PDK, dikasteret kryesore në Qeveri

Aktuale March 09, 2016 - 07:52

Partia Demokratike e Kosovës të mërkurën pritet të diskutojë rreth emrave që do ta zëvendësojnë Hashim Thaçin në ekzekutiv. PDK-ja sot do ta mbledhë Këshillin Drejtues për të diskutuar për mbajtjen e konventës për ta zgjedhur kryetarin e ri të partisë, por që, sipas burimeve brenda PDK-së, temë diskutimi pritet të jetë edhe zëvendësimi i posteve të lëna zbrazët në Qeveri nga Hashim Thaçi

Partia Demokratike e Kosovës do ta mbajë mbledhjen e Këshillit Drejtues sot, ku pos diskutimit për mbajtjen e konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, do të diskutojë edhe për emrat që do ta zëvendësojnë Hashim Thaçin në Qeveri, i cili dha dorëheqje pas zgjedhjes në postin e presidentit.

Sipas burimeve brenda PDK-së, Haredin Kuçi dhe Enver Hoxhaj janë emrat që do ta zëvendësojnë Thaçin në postet e lëna zbrazët. Atë të zëvendëskryeministrit pritet ta marrë Hajredin Kuçi, ndërsa Enver Hoxhaj pritet të emërohet në postin e ministrit të Punëve të Jashtme.

PDK-ja diskuton sot për emrat që do ta pasojnë Thaçin

Burime të gazetës “Zëri” brenda PDK-së kanë thënë se të mërkurën kanë mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë, në të cilën do të diskutohet për mbajtjen e konventës për zgjedhjen e kryetarit të PDK-së, mirëpo në këtë mbledhje mund të diskutohet edhe për pasuesit e ish-kryetarit, Hashim Thaçi, në Qeverinë e Kosovës.

“Nesër kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe aty ka mundësi të merren edhe vendimet se kush do ta pasojë Thaçin në postet që ka lënë zbrazët në ekzekutiv”, kanë thënë këto burime.

Mirëpo, sipas po të njëjtit burim, do të diskutohet edhe për persona të tjerë që mund të inkuadrohen në Qeveri, nëse vendoset që të ketë riformatim edhe në dikasteret e tjera.

Koalicioni së shpejti bën publik emrat e rinj të kabinetit qeveritar

Mirëpo në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë thonë se ende nuk ka asgjë rreth riformatimit të Qeverisë. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë për “Zërin” se ende nuk ka diskutuar me partnerin e koalicionit për emrat që do të emërohen në postet e lëna zbrazët nga Hashim Thaçi.

“Ende nuk ka lëvizje në këtë drejtim”, ka thënë shkurt zëdhënësi Abrashi.

Që prej zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit posti i zëvendëskryeministrit dhe ai i ministrit të Punëve të Jashtme kanë mbetur zbrazët.

Megjithatë, deri në emërimin e ministrit të Punëve të Jashtme kryeministri, Isa Mustafa, ka emëruar ushtrues të detyrës së ministrit të MPJ-së Petrit Selimin, i cili ka qenë zëvendësministër sa ishte Thaçi në krye të diplomacisë.

Ndërsa në postin e zëvendësministrit, Mustafa e ka emëruar këshilltarin e tij, Valon Murtezaj. Megjithatë, përveç postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm kryeministri, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se mund të ketë ndryshime edhe në dikasteret e tjera, nëse vlerësohet se ajo do të shkojë në përmirësim të punës së ekzekutivit.

Madje, Mustafa tha se shumë shpejt do të dalin emrat e rinj të ministrave.

“Është çështje ditësh se kur do të bëhet riformatizimi i Qeverisë”, ka thënë Mustafa.

Kuçi zëvendëskryeministër, Hoxhaj kryediplomat

Megjithatë, dy emrat më të përfolur dhe thuajse të vetmit janë Hajredin Kuçi, aktualisht ministër i Drejtësisë, që pritet ta marrë edhe postin e zëvendëskryeministrit, post ky që mbante Hashim Thaçi deri para zgjedhjes së tij në postin e presidentit.

Ndërsa Enver Hoxhaj është i vetmi aktualisht ai, i cili do ta marrë drejtimin e diplomacisë së Kosovës, aty ku ishte për një mandat në qeverisjen e kaluar. Këtë e kanë thënë burime brenda PDK-së, sipas të cilëve, nuk ka emra të tjerë për këto dy poste ndonëse ende nuk është vendosur.

Hajredin Kuçi nuk e ka mohuar se mund të emërohet zëvendëskryeministër, por ka thënë se nuk kanë biseduar ende për këtë çështje.

Ditë me parë i ka thënë “Zërit” se nuk e kanë diskutuar ende një mundësi të tillë, por pa e mohuar se nëse i kërkohet ta marrë këtë post do ta refuzojë apo jo.

Ndërsa, aktualisht kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj, sipas të njëjtave burime, është thuajse e kryer se do të emërohet në postin e kryediplomatit, post këtë që e kishte ushtruar në mandatin 2011-2014.

Emri i Arsim Bajramit është përmendur si mundësi për të qenë pjesë e riformatizimit të Qeverisë, duke kaluar nga ministri i Arsimit në ministër të Drejtësisë.

I kontaktuar nga “Zëri” nënkryetari i PDK-së, aktualisht ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, nuk ka dashur të komentojë rreth një mundësie të tillë.

“Jo, nuk prononcohem për këtë çështje”, ka qenë përgjigjja e shkurtër e ministrit Bajrami.

Megjithatë, nga burime të afërta me PDK-në thonë se vështirë të ndodhë një gjë e tillë që Bajrami të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.