Kuçi lë Drejtësinë, shkak Specialja

Aktuale March 28, 2016 - 07:39

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të heqë dorë nga drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, duke ia lënë këtë dikaster partnerit të koalicionit (LDK-së) para funksionalizimit të Gjykatës Speciale. Për faktin se kjo e fundit këtë vit pritet t’i ngrejë aktakuzat e para ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, pjesë e së cilës kanë qenë shumë zyrtarë të lartë të partisë më të madhe në vend. Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”, duke shtuar se ministri aktual i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pritet të jetë vetëm zëvendëskryeministër i parë në Qeveri.

“Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do të tërhiqet nga kjo Ministri, meqë nuk po dëshiron të jetë në krye të këtij dikasteri pasi të funksionalizohet Gjykata Speciale. Dihet se kjo Gjykatë do të ngrejë aktakuza ndaj bashkëpartiakëve të Kuçit, prandaj dëshiron të mos jetë në atë kohë ministër i Drejtësisë”, ka thënë ky burim i gazetës.

Se dëshiron të tërhiqet nga udhëheqja e Ministrisë së Drejtësisë e ka pranuar edhe vetë Hajredin Kuçi. Madje, për gazetën “Zëri” Kuçi thotë se kërkesën për largim nga udhëheqja e Drejtësisë në Kosovë e ka shprehur qysh në fillim të mandatit me ish- kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit aktual të kësaj partie, Kadri Veseli. “Se do të tërhiqem nga Ministria e Drejtësisë e kam shprehur kërkesën që në fillim të mandatit në koordinim me ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me kryetarin aktual, Kadri Veseli”, ka thënë Kuçi.

Megjithatë, ai ka mohuar se tërheqja e tij ka të bëjë me Gjykatën Speciale. “Tërheqja nuk ka të bëjë fare me atë çështje, pasi Ministria e Drejtësisë nuk do të ketë asnjë rol në atë drejtim me Gjykatën Speciale, por e kam përfunduar atë se çfarë kam pasur synim në Ministrinë e Drejtësisë si arkitekturë të drejtësisë dhe standarde në drejtësi”, është shprehur ai. Edhe pse tashmë duket punë e kryer se Kuçi do të jetë zëvendëskryeministër në vend të ish-shefit të tij, Hashim Thaçi, ai thotë se ende nuk kanë diskutuar në parti për këtë çështje. “Për pozitën e zëvendëskryeministrit ende nuk është diskutuar në PDK”, ka theksuar numri një i Drejtësisë.

Përndryshe, Kuçi për dy mandate ka qenë në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Megjithatë, ai më herët kishte deklaruar se pranon të jetë zëvendës vetëm i Hashim Thaçit.

As në Qeverinë e Kosovës nuk e kanë mohuar, por as nuk e kanë pohuar se ministri aktual i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do të largohet nga kjo Ministri për ta mbajtur vetëm postin e zëvendëskryeministrit. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë për gazetën “Zëri” se shumë shpejt do të plotësohen dy pozitat e mbetura, pastaj, siç thotë ai, do të takohen grupet punuese të dy partive në koalicion për të shikuar punën e secilës ministri. “Një herë do të plotësohen dy pozitat e mbetura, pastaj do të bëhet vlerësimi i të gjitha ministrive. Pasi të plotësohen këto pozita grupet punuese të partnerëve të koalicionit do të takohen dhe do të diskutojnë”, ka thënë Abrashi duke mos mohuar, por as pohuar nëse Kuçi do të largohet nga udhëheqja e MD-së.

Edhe analistët politikë thonë se gjasat janë të mëdha që ministri Kuçi të largohet nga aty, si shkak i funksionalizimit të Gjykatës Speciale. Analisti politik, Astrit Gashi, thotë për gazetën “Zëri” se prapavijat për largimin e tij nga Ministria e Drejtësisë mund të jenë politike, personale dhe partiake. “Nuk e di saktësisht, por është biseduar që brenda Qeverisë të ketë ndryshime, por cilat mund të jenë prapavijat e tyre politike apo personale dhe ndërpartiake. Por, ka gjasa që edhe kjo të jetë si arsye kryesore”, është shprehur Gashi.

Për shkak të zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit kanë mbetur të zbrazëta dy pozita në Qeveri, ajo e zëvendëskryeministrit të parë dhe e ministrit të Punëve të Jashtme, që i mbante Thaçi deri më 26 shkurt kur edhe u zgjodh në postin e kreut të shtetit.