Kurdisja e tenderit lë spitalin pa stenta

Aktuale February 29, 2016 - 07:26

Ankesat e operatorëve për dyshime të përshtatjes së disa specifikave për prodhuesin “Boston Scientific” në tenderin për “Furnizim me materiale për Kardiologjinë”, i shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), mund ta lërë spitalin më të madh kosovar pa këto materiale.

Kjo pasi në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) ka mungesë të anëtarëve të Bordit që shqyrtojnë ankesat, derisa tashmë zyrtarisht në OSHP ka mbërritur ankesa e parë.

Është operatori i pajisjeve mjekësore “KosovaMed” ai që ka paraqitur një ankesë në OSHP, pasi ky operator kosovar pretendon se në këtë tender specifikat i janë përshtatur prodhuesit tjetër konkurrent “Boston Scientific”.

Sipas procedurave, kompania ankuese ka lënë një peng ankimor në vlerë prej 500 eurosh dhe nëse ankesa e kësaj kompanie nuk aprovohet, atëherë këto para nuk do t’i kthehen kësaj kompanie.

Në të kundërtën, nëse ekspertët e OSHP-së vlerësojnë se bëhet fjalë për kurdisje tenderi, atëherë lënda do të duhej riproceduar si dhe kompanisë do t’i kthehet pengu.

“KosovaMed”: Tenderi është diskriminues dhe favorizues

Xhavit Asllani, pronar i kompanisë “KosovaMed”, ka thënë për “Zërin” se nuk do të flasë për një çështje që tashmë është në proces ankimor.

“Ne jemi ankuar dhe nuk kemi çka të shtojmë më tepër se ankesa që kemi bërë”, ka thënë Asllani përmes telefonit në një prononcim për “Zërin”.

Ndërkohë, në ankesën e Asllanit, të siguruar nga “Zëri”, thuhet se në tenderin për “Furnizim me materiale mjekësore për Kardiologjinë” është shkelur Neni 7 i Ligjit për Prokurimin Publik – Barazia në trajtim/ Jo-diskriminimi.

Konkretisht Asllani në ankesën e tij është thirrur në Nenin 28 të ligjit.

“Pas marrjes së dokumentit standard kemi vërejtur që specifikat teknike të këtij tenderi janë të parapërgatitura dhe janë të caktuara që në fillim për dy firma prodhuese si: ‘Boston Scientific’ Lot 4, 5, 6 dhe 8 dhe ‘Abbot Vascular’ Lot 7”, pretendon ankuesi.

Ai në ankesë ka potencuar se nëse ky tender procedohet në këtë mënyrë, atëherë do të dëmtohet jo vetëm kompania e tij, por gjitha firmat që merren me furnizime mjekësore. Por, Asllani nuk ka komentuar për gazetën nëse ankesa, që ai e ka bërë në kohën kur OSHP-ja nuk ka panel të plotë, e ka futur procesin e tenderimit për pajisjet e Kardiologjisë në një “rrugë pa dalje”.
“Ju thashë që ne jemi ankuar dhe nuk do të interferojmë në këtë fazë”, ka thënë Asllani.

Ndërkohë një informatë që Zenel Kuqi, zyrtar i Prokurimit në QKUK, ia ka përcjellë më 16 shkurt të këtij viti përmes e-mailit shefit të Prokurimit të QKUK-së, Gazmend Rushiti, ka përmbledhur edhe ankesat e kompanive të ndryshme, të cilat shprehin pakënaqësitë e tyre se me tenderin që është shpallur janë shkelur ligjet e prokurimit, duke u favorizuar kështu prodhuesi “Boston Scientific”.

Gjocaj: Përgjegjësia për dështimin e tenderit bie mbi Kardiologjinë

Por Skënder Kutllovci, drejtor i “Medical Group”, ka thënë për “Zërin” se nuk është e vërtetë që ka pasur përshtatje tenderi. Po ashtu, ai ka thënë se me këto produkte për shkak të kualitetit të lartë që kanë furnizohen edhe spitalet private në Kosovë që merren me kardiologji, pasi, sipas Kutllovcit, “Boston Scientific” është lider sa i përket këtyre prodhimeve.

Por, edhe Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Curr Gjocajt, ka kërkuar nga drejtori i Kardiologjisë, Gani Bajraktari, që t’i rishikojë urgjentisht specifikacionet teknike.

“Tërheqim vëmendjen tuaj që specifikacionet janë përgjegjësi profesionale e njësisë kërkuese, pra në rastin konkret e Klinikës nën menaxhimin tuaj. Kërkojmë që urgjentisht t’i vlerësoni vërejtjet dhe edhe një herë specifikacionet e këtij tenderi, në mënyrë që ky aktivitet prokurimi të vazhdojë sipas planifikimit që më e pakta që do duhet të bëjmë është vazhdimi i afateve (kohës së hapjes) në mënyrë që specifikacionet të jenë të qarta, në asnjë mënyrë të mos jenë favorizuese dhe përjashtuese”, ka shkruar Zyra e drejtorit të SHSKUK-së.

Po ashtu, Bajraktari është alarmuar se e gjithë përgjegjësia për dështim eventual të këtij aktiviteti të prokurimit do të bie mbi Klinikën që ai drejton, përkatësisht mbi të si menaxheri kryesor i Klinikës së Kardiologjisë.

“Njëkohësisht edhe dështimi i aktivitetit eventual të prokurimit për këto arsye do të ndikojë negativisht mbi reputacionin e institucionit në kohën kur neve na nevojitet furnizimi me këto materiale për qytetarët në nevojë dhe s’do të kemi mundësi furnizimi me këtë material të specifikuar nga tenderi. Prandaj, edhe kjo është përgjegjësi e madhe për çka edhe një herë tërheq vëmendjen që këtë detyrë ta trajtoni si prioritet i lartë”, thuhet në shkresën e Gjocajt drejtuar Gani Bajraktarit. Ky i fundit nuk ka pranuar të prononcohet në lidhje me këtë çështje.