Plani “B” i opozitës për rrëzimin e Qeverisë
Partitë opozitare i kanë dhënë afat kryeministrit, Isa Mustafa, deri më 17 shkurt që të japë dorëheqje dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, në të kundërtën do ta aplikojnë planin “B” për rrëzimin e Qeverisë.
Sipas opozitarëve, nëse deri në përvjetorin e tetë të pavarësisë së Kosovës nuk reflekton kjo Qeveri, atëherë do t’i ndryshojnë metodat e veprimit, duke organizuar protesta edhe më të shpeshta, deri në ato të përditshme.
Nitaj: Do t’i shpeshtojmë protestat
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, thotë për “Zërin” se do të duhej të mjaftonin për Qeverinë që të reflektojë pas dy protestave masive, asaj të 28 nëntorit 2015 dhe 9 janarit të këtij viti, dhe të kuptojë se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.
“Ne po besojmë se protestat masive më 28 nëntor dhe posaçërisht protesta më e madhe që është mbajtur në Kosovën e pasluftës, ajo e 9 janarit, do të duhej të kishin qenë një sinjal i mjaftueshëm për këtë Qeveri se kundërshtimi është rritur dhe se zgjidhja e vetme në situatën e krijuar janë zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Nitaj.
Mirëpo, sipas tij, në rast të mosreflektimit as pas protestës së 17 shkurtit, Nitaj thekson se atëherë do t’i ndryshojnë metodat duke i shpeshtuar protestat.
“Për këtë qëllim është caktuar edhe protesta e 17 shkurtit, që ky kundërshtim të jetë akoma më i fuqishëm. Por, nëse nuk do të mjaftojë as protesta e 17 shkurtit, atëherë jam i bindur se protestat e radhës do të jenë shumë më të shpeshta, ndoshta edhe të përditshme”, është shprehur ai.
Mirëpo, pavarësisht të gjithave, opozita shprehet e bindur në rrugën e saj për ta rrëzuar Qeverinë.
Sipas “Vetëvendosjes”, kjo Qeveri e udhëhequr nga Isa Mustafa duhet të largohet sa më shpejt, në të kundërtën nuk do të ndalen deri në largimin e saj.
Zyrtari për informim i “Vetëvendosjes”, Adonis Tahiri, thotë se do t’i vazhdojnë në mënyrë edhe më intensive protestat deri në largimin e kësaj Qeverie.
Madje, thotë se prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se janë shkelur 23 nene të Kushtetutës me nënshkrimin e Marrëveshjes për “Zajednicën”, kjo Qeveri nuk ka as legalitet e as legjitimitet të udhëheqë me vendin.
“Prandaj, kjo Qeveri duhet të largohet menjëherë. E nëse një gjë e tillë nuk ndodh, ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona protestuese për ta detyruar këtë Qeveri që të largohet. Fronti i kundërshtimit të marrëveshjeve dhe Qeverisë po rritet çdo ditë e më shumë. Pra, Qeveria do të largohet ose vetë, ose nga presioni qytetar”, ka theksuar Tahiri.
Analistët: Opozita duhet të organizojë protesta të përditshme
Por, analistët mendojnë se opozita e ka të vështirë ta rrëzojë Qeverinë nëse vazhdon me të njëjtat metoda. Ata thonë se tri partitë opozitare duhet t’i ndërrojnë medoemos metodat dhe kërkesat nëse duan ta detyrojnë Qeverinë ta japë dorëheqje dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
Analisti, Halil Matoshi, thotë për “Zërin” se përveç shpeshtimit të protestave, opozita duhet t’i ndryshojë edhe kërkesat e saj dhe duhet të heqë dorë nga dhuna nëse dëshiron që ta masivizojë mbështetjen e qytetarëve.
“Mendoj se duhet të ketë kërkesa politike, ngase Asociacioni dhe Demarkacioni nuk janë agjenda serioze për ta ndërruar Qeverinë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe kapjes së shtetit nga aparati i PDK-së do të duhej të ishte e vetmja kauzë opozitare. Dhe natyrisht opozita duhet të mbledhë në kryeqytet 100 mijë njerëz dhe të protestojë me ditë të tëra pa ndërprerë e ndoshta edhe me javë për ta bërë Qeverinë që të reflektojë”, ka thënë Matoshi.
Edhe avokati, Azem Vllasi, thotë se opozita duhet t’i ndryshojë metodat nëse dëshiron ta shtyjë Qeverinë të reflektojë dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
“Me këto metoda opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë, sepse Qeveria thirret në numra, është barrikaduar në numra, këta mundohen me metoda tjera dhe Qeveria mund të bie vetëm nëse shpallen zgjedhjet e parakohshme. Do të thotë nëse koalicioni qeverisës e vlerëson se nuk ia vlen më kështu, atëherë mund të vendosë po ashtu me numrat e vet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Vllasi.
Opozita ka paralajmëruar më 17 shkurt protestën e radhës, pikërisht në shënimin e tetëvjetorit të Pavarësisë, që i bie me shumë se një muaj pas protestës së 9 janarit.
Megjithatë opozita e bashkuar po realizon edhe aksione simbolike, siç po i quajnë ata, parapërgatitje e protestës së 17 shkurtit.