Lobim në BE për heqjen e vizave

Aktuale March 21, 2016 - 07:42

Edhe pse Kosova zyrtarisht është në përfundim të plotësimit të kritereve për liberalizim, pesë shtete që nuk e njohin Kosovën do të vështirësojnë procesin. Kërkohet lobim të shtete e BE-së para procesit të votimit. Komisionari i BE-së për migrim, Dimitris Avramapolous pritet të vij në prill

Çështja për vizat nuk përfundon me përmbushjen e tetë kritereve të fundit që janë kërkuar. Kosova duhet urgjentisht të orientojë të gjithë kapacitetin e saj politik në lobim te shtetet e Bashkimit Evropian për shkak se është Këshilli i BE-së, si organi kryesor që duhet ta miratojë raportin për liberalizimin e vizave, bashkërisht me Komisionin Evropian. E në këto dy institucione janë përfaqësuesit e pesë shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, analistët politikë kanë përsëritur faktin se tensionet politike në vend, nuk po i bëjnë nder këtij procesi.

Ndërkohë që me disa vërejtje ku prokurimi mbetet ende kriter i pa përmbushur, shenjat e para se Kosova ka plotësuar edhe tetë rekomandimet për liberalizimin e vizave duket se janë pozitive. Përveç ministrit të IntegrimeveEvropiane, Bekim Çollaku, janë edhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare që kanë pohuar një gjë të tillë. Përveç prokurimit, që ka çaluar si proces, në pikat tjera Kosova ka shënuar progres. Vendimi për liberalizimin e vizave, pritet ta sjellë në Prishtinë ka mesi i muajit të ardhshëm, komisionari i BE-së për migrim, Dimitris Avramapolous. Ai pati paralajmëruar vizitë në Kosovë gjatë muajit shkurt, por pasi që procesi i përmbushjes së kritereve nuk ishte plotesuar, ai vizitën e shtyu për prill.  

Avramopolous ditë më parë në vizitën e tij në Tiranë, ndërkohë pati një mesazh edhe për Prishtinën. “E kuptojmë që ajo është e etur të shohë sinjale të prekshme sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nuk kemi dërguar kurrë sinjale negative, përkundrazi. Jemi përpjekur që ta ndihmojmë Kosovën në përpjekjen që ka ndërmarrë për t’i përmbushur të gjitha këto kërkesa të njohura tashmë. Kam ndërmend të shkoj në Kosovë shpejt. Dëshira ime është që të ndihmoj. Por edhe të më ndihmojnë”, ka deklaruar Dimitris Avramopoulos.

Ndërkaq, se raporti pritet të jetë pozitiv, “Zërit” i kishte pohuar edhe vetë ministri Bekim Çollaku. “Në bazë të diskutimeve në përmbyllje të misionit mund të konfirmoj se vlerësimet fillestare të ekspertëve janë mjaft inkurajuese. Ekspertët do të raportojnë mbi të gjeturat e misionit dhe jam plotësisht i bindur që ata do të vijnë në përfundim se Kosova ka bërë hapa të vendosur në përmbushjen e këtyre tetë rekomandimeve të fundit. Sigurisht se pres një raport pozitiv”, ka thënë Çollaku.

Profesori i Unionit Evropian dhe Politikave Ndërkombëtare, Dashnim Ismajli, ka thënë se Kosova pret një raport pozitiv nga komisioni për verifikimin e plotësimit të standardeve. Megjithatë, sipas tij, aty nuk përfundon gjithçka. “Të them të drejtën pres një raport pozitivë kësaj radhe. Kosova duhet intensivisht të fillojë lobimin pranë ministrive të brendshme te vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për shkak se është Këshilli, si organi kryesor, që duhet ta miratojë raportin për liberalizimin e vizave, bashkërisht me Parlamentin. Kështu që Kosovës i mbetet të rrisë intensitetin lobues dhe t’i bindë ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së se Kosova ka përmbushur kriteret, është në rrugë të drejtë në bërjen e shtetit ligjor dhefunksional”, ka thënë Ismajli. Sipas tij, Kosovës do t’i hiqen vizat brenda vitit 2016. “Pas raportit pozitiv Kosovës do t’i hiqen vizat brenda këtij viti”, ka thënë Ismajli.

Në anën tjetër analisti politik, Halil Matoshi, duke thënë se pret që Evropa të përfundojë zvarritjen e këtij procesi për Kosovën, ka ftuar edhe spektrin politik kosovar që të jetë më i ndërgjegjshëm karshi proceseve integruese. “Tashmë kemi vetëm disa sinjale negative nga Kuvendi i Kosovës, në tentimin e parë për t’i votuar anëtarët e OSHP-së, kërkesë po ashtu e vënë nga ana e BE-së. Kjo jep një shembull jo të mirë, se vullneti dhe gatishmëria e palës kosovare ka vënë prioritet integrimin evropian para interesave të ngushta partiake”, ka thënë Matoshi, sipas të cilit, sinjal negativ për Kosovën në aspektin ndërkombëtar është edhe kriza institucionale. “Konfliktet partiake herë pas here të përshkallëzuara po prodhojnë një situatë politike të paqëndrueshme duke vënë edhe proceset e shtetndërtimit në rrezik. Këto bëjnë BE-në edhe më skeptike në raport me stabilitetin, funksionimin dhe qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës në të ardhmen. Ndërkohë, si rezultat i një numri të madh emigrantësh ilegalë të futur në zonën e BE-së në vitin 2014-2015 vetëm se ka forcuar argumentet e skeptikëve në Zonën Evropiane se Kosova meriton një liberalizim vizash në një afat të shpejtë kohor”, ka përfunduar ai.