Televizioni italian: Në Kosovë, më shumë xhami sesa fabrika

Aktuale January 26, 2016 - 21:16

Mediat e huaja sërish e vendosin Kosovën nën llupën e një vendi që po prodhon xhihadistë. Këtë herë është televizioni italian ‘7’ dhe emisioni “Piazzapulita” që merret me tema hulumtuese.

Në reportazhin dhjetëminutësh, Kosova cilësohet si një shtet i krijuar nga amerikanët, por në të cilin nga paslufta, më shumë janë ndërtuar xhami sesa fabrika.

Mendonte se i biri i tij, dikur imam në fshatin ku u lind e u rrit, kishte shkuar në Egjipt për të studiuar. Për këtë, ai shiti krejt ç farë kishte, edhe lopën nga e cila ushqeheshin, vetëm që t’ia siguronte të birit paratë e rrugës.

Ky është prindi, Shemsi Maliqi nga fshati Busavatë e Kamenicës. E tash kur dyshohet se i biri, Alehimi po lufton për organizatën terroriste ISIS, prindi i tij nuk dëshiron ta besojë, raporton Lajmi.net.

Kështu e nis televizioni italian “ 7” rrëfimin për kosovarët që po i bashkohet xhihadit, duke e përshkruar vendin si një prej shteteve ku në raport me popullsinë, ka numër të madh të atyre që kanë shkuar në Siri për të luftuar.

“Nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte një katastrofë”, thotë ndër të tjera Shemsi Maliqi, për televizionin italian, teksa i referohet të birit si person i qetë, i dashur dhe shumë i zoti në teologji, transmeton Lajmi.net.

Pavarësisht të gjithave, Shemsiu deklaron se ka mall për të birin, nusen e tij dhe mbesën tre vjeçe, të cilët një vit pas udhëtimit të parë të Alheimit, ai është kthyer dhe i ka marrë me vete.

Në emisionin “Piazzapulita” të transmetuar me 7 janar 2016 në kanalin ‘7’, gazetarja italiane Valentina Petrini, në hulumtimin e përmbledhur në  dhjetë minuta mbi këtë temë, takon dhe bisedon me disa familje të tjera, të afërmit e të cilëve kanë shkuar  për t’iu bashkuar ISIS-it,  në luftën që ata e konsiderojnë të shenjtë.

Gazetarja ka vizituar edhe familje të tjera, si ajo e Sinan Mujit nga Bresalci i Gjilanit, i vrarë në shtatorin e vitit 2014, për të mësuar më shumë për arsyen që i shtynë këta persona, kryesisht të rinj, që të marrin këtë rrugë, apo të tjera në rrethinën e Kaçanikut, raporton Lajmi.net.

Por në asnjërin rast, ajo nuk gjen përgjigjen, ndonëse si më e përafërta konsiderohet arsyeja   ekonomike, pasi vendi vuan nga një shkallë e lartë e papunësisë.

Në pjesë të këtij hulumtimi të cilin e sjell Lajmi.net, sigurisht se nuk ka se si të mos përmendet kryeterroristi nga Kosova, Lavdërim Muhaxheri nga Kaçaniku, i cili shfaqet teksa bën thirrje për xhihad në gjuhën shqipe dhe djeg pasaportën e shtetit të Kosovës.

Në reportazh theksohet se ky vend i shndërruar në shtet, falë ndihmës amerikane,  nga paslufta ka  ndërtuar më shumë xhami sesa fabrika, ndërkohë që  potencohet edhe përpjekja dhe angazhimi i organeve policore kosovare në luftë kundër terrorizimit. /Lajmi.net