Opozitës dialog, jo zgjedhje
PDK-ja do t’i ofrojë opozitës një ofertë për ulje në tavolinën e dialogut për zgjidhjen e krizës. Por, zgjedhjet përjashtohen si opsion, meqë për t’u mbajtur ato duhet së pari një reformë zgjedhore, e jo sipas qejfit të opozitës
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, thotë se atmosfera brenda koalicionit qeverisës është në suaza të normales, pavarësisht se LDK-ja e quajti parti të natës, PDK-në. Në një intervistë për “Zërin”, Grabovci ka thënë se kanë një bashkëpunim të mirë dhe falë këtij bashkëpunimi kanë arritur të mos lejojnë bllokimin e institucioneve. “Atmosfera është normale, në suaza të normales lirisht mund të them. Kemi një bashkëpunim korrekt, deri më tash është koalicion funksional me gjithë ato vështirësitë që jemi përballur deri më tash mendoj që falë këtij bashkëpunimi dhe mirëkuptimi kemi arritur me sukses të mos lejojmë bllokimin e institucioneve të vendit. Kemi bërë përpjekje që të përmbushim obligimet tona ligjore dhe kushtetuese dhe ia kemi arritur suksesshëm”, ka thënë Grabovci, i cili ka shtuar se do të japin maksimumin e tyre në kuadër të grupit parlamentar që të jenë korrekt me gjithë partnerët e koalicionit, pasi është interesi i qytetarëve për procesin që po kalojmë. “Çdo variant tjetër ne e vlerësojmë si të dëmshëm dhe pengon rrjedhën normale të proceseve dhe dëmton interesat e qytetarëve të vendit”, është shprehur Grabovci.
Zgjedhjet s’mund të mbahen sipas dëshirës së opozitës
Partia e Grabovcit ka dalë me një qëndrim për ofrimin e një oferte opozitës, për të dalë nga kriza politike. Por, ai thotë se kjo është ofertë për dialog. “Ofertën që ne si parti ia kemi ofruar opozitës është dialogu, tavolina e bisedimeve dhe aty mund të zgjidhen të gjitha problemet, nëse vërtet ka shqetësime reale të opozitës ata duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të debatojnë në mënyrë korrekte. Dhe jo të dalë kushdo qoftë ai të bllokojë në mënyrë të dhunshme atë që është e paqëndrueshme”, është shprehur Grabovci, duke mos përmendur zgjedhjet si opsion të mundshëm. Por, ai tha se janë të gatshëm të ulen në tavolinën e bisedimeve me të gjithë dhe të bisedojnë për të gjitha problemet dhe shqetësimet dhe të marrim vendime të përbashkëta. Por, thotë se zgjedhjet nuk mund të mbahen kur të dojë opozita, apo pozita.
“Ne duhet ta kemi parasysh se zgjedhjet nuk mund të mbahen sipas dëshirës së cilitdo subjekt, pozitës apo opozitës kujtdo qoftë. Zgjedhjet janë të paraparë sipas afateve ligjore dhe kushtetuese dhe ne do t’i respektojmë ato afate. Por gjithsesi ato mbahen në raste të veçanta kur vlerësohet se është në interes të qytetarëve, është interesi i proceseve, normalisht që nuk jemi kundër”, ka thënë ai.
Megjithatë, edhe pse vlerëson se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, Grabovci thekson se nëse do duhej të shkonin në zgjedhje, atëherë do duhej të bënin reformën zgjedhore, pastaj të shpallnin zgjedhjet. “Për të mbajtur zgjedhje ne paraprakisht duhet të bëjmë disa parapërgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne duhet të kemi një reformë zgjedhore dhe ajo reformë nuk mund të bëhet brenda ditës apo brenda natës, por janë disa procedura, rregulla që kërkojnë kohë dhe angazhim”, ka deklaruar Grabovci.
Për këtë, ai thotë se duhet të angazhohen në mënyrë të sinqertë dhe korrekte, nëse vërtet duan t’i mbrojnë dhe punojnë për interesa të qytetarëve të vendit dhe jo për interesat e ngushta partiake dhe individuale për të ardhur në pushtet.
Opozita duhet të kthehet në Kuvend
Nënkryetari i partisë më të madhe në vend thotë se Kuvendi i Kosovës pa opozitën është i mangët, prandaj duhet të kthehet opozita në organin më të lartë ligjvënës që të marrë përgjegjësitë e veta. “Nuk e shoh të nevojshëm bojkotimin e seancave sepse pa opozitën Kuvendi nuk do të jetë ai i cili duhet të jetë. Sepse me opozitën brenda do të ketë debat, do të ketë ide, dhe debati sjell vendime me kualitative. Prandaj dëshiroj që opozita të kthehet në Kuvend dhe t’i marrë përgjegjësitë e veta dhe t’i ngrejë të gjitha shqetësimet që ka dhe ne kemi gatishmëri që t’i debatojmë lirshëm dhe të marrin vendime në dobi të proceseve”, ka thënë Grabovci.
Nënkryetari i PDK-së ka folur edhe për udhëheqjen e re të partisë, duke thënë se edhe pas largimit të Hashim Thaçit, PDK-ja a një lidership të fortë. “PDK-ja ka një lidership të fuqishëm, ka pasur një lider por ka edhe lidership. Tash do të vërtetohet se lideri i PDK-së nuk ka qenë i vetëm, por ka pasur një ekip shumë të fuqishëm dhe në PDK ka qenë një lidership shumë i fuqishëm”, është shprehur ai.