Luftë e fortë për Këshill të UP-së

Aktuale February 11, 2016 - 07:55

Senati i ri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të mblidhet të enjten, për të formuar komisionin për verifikimin e kandidaturave për anëtarë të Këshillit Drejtues të këtij Universiteti.

Pas përmbylljes së konkursit të mërkurën, për kandidim kanë paraqitur kandidaturën 14 mësimdhënës të UP-së.

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në UP, Marjan Dema, ka thënë për “Zërin” se Senati do të votojë për anëtarët e komisionit që do të kenë për detyrë të bëjnë përzgjedhjen e tre anëtarëve sa do të ketë komisioni që do të verifikojnë listën e kandidatëve për këshill të Universitetit.

Dema ka bërë të ditur se për herë të parë në Universitet kandidatët nga stafi akademik nuk po propozohen nga njësitë akademike, por është lënë i lirë konkurrimi që të aplikojë secili që e sheh të arsyeshëm se mund të japë kontribut në kuadër të Këshillit.

“Pas verifikimit se plotësojnë kushtet të premten do të votohen në senat kandidatët për Këshill Drejtues”.

Dema ka thënë se pas zgjedhjes së pesë anëtarëve nga radhët e Universitetit në Këshill do të emërohen dhe katër anëtarë të tjerë nga Ministria e Arsimit. Kompletimi i KD-së, ai tha se do t’i japë mundësi shpalljes së konkursit për kandidimin për rektor të Universitetit.   

Ndërsa, gazeta ka mësuar se në garën për anëtarë të Këshillit deri të mërkurën (10 shkurt) që ka qenë dhe dita e fundit për konkurrim kanë kandiduar dhe pesë anëtarët aktualë të këshillit; Beqir Sadikaj, Zeqir Veseli, Alberta Troni, Kemajl Bislimi dhe Fevzi Berisha. Kjo pesëshe njihet bashkë me kryetaren Shefkije Islamaj se votoi për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu në tetorin e vitit të kaluar. Kjo pesëshe vazhdoi të jetë anëtare e Këshillit Drejtues dhe ishin përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, edhe pse nga ministri Arsim Bajrami kryetarja Islamaj u shkarkua për vendimin për shkarkim të rektorit, i cili u cilësua si i padrejtë nga ministri Bajrami.

Sipas burimeve të gazetës deri tash kanë kandiduar katërmbëdhjetë kandidatë: Beqir Sadikaj, Naim Braha, Ismet Hashani, Lindita Tahiri, Besa Luzha, Azem Lajqi, Mentor Sopjani, Ramë Miftari, Osman Gashi, Muhamet Mala, Fevzi Berisha, Alberta Troni, Zeqir Veselaj, si dhe Kemajl Bislimi.

Sipas Statutit të UP-së, neneve 17, 18 si dhe atij 19, Këshilli Drejtues i Universitetit është autoriteti kryesor qeverisës i Universitetit. Këshilli Drejtues ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit. Këshilli Drejtues është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.
“Këshilli Drejtues, kolektivisht i raporton dhe është përgjegjës para Ministrisë së Financave, për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit...”, thuhet në Statut.
Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sipas Statutit emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë. Mandati i anëtarëve të Këshillit drejtues zgjat tri vjet me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat.