Fshati 'presidencial'

Aktuale February 28, 2016 - 08:11

Është fshati ku ka lindur presidenti i porsazgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu dy mandate ka drejtuar me Qeverinë e vendit, megjithatë Buroja nuk është më i zhvilluar se fshatrat tjera të Drenicës. Edhe ky fshat, ku ka lindur njëri nga politikanët më me ndikim në vend, viteve të fundit u përball me emigrimin e banorëve drejt Bashkimit Evropian, ka disa familje që jetojnë në varfëri, ndërsa edhe infrastruktura në fshatin që ka dhënë presidentin e shtetit nuk është më e mirë se në fshatrat tjera. Banorët e Burojës kryesisht merren me bujqësi.
Të premten, kur zgjidhej presidenti, rrugët e fshatit ishin krejtësisht të zbrazëta.

Lëvizjet ishin tejet të pakta, ndërkaq qytetarët e Burojës me padurim prisnin epilogun e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Shtëpia e Hashim Thaçit në Burojë dallohej nga shtëpitë tjera. Shumë flamuj ishin vendosur në shtëpinë e tij. Aty ndodhej edhe flamuri me emblemën e UÇK-së, flamuri shtetëror i Kosovës, flamuri kombëtar, ai i BE-së, si dhe flamuri amerikan. Edhe në dyert e oborrit të kësaj shtëpie, në vendet e caktuara për flamuj ishin vendosur flamuj të Kosovës, flamuj kombëtarë, si dhe simbole të PDK-së. Babai i tij, Haxhi Thaçi, i cili në Drenicë njihet si Haxhi Sinani, ndihej shumë i qetë. Ai e dinte se djali i tij do të jetë president i vendit, ndonëse nuk e fliste asnjë fjalë.
Banorët e Burojës Hashim Thaçin e vlerësojnë si njeriun që ka qenë protagonisti kryesor i të gjitha ngjarjeve të rëndësishme historike të vendit dhe që në fund ka arritur t’i kapë majat e shtetit. Ata hidhërohen në bashkëluftëtarët e Hashimit, të cilët, sipas tyre, ia kthyen shpinën në kohën kur do të duheshin të qëndronin pranë tij. “Marre ju koftë, ia kthyen shpinën kur ka qenë dasht me e mbrojt më së shumti. Hashimi i ka pasë shokë të luftës edhe Jakupin, Fatmirin, Rexhen, edhe shumë të tjerë, që kanë kanë folë gjithçka për të. Kush ka pas me kanë tjetërkush kryetar, veç Hashimi”, shprehet një plak i Burojës, Hamit Kastrati. 

Image

Ndërkaq një tjetër plak, kushëri i Hashim Thaçit, Milazim Thaçi, i cili u kishte shpëtuar plumbave të paramilitarëve serbë në masakrën e Izbicës, thotë se megjithatë është demokraci dhe nuk është keq që ka pasur kundërshtime. “Hashimi është djalë i urtë, ai ka ba shumë për Kosovën, më shumë se të gjithë të tjerët. E ka udhëheq politikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, ka udhëheq delegacionin e Kosovës në Rambuje, ka qenë njeriu kyç në bërjen e politikës në Kosovë, si kryeministër për tetë vjet e ka zhvilluar vendin. Shihni tani, të gjitha rrugët e fshatrave të Kosovës janë të asfaltuara. Nuk ka ba dallime, ai për të tanë ka qenë i njëjtë. Bile, ju e dini që ai e ka shpall edhe pavarësinë e Kosovës. Kush ka mujt me kanë tjetër kush kryetar i shtetit, pos tij. Na e kemi ditë që veç ai ka me kanë kryetar”, thoshte Milazimi, njeriu që jeton, siç thotë ai, falë Zotit pasi që edhe me shumë burra të tjerë të fshatrave të Drenicës, por edhe të fshatrave të komunave të tjera, Klinë, Drenas, Istog, u gjet përballë tytave të paramilitarëve serbë me 28 mars të vitit 1999, në Izbicë.

Një ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Buroja, Hasan Haliti, i cili bashkë me bashkëshorten e tij nga Shqipëria kishte luftuar pothuajse në të gjitha anët e Kosovës për ta çliruar vendin, thotë se sikurse të gjithë banorët e Burojës e kishte pritur me padurim epilogun e seancës së Kuvendit të Kosovës, ku zgjidhej presidenti.  Ngjarjet në Kuvend Hasani i kishte përjetuar rëndë. “Unë kam qenë ushtar i Hashim Thaçit, i Sylejman Selimit dhe i të tjerëve, por kam luftuar edhe në Dukagjin. Jam shumë i pezmatuar në këta njerëz që kanë udhëhequr luftën, edhe në Dukagjin, edhe në Drenicë. Bile, këta të Drenicës kanë qenë dasht me kanë bashkë, sepse janë këtu, tanët. Hashim Thaçi ka dhënë më së shumti për vendin, për ngritjen e shtetit. Pavarësinë e Kosovës e shpalli Hashim Thaçi, ai bëri luftë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Dhe tani dolën disa njerëz që u përpoqën ta rrëzojnë. Jo more, nuk është lehtë, se populli është me Hashim Thaçin”, shprehej Hasani me një dozë nervoze.

Me fjalë krenarie për Hashim Thaçin shprehen edhe qytetarët e tjerë të Burojës. Ata sigurojnë qytetarët e Kosovës se biri i tyre do t’ia qesë faqen e bardhë Kosovës, edhe tani kur ndodhet në krye të shtetit. Sipas tyre, posti i presidentit i shkon më së shumti për shtati njeriut të tyre, Hashim Thaçit