Rasti “Stenta” përplas kardiologët dhe Prokurorinë
Pacientët që janë planifikuar për t’iu nënshtruar nga e enjtja procedurave invasive të koronarografisë, si dhe vendosjes së stentave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk do të mundë të kryejnë këtë procedurë brenda spitalit.
Kjo pasi, të përkrahur nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, mjekët e Kardiologjisë së QKUK-së nga e enjtja do të bojkotojnë punën. Kështu, në QKUK do të kryhen vetëm rastet emergjente.
Vendimi i tyre vjen pas informacioneve se ndaj tyre janë zgjeruar hetimet dhe në shenjë revolte kardiologët i kanë dhënë afat Prokurorisë që deri më 31 janar të japë sqarime lidhur me këtë situatë të krijuar.
Ndryshe, siç merr vesh “Zëri” shumica e mjekëve të Kardiologjisë janë të gatshëm edhe të braktisin punën, pa më të voglën hamendje.
Gjocaj: Mjekët po paralajmërojnë largim nga puna
“Do të japin dorëheqje shumica. Madje, pa asnjë hamendje”, ka thënë doktori pa dashur t’i përmendet emri për gazetë.
Këtë paralajmërim mjekët ia kanë bërë edhe drejtorit të SHSKUK-së, Curr Gjocaj, i cili ka konfirmuar këtë të dhënë për “Zërin”.
“Po më kanë bërë paralajmërime për lënie të punës, pa hezitim. Kjo është shqetësuese”, ka thënë Gjocaj, sipas të cilit, janë bërë edhe plane B dhe C në rast se ndodh një gjë e tillë, që së paku shërbimi emergjent të jetë në funksion.
Gjocaj ka thënë se janë të interesuar që të bien në ujdi me mjekët që shërbimi të mos ndërpritet.
Ndërkaq, Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës në QKUK, ka thënë se kanë mbështetur kërkesat dhe veprimet e kardiologëve dhe kanë kërkuar takim urgjent me kryeprokurorin e Shtetit, ministrin e Drejtësisë dhe ministrin e Shëndetësisë.
“Problemi është tek përdhosja e sistemit shëndetësor përmes këtij mekanizmi shtetëror. Dhe këtë përdhosje që janë duke e bërë mekanizmat e shtetit e në rastin konkret Prokuroria ne na shtyn për të dyshuar se nuk duan të investohet në shëndetësi të shëndoshë. Si reaksion i kësaj ne kemi kërkuar sot takim që të mos denigrohet shëndetësia”, ka thënë Selmani.
Sipas tij, kërkesa ndaj Prokurorisë është një herë e përgjithmonë që të mos njolloset sistemi shëndetësor për shkak të disa individëve.
“Ne një herë e përgjithmonë po kërkojmë që të merremi vesh që të ndiqen rrugët ligjore e jo të bëhen këso veprime që ne dyshojmë se mund të jenë të sponsorizuara prej klinikave private të shteteve të rajonit”, ka thënë Selmani.
Nuk po hetohen të gjithë kardiologët
Në anën tjetër Zyra e Prokurorit të Shtetit ka njoftuar se për rastin “Stenta” hetimet e filluara në vitin 2014, në bazë të provave të siguruara, janë zgjeruar edhe për disa të dyshuar të tjerë.
Institucioni i Prokurorit të Shtetit protestën e paralajmëruar nga kardiologët e konsideron presion për ndërhyrje në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
“Në këtë rast bëhet fjalë për disa mjekë kardiologë e jo për të gjithë kardiologët në Kosovë, të cilët dyshohen së kanë kryer veprat penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Dyshimet e Prokurorisë janë ngritur për “Keqpërdorim të pozitës” apo “Autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Po ashtu Prokuroria ka ngritur dyshime edhe për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike. Hetimet, siç ka njoftuar Prokuroria, pos për mjekë janë zgjeruar edhe për tre persona.
Prokuroria ka thënë se do t’i ftojë të gjithë mjekët e dyshuar që janë të përfshirë në hetime, që të japin deklaratat e tyre, të sqarojnë dyshimet që u vihen në barrë dhe për të paraqitur mbrojtjen e tyre lidhur me ato dyshime.
“Prokurori i Shtetit kujdeset të sigurojë trajtim të barabartë objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë qytetarët e vendit, pa marrë parasysh se çfarë funksione ose profesione kanë dhe nuk do të pranojë kurrfarë ndikimi, ndërhyrje apo tentativa për të penguar punën e Prokurorit të Shtetit në fazën e kryerjes së funksioneve prokuroriale në hetime penale, pa paragjykuar epilogun e hetimeve”, ka njoftuar Prokuroria e Shtetit.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lukmezi, së bashku me prokurorin që po bën hetimet e rastit “Stenta” kanë shprehur gatishmëri që të enjten t’i presin në takim përfaqësuesit e FSSHK-së.