

Rektori i ri, Marjan Dema, zyrtarisht ka filluar detyrën të premten. Ditën e parë të punës së tij ai e ka filluar duke pritur në takim ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami. Dema ka pranuar detyrën në një ceremoni në Rektorat, ku ministri Bajrami ka marrë pjesë edhe në këtë ceremoni.

Bajrami e ka vlerësuar Demën si njeriun e duhur për ta nxjerrë Universitetin nga situata aktuale. Ministri ka vlerësuar se me përvojën e vet, me kapacitetin intelektual, me kontributin që ka dhënë gjithë jetën në ndërtimin e këtij Universiteti, Dema ka fuqinë dhe vullnetin që të fillojë procesin e stabilizimit të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës dhe ngritjes së imazhit dhe performancës së këtij Universiteti.

“Jemi të sigurt se koha e krizave në Universitet po përfundon. Jemi të sigurt se ekziston një vullnet, një konsensus i të gjithëve, që ky Universitet mund të ndërtojë një sistem të avancuar të arsimit të lartë. Këtë ia kemi borxh 60 mijë studentëve, shtetit të Kosovës, shoqërisë kosovare sepse ky Universitet ka një rol historik, ka një rëndësi të përgjithshme shoqërore për vendin tonë”, ka thënë ministri Bajrami.

 Bajrami: Qeveria do t’i rrisë fondet për UP-në

Madje, i pari i Arsimit në vend ka theksuar se Qeveria e Kosovës dhe MASHT- i do t’i japin mbështetje të fuqishme zhvillimit të Universitetit, duke promovuar dhe duke qenë mbrojtëse të autonomisë së plotë akademike dhe financiare. “Qeveria do t’i rrisë fondet për UP-në, do të punojmë bashkë me Universitetin në legjislacion, së bashku të orientojmë Universitetin drejt nevojave të tregut të punës, të promovojmë standarde të larta të cilësisë”, tha ministri. Ndërsa, Dema i sapozgjedhur rektor ka thënë se besimi që i është dhënë me këtë detyrë e obligon që ta shkrijë të gjithë potencialin e akumuluar në këtë Universitet, në mënyrë që Universitetit të Prishtinës t’i kthehet imazhi dhe të ecë drejt zhvillimit dhe cilësisë.

Profesori i matematikës, Marjan Dema, është zgjedhur rektor i UP-së me gjithsej shtatë vota.

Profesori i matematikës, Marjan Dema, në konkurrencë me kandidatët tjerë për rektor, Nuredin Mestani, Xhevat Berisha dhe Afrim Hamidi, u llogarit që në fillim se do të jetë kandidati më serioz për rektor, edhe pse ngjashëm si ish-rektori Ibrahim Gashi, është avancuar me punime të publikuara në Indi  (http://ijma.info/index.php/ijma/article/viewArticle/765)

 Marjan Dema, matematikani i dytë si rektor  

Dema ngjashëm si ish-rektori Ramadan Zejnullahu vije nga fusha e matematikës. “Formula” e Demës për t’ia rikthyer UP-së imazhin është vlerësuar se mund të dalë fitimtar, duke marrë parasysh biografinë e tij, si dhe imazhin si profesor në UP, i parë gjithmonë si pozitiv. Dema është 59-vjeçar dhe ka filluar karrierën në Departamentin e Matematikës të FSHMN, në vitin 1980. Në vitet e nëntëdhjeta është transferuar në Fakultetin Ekonomik, ku ka ushtruar edhe detyrën e prodekanit, ndërsa me të shpërthyer lufta në Kosovë është larguar me familje në SHBA, ku ka qëndruar deri në vitin 2005. Atëherë është kthyer për një kohë në Departamentin e Matematikës, ndërsa në vitin 2007 ka vazhduar karrierën në FIEK. Po atë vit është zgjedhur prorektor i Universitetit të Prishtinës, në kohën kur rektor ka qenë Enver Hasani. Deri në vitin 2009 ka ushtruar detyrën e prorektorit, ndërsa në periudhën 2009-2012 ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së.

Në vitin 2010 ka marrë timonin e Partisë Shqiptare Demokristiane (PSHDK) dhe ka lidhur koalicion me PDK-në për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura atë vit. Nga këto zgjedhje, PSHDK-ja dhe vetë Marjan Dema kanë dalë të humbur, duke mos arritur të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri. Për këtë arsye Dema ka dhënë dorëheqje, duke vazhduar punën në Universitet. Në vitin 2012 u zgjodh profesor i rregullt në FIEK. Në zgjedhjet e fundit në UP, Marjan Dema u emërua kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), detyrë të cilën e kreu deri më pesë mars të këtij viti, kur dështoi zgjedhja e rektorit. Pas këtij dështimit, Dema vendosi të japë dorëheqje nga posti i kryetarit për t’u kandiduar vetë për rektor, edhe pse në Rregulloren përkatëse thuhet se anëtarët e KQZ-së nuk kanë të drejtë të kandidohen për postin e rektorit.