Grabovci: Votat e sigurta për president

Aktuale February 15, 2016 - 07:45

Hashim Thaçi duket se ende nuk e di nëse tetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës do ta festojë si president apo do të presë që kjo festë të kryhet, në mënyrë që ai të votohet në Kuvend për të parin e Shtetit.

Sipas zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, zgjedhja e Thaçit në krye të shtetit mund të bëhet nesër ose pasnesër, por kjo mund të bëhet edhe pas shënimit të tetëvjetorit të Pavarësisë.

Për nënkryetarin e PDK-së, Adem Grabovci, shefi i tij në parti do të jetë president brenda muajit shkurt.

“Ne do t’i respektojmë të gjitha procedurat, mirëpo e drejta e deputetëve, 40 deputetë, nëse ata shprehin dëshirën dhe janë insistues ata kanë të drejtë në çdo kohë të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme. Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që do të mblidhet seanca para ose prapa 17 shkurtit. Por ajo që është shumë me rëndësi është se president do të kemi në përputhje me të gjitha afatet ligjore. Pra, deri në fund të muajit shkurt do ta kemi presidentin e ri”, ka thënë Grabovci në një bisedë për “Zërin”.

Por, edhe pse partnerët e koalicionit ende s’e kanë përcaktuar ditën kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit, Grabovci thotë se për ta shumë më e rëndësishme është që zgjedhja e presidentit të bëhet në përputhje me Kushtetutën, të gjitha ligjet dhe duke respektuar të gjitha procedurat dhe këshillat e marra nga partnerët ndërkombëtarë.

“Gjithsesi, duke respektuar edhe këshillat, edhe sugjerimet e partnerëve tanë të cilët sugjerojnë që të kemi qetësi, të ketë një transparencë të plotë dhe thjesht zgjedhja e presidentit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe kështu edhe do të ndodhë”, ka thënë Grabovci, i cili thekson se janë të interesuar dhe do t’i respektojnë afatet, por nuk do të lejojnë që të kenë ndonjë vakum institucional.

Shefi i deputetëve të PDK-së ka folur edhe për respektimin e marrëveshjes me partnerët në koalicion, duke thënë se do ta respektojnë edhe më tutje ashtu siç e kanë respektuar deri më tani.

“Ne e kemi një marrëveshje, e kemi respektuar deri më tash, do ta respektojmë edhe tash e tutje jo vetëm me partnerët e koalicionit, por ne jemi të interesuar të thellojmë bashkëpunimin edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë të drejtë dhe na kanë dhënë këshilla dhe sugjerime shumë të rëndësishme, ne do t’i respektojmë ato këshilla”, ka deklaruar ai, duke thënë se këshillat e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë për dialog dhe distancim nga dhuna.

“Këshilla më e madhe e partnerëve ndërkombëtarë ka qenë, është dhe do të mbetet dialogu, ruajtja e stabilitetit, largimi nga dhuna dhe për ne, PDK-në, dhuna gjithmonë ka qenë mjet i papranueshëm”, është shprehur Grabovci.

Nënkryetari i PDK-së është shprehur i sigurt se ashtu siç e kërkon Kushtetuta që në dy raundet e para t’i kenë dy të tretat e deputetëve në sallë, do t’i kenë deputetët e mjaftueshëm, sepse vetëm koalicioni qeverisës e ka numrin prej dy të tretave.

Ndërsa, duke folur për protestën e opozitës, e cila do të mbahet pikërisht më 17 shkurt, Grabovci ka thënë se askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë të drejtën dikujt tjetër të festojë.

“Për të protestuar ka ditë, ka forma të tjera, por është e palejueshme dhe është joparimore, jo e drejtë që pikërisht në ditën e festës ne të protestojmë, sepse kemi 1001 arsye për të festuar dhe përkujtuar gjithë atë sakrificë të popullit të Kosovës që kanë dhënë të gjitha gjeneratat për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Grabovci i ka quajtur të drejta dhe normale deklaratat e ambasadorit amerikan, i cili tha se nuk do të takohet me askënd që nuk distancohet nga dhuna.