Igumenia Makarija: Manastiret dhe objektet fetare në rrezik

Aktuale February 08, 2016 - 07:45

E para e Manastirit “Sokolica”, igumenia Makarija, u ka thënë medieve serbe të dielën se pasuria e Kishës ortodokse është e pakontestueshme, duke e shfrytëzuar rastin që të përmendë edhe “krimet ndaj serbëve”, “Shtëpinë e verdhë” në Shqipëri dhe rastin “Kleçka” në Kosovë.

“Pasuria e Kishës ortodokse serbe në këtë krahinë është e pakontestueshme dhe e garantuar. Pasuria e saj qëmoti është përshkruar në tapi që janë valide, ndërsa në kohë të fundit edhe në librat kadastralë të secilës komunë të Kosovës”, ka thënë ajo për mediet serbe duke shtuar se do të ketë rrezik që manastiret dhe objektet fetare ortodokse të sulmohet sërish.

“Ka mundësi që të vijë deri të ndonjë ngatërresë rreth manastireve serbe, por shpresoj që ato nuk do ta rrezikojnë sigurinë e shenjtorëve, pasi që ka ardhur koha që edhe shqiptarët kur janë në vështirësi t’u drejtohen përsëri shenjtorëve serbë për ndihmë”, ka thënë igumenia Makarija.

Në një pyetje të gazetarëve serbë se disa shenjtorë në Kosovë janë shndërruar në vend për kryerjen e nevojave fiziologjike, ajo është përgjigjur, se kultura e një populli shihet në mënyrën se si sillet dhe vepron.

“Shqiptarët nuk janë të vetëdijshëm se dëmtimi i objekteve të shenjta i tregon botës nivelin e kulturës së vet. Dhe ata njerëz pretendojnë që t’i bashkëngjiten bashkësisë së popullin evropian”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, e pyetur nëse beson që ata që i kanë kryer krimet ndaj serbëve të Kosovës do t’i mbërrijë dora e drejtësisë, igamenia Makarija është përgjigjur se aktualisht bota demokratike po sillet sikurse “kali me dizgjinë të shtrënguar dhe se në Kosovën që është rrëmbyer, drejtësi për serbët nuk ka”.

“Bota rrëmbimin e Kosmetit e arsyeton me interesa të veta ekonomike, për shkak të të cilave as shqiptarët nuk janë të përkëdhelur dhe as serbët të konsiderueshëm, por që thjesht mbi krimet ndaj serbe kalohet qetë, sikur të mos ekzistojnë as ‘Shtëpia e verdhë’ në Shqipëri, as ‘Kleçka’ në Kosovë”, ka thënë mes tjerash igumenia e Manastirit “Sokolica”, e cila ndodhet ngjitas me kompleksin e kullave të Isa Boletinit, në Boletin, Makarija.

Në anën tjetër, këtë shpërthim të së pares së Manastirit “Sokolica”, Makarija, në Mitrovicë e shohin si përpjekje të saj për t’u rehabilituar para serbëve, për qëndrimin e saj të prerë, që eshtrat e Isa Boletinit të rivarrosen në Boletin, në kohën kur serbët e veriut të Kosovës, në veçanti Komuna e Zveçanit dhe e Mitrovicës Veriore ishin deklaruar kundër kthimit të eshtrave të Isa Boletinit në vendin e tij. Madje, pikërisht për shkak të kundërshtimit të Komunës së Zveçanit dhe kryetarit të saj, Vuçina Jankoviq, dhe serbëve të asaj pjese, rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit, në Boletin, ishte shtyrë disa herë dhe sikur të mos ishte këmbëngulja e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, intelektualëve, familjes dhe qytetarëve të Mitrovicës, Isa Boletini, do të prehej tani në Vlorë përkrah Ismail Qemalit, ashtu siç kishte propozuar Hashim Thaçi.

E pak para se për Kosovën të votohej për pranim në UNESCO, ajo kishte të dalë me një kërkesë për Kuvendin e UNESCO-s, që të mos e votojë anëtarësimin e Kosovës, duke paragjykuar se me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO shteti më i ri dëshiron që t’i përvetësojë monumentet e kulturës dhe të kultit, pasi që, siç pati thënë ajo, “Kosova përveç 2-3 xhamive nuk ka asnjë monument kulturor e fetar”.