Përpjekje për vazhdimin e dialogut

Aktuale February 10, 2016 - 07:52

Zgjidhja e krizës politike dhe pajtimi mes pozitës dhe opozitës po duket i vështirë me takime të ndërmjetësuara nga presidentja Atifete Jahjaga. Në takimin e së hënës, liderët nuk arritën asnjë përparim në dakordimin për të gjetur zgjidhje në krizën e krijuar në vend.

Por, pavarësisht se pozitë e opozitë vazhdojnë të mbesin me qëndrime të kundërta, e para e vendit ka shprehur përkushtimin që të vazhdojë me angazhimin e saj për dialog.

Jahjaga ende nuk ka bërë të ditur se kur do t’i ftojë liderët, por ka theksuar se do të jetë e angazhuar që kjo të ndodhë edhe më tutje.

“Presidentja Atifete Jahjaga do të vazhdojë angazhimin e saj për dialog ndërmjet partive politike parlamentare për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, ka thënë Zyra e Presidentes Jahjaga në një përgjigje për “Zëri”.

Më tutje Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se në takimin e djeshëm nuk ka pasur agjendë të caktuar, porse fokusi ka qenë tejkalimi i situatës së krijuar.

“Në takimin e djeshëm agjenda nuk ka qenë e paracaktuar dhe liderët kanë zgjedhur vetë çfarë kanë ngritur. Fokusi i takimit ka qenë tejkalimi i situatës së krijuar në vend”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Por, opozita nuk e ka ndërmend të ndryshojë qëndrim, duke bërë me dije se vetëm zgjedhjet janë zgjidhje për krizën, sipas tyre, të krijuar nga koalicioni qeverisës PDK-LDK.

Megjithatë, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, nuk ka dashur të flasë nëse do të marrë pjesë përsëri shefi i saj i partisë në ndonjë takim tjetër nëse presidentja vendos t’i ftojë, duke thënë se do të konsultohen të mërkurën me strukturat e partisë.

“Ne nesër e kemi takimin e radhës të kryesisë, të strukturave dhe për çdo gjë do të jemi me të gjitha strukturat. Haradinaj e ka treguar atë për çka ka shkuar të presidentja dhe nuk është tanimë e panjohur se çka kërkon opozita. Edhe pse ka shkuar në takim i ka bërë të qarta kërkesat e opozitës”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa, deputeti i “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi, ka thënë se opozita vazhdon të jetë e bashkuar dhe se shkuarja e Haradinajt në takim, nuk e prish qëllimin e përbashkët që kanë.

“Ai tha edhe një herë se nuk ka të bëjë as me ndarje as me përçarje, përkundrazi ai foli në emër të gjithë opozitës pavarësisht se nuk ishte i dërguari i opozitës”, theksoi Selimi.

Analistët thonë se sjellja e koalicionit qeverisës pas takimit të djeshëm tregon se Mustafa e Thaçi nuk janë të interesuar për dialog.

Analisti Fadil Lepaja thotë për “Zërin” se koalicioni, sidomos Thaçi nuk ka fituar diçka nga takimi i përbashkët, përpos që janë përpjekur që të komprometojnë agjendën e opozitës.

“Haradinaj mbrojti agjendën e opozitës, me kërkesat për zgjedhje të reja, dhe votim të drejtpërdrejtë të kryetarit të Kosovës, nuk mund të thuhet se koalicioni bëri ndonjë hap përpara. Sjellja e koalicionit tregon se ata nuk janë të interesuar për dialog, por për nënshtrim të opozitës dhe se nuk mendojnë seriozisht të respektojnë as vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Lepaja, duke shtuar se koalicioni po ecën nëpër vijë të kuqe dhe po rrezikon edhe përkrahjen ndërkombëtare.