Kundërshtohet kurdisja e tenderit të stentave

Aktuale February 23, 2016 - 07:42

Pikërisht ditën kur gazeta “Zëri” ka publikuar artikullin me titull: “QKUK kurdis tenderin për stentat” ka reaguar drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, i cili për këtë çështje ka kërkuar përgjegjësi nga drejtori i Klinikës së Kardiologjisë.

Gazeta “Zëri” ka siguruar shkresën e protokolluar më 22.02.2016, me numër protokolli 250, ku drejtori Gjocaj i shkruan drejtorit të Kardiologjisë, Gani Bajraktari, se janë mjaft të shqetësuar për mospërgjigje të duhura dhe profesionale në lidhje me tenderin: “Furnizimi me materiale për Kardiologji”.

“Gjatë fazës tenderuese ka pasur pyetje, vërejtje që kryesisht kanë të bëjnë me specifikacionet teknike”, thuhet në shkresën që Gjocaj ia ka drejtuar vartësit të tij, Gani Bajraktarit.

Vërejtje Bajraktarit: Specifikat të mos jenë favorizuese dhe përjashtuese

Kështu, Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, ka kërkuar nga Bajraktari që t’i rishikojë urgjentisht specifikacionet teknike.

“Tërheqim vëmendjen tuaj që specifikacionet janë përgjegjësi profesionale e njësisë kërkuese, pra në rastin konkret e Klinikës nën menaxhimin tuaj. Kërkojmë që urgjentisht t’i vlerësoni vërejtjet dhe edhe një herë specifikacionet e këtij tenderi. Në mënyrë që ky aktivitet prokurimi të vazhdojë sipas planifikimit që më e pakta që do duhet të bëjmë është vazhdimi i afateve (kohës së hapjes) në mënyrë që specifikacionet të jenë të qarta, në asnjë mënyrë të mos jenë favorizuese dhe përjashtuese”, ka shkruar Zyra e drejtorit të SHSKUK-së.

Po ashtu, Bajraktari është alarmuar se e gjithë përgjegjësia për dështim eventual të këtij aktiviteti të prokurimit do të bie mbi Klinikën që ai drejton, përkatësisht mbi të si menaxheri kryesor i Klinikës së Kardiologjisë.

“Njëkohësisht edhe dështimi i aktivitetit eventual të prokurimit për këto arsye do të ndikojë negativisht mbi reputacionin e institucionit në kohën kur neve na nevojitet furnizimi me këto materiale për qytetarët në nevojë dhe s’do të kemi mundësi furnizimi me këtë material të specifikuar nga tenderi. Prandaj edhe kjo është përgjegjësi e madhe për çka edhe një herë tërheq vëmendjen që këtë detyrë ta trajtoni si prioritet i lartë”, thuhet në shkresën e Gjocajt drejtuar Gani Bajraktarit.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë, Gani Bajraktari, në lidhje me shkresën që atij ia ka adresuar i pari i SHSKUK-së, Curr Gjocaj. Por, Gani Bajraktari nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me këtë çështje.

 Ndryshe, tenderi për “Furnizime me materiale në Kardiologji”, duke përfshirë edhe stentat, që e ka shpallur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), sipas ankesave të adresuara në prokurimin e SHSKUK-së, i është përshtatur në disa lote prodhuesit “Boston Scientific”.

Në Kosovë ky prodhues përfaqësohet nga kompania “Medical Group”, me drejtor Skender Kutllovcin. Ky tender për “Furnizime me materiale për Kardiologji” për 24 muaj, me të gjitha lotet, do të kapë vlerën rreth 800 mijë euro.   

Kompania: Ne jemi lider, furnizojmë edhe tregun privat

Një informatë që Zenel Kuqi, zyrtar i Prokurimit në QKUK, ia ka përcjellë më 16 shkurt të këtij viti përmes e-mailit shefit të Prokurimit të QKUK-së, Gazmend Rushiti, ka përmbledhur edhe ankesat e kompanive të ndryshme, të cilat ankohen se me tenderin që është shpallur janë shkelur ligjet e prokurimit, duke u favorizuar kështu prodhuesi “Boston Scientific”.

Por, Skënder Kutllovci, drejtor i “Medical Group”, ka thënë për “Zërin” se nuk është e vërtetë që ka pasur përshtatje tenderi. Po ashtu, ai ka thënë se me këto produkte për shkak të kualitetit të lartë që kanë furnizohen edhe spitalet private në Kosovë që merren me kardiologji, pasi sipas Kutllovcit “Boston Scientific” është lider sa i përket këtyre prodhimeve.

Mirlinda Qyqalla, zyrtare për informim në QKUK, ka thënë në anën tjetër se Zyra e Prokurimit e QKUK-së të gjitha pyetjet dhe vërejtjet nga operatori ekonomik për specifikimin teknik i ka përcjellë te njësia kërkuese.

“Njësia kërkuese është përgjegjëse për specifikimin teknik të çdolloj artikulli, edhe në këtë rast për materiale në Kardiologji”, ka thënë Qyqalla.

Sivjet në QKUK do të bëhet një zvogëlim prej 30 për qind i blerjes së materialeve për Klinikën e Kardiologjisë, për shkak se është zvogëluar edhe buxheti për Kardiokirurgji dhe Kardiologji Invazive.