Opozita mobilizohet kundër Thaçit
Tri partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, po mobilizohen për ta penguar zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës.
Jozyrtarisht mësohet se partnerët e koalicionit qeverisës po planifikojnë që zgjedhja e Thaçit president të ndodhë këtë të mërkurë, në një seancë të Parlamentit, të cilën gjë opozita po planifikon që të mos e lejojë.
Adonis Tahiri nga Lëvizja “Vetëvendosje” ka thënë për “Zërin” se ashtu siç kanë vepruar në seancat paraprake, njësoj do të veprojnë edhe në seancën kur pritet të bëhet zgjedhja e presidentit.
“Siç kemi vepruar edhe në seancat e fundit të Kuvendit, do të veprojmë edhe në seancën e ardhshme kur ajo të caktohet. Një president i zgjedhur në kushtet e një krize institucionale nuk mund të përfaqësojë asnjë institucion e aq më pak unitetin të cilin supozohet ta përfaqësojë edhe me Kushtetutë”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.
Sipas Tahirit, Thaçi assesi nuk bën të jetë president i Kosovës, pasi që, siç ka thënë ai, kreu i PDK-së është një nga shefat kryesorë të nëntokës në Kosovë.
“Për më tepër, profili i Thaçit nuk bën assesi për president. Kundërshtimi i tij kap një front të gjerë shoqëror. Madje edhe shumica e elektoratit të LDK-së, që e kanë partner të koalicionit, janë kundër tij”, ka deklaruar Tahiri.
Edhe Muharrem Nitaj, anëtari i Kryesisë dhe zëdhënësi i AAK-së, ka thënë për “Zërin” se opozita tashmë është deklaruar për qëndrimet e saj karshi zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, kundërshtimi opozitar dhe qytetar do të fitojë cilësi të reja në këtë çështje.
“Të gjithë e dinë se nuk e ka mbështetjen as Thaçi e askush tjetër në këtë fazë derisa s’kanë marrë epilog kërkesat e saj. Nuk është vendosur akoma si do të kundërshtohet votimi për president. Por ajo që mund të them është se kundërshtimi opozitar e qytetar do të fitojë cilësi të reja”, ka deklaruar Nitaj.
Ndërsa, deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se Hashim Thaçi është njeriu më i papërshtatshëm i mundshëm që mund të zgjidhet president i Kosovës, pasi që siç ka thënë Berisha, një gjë të tillë po e dëshmon vetë Thaçi me fjalorin e tij ofendues.
“Sido që të jetë, opozita tashmë e ka thënë fjalën e vet se zgjedhja e Thaçit president është thellim i krizës politike”, ka deklaruar ai.
Deputeti i “Nismës për Kosovën” nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizimit të protestave në ditën që Thaçi tentohet të zgjidhet president, pavarësisht se opozita ka paralajmëruar protestë më 27 shkurt të këtij viti.
“Protesta më nuk është ndonjë risi. Tashmë është bindur opinioni i gjerë se këto banda mafioze nuk njohin vullnetin e qytetarëve, përderisa as edhe pjesëmarrjen masive të qytetarëve në protestat e fundit nuk i kanë njohur, jo që nuk i kanë njohur, por i kanë injoruar. Opozita po besoj se në kuadër të taktikave të veta të veprimit do të veprojë konform rrethanave që krijohen”, ka deklaruar për “Zërin”, Berisha.