Thaçi synon Presidencën para pavarësisë

Aktuale January 27, 2016 - 05:44

Hashim Thaçi po synon që tetëvjetori i pavarësisë, 17 shkurti 2016, ta gjejë në krye të Presidencës së Kosovës njësoj siç e kishte gjetur në krye të Qeverisë në vitin 2008, kur e kishte shpallur Kosovën shtet të pavarur.

Për ta përgatitur terrenin për zgjedhjen e Thaçit president pritet të caktohet edhe seanca e Kuvendit të Kosovës gjatë dy javëve në vijim, ku do të votohet nga deputetët edhe nga i pari i shtetit.

Këtë e dëshmon edhe një mbledhje që PDK-ja ka mbajtur dje, ku ka caktuar edhe kundërkandidatin e Thaçit për president, Rafet Ramën, në mënyrë që ta plotësojë kriterin formalo-juridik.

Ndonëse PDK-ja ende nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë, sipas burimeve të “Zërit” në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të kësaj partie është vendosur që të mos ketë seancë për zgjedhjen e presidentit para datës 10 shkurt.

“Seanca për zgjedhjen e presidentit do të mbahet pas datës 10 shkurt”, i ka thënë “Zërit” një burim brenda PDK-së.

Mirëpo nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ende nuk e di nëse do të ketë seancë të rregullt plenare para seancës në të cilën pritet të zgjidhet presidenti i Kosovës.

Haliti ka thënë shkurt për “Zërin” se nuk e di kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit, nëse kjo do të ndodhë në seancën e parë plenare për sesionin pranveror, apo jo. “Nuk e di akoma”, ka thënë shkurt Haliti.

Edhe sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, nuk ka treguar për kohën se kur mund të zgjidhet kreu i PDK-së në postin e presidentit. Ai ka thënë për “Zërin” se për seancën si parti nuk kanë biseduar se kur do të mbahet, pasi për këtë vendos Kryesia.

“Jo, datë nuk kemi caktuar ne si parti, ndërsa seancën e Kuvendit e cakton Kryesia e Kuvendit. PDK-ja si parti është e gatshme të ketë kandidatin e vet, ta zyrtarizojë dhe të kërkojë që gjithë deputetët ta votojnë për president. Por, për seancë nuk është diskutuar sepse kjo është çështje e Kryesisë dhe besoj se ajo do t’i respektojë afatet ligjore”, ka thënë Musmurati.

Për kohën se kur do të mbahet seanca e parë për sesionin pranveror nuk ka folur as kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndonëse është i bindur se shefi i tij në parti, Hashim Thaçi, do të zgjidhet president gjatë muajit shkurt.

As partneri i PDK-së në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e di se kur do të mbahet seanca e parë plenare për sesionin pranveror dhe nëse zgjedhja e Hashim Thaçit president do të bëhet në seancën e parë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i ka thënë “Zërit” se seancën dhe rendin e ditës e cakton Kryesia.

“Sigurisht se edhe për të mbajtur seancë duhen përgatitje, realisht janë disa komisione që po punojnë për të përgatitur materialin që vjen nga Qeveria. Por, sa i përket asaj se kur do të mbahet seanca, është çështje e Kryesisë së Kuvendit dhe cilat do të jenë pikat e rendit të ditës”, ka thënë Beqiri.

Ai nuk ka dashur ta lidhë mosmbajtjen e seancës plenare gjatë muajit janar me zgjedhjen e Thaçit president e as me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.