Shteti pa turistë (Foto)
Potencialet e shumta të turizmit dimëror nuk e kanë shndërruar Kosovën në një vend atraktiv për turistët e huaj. Madje vetë kosovarët më përpara zgjedhin t’i kalojnë pushimet dimërore në Banjsko të Bullgarisë, apo në Mavrovë të Maqedonisë, sesa që shkojnë në Brezovicë, Brod ose Rugovë
Potencialet e shumta për zhvillimin e turizmit dimëror nuk po e bëjnë Kosovën vend atraktiv për turistët e huaj. Jo vetëm që s’ka turistë nga Evropa, por fare pak vijnë edhe nga vendet e rajonit për t’i kaluar pushimet dimërore këtu. Madje edhe shumë kosovarë më përpara zgjedhin t’i kalojnë pushimet dimërore në Banjsko të Bullgarisë, apo në Mavrovë të Maqedonisë, sesa që shkojnë në Brezovicë, Brod ose Rugovë. Kjo për shkak të mungesës së investimeve dhe mospasjes së strategjisë qeveritare për zhvillimin e këtij sektori, i cili shteteve tjera i siguron qindra miliona euro në vit.
Me mjete vetjake disa biznesmenë kosovarë kanë rihapur qendra turistike në zonat malore, të cilat vizitohen më shumë në sezonet dimërore dhe vizitorët e rëndomtë janë vendorët, apo edhe nga Shqipëria. Por, këta investitorë janë penduar për investimet e bëra për shkak të pengesave të shumta në infrastrukturë, energji elektrike, dhe mospërkrahje nga shteti për zhvillimin e turizmit.
Brodi pa rrymë me ditë të tëra
Rreth 14 kilometra larg qendrës komunale të Dragashit, e cila shtrihet në jug të Prizrenit, ndodhet fshati Brod. I harruar nga përkrahja institucionale, kjo zonë piktoreske nisi të zgjojë interesimin e vizitorëve vetëm pas hapjes së hotel “Arxhenta”. Ngjitur me kanionin e kësaj zone, teleferikët dhe qendra e skijimit në sezonin e dimrit e arsyetojnë vizitën në Brod, ku për çdo vit aty mbahen dhe garat e skijimit. I vendosur në një lartësi mbidetare prej 1500 metrash, ky hotel ofron kushte të kualitetit të lartë për klientët me çmime që sipas pronarit Naser Arifi janë shumë më të vogla në krahasim me atë çka ofrohet. “Më shumë japim sesa marrim”, thotë shkurt ai, duke përmbledhur kushtet që ofrohen në dhoma të hotelit, si dhe ushqimin që i tëri përbëhet nga prodhimet vendore. Mishi i qengjit, djathi, bifteku i Sharrit, vezët... gjithçka që prodhohet nga banorët e fshatit Brod blihet nga ky hotel dhe ofrohet për mëngjesin, drekën e darkën për mysafirët. Por investimet milionëshe të Arifit ai thotë se nuk po bëjnë punë sa duhet për zhvillimin e turizmit pa pasur përkrahjen e shtetit. “Kam investuar qind për qind vetë. Janë mbi dy milionë euro investime, por sot nuk kemi rrymë”, thotë Arifi, i cili ka bërë plan të bëjë inaugurimin e teleferikut të madh.
Një prishje në hidrocentralin e kësaj komune ka dy ditë që ka “paralizuar teleferikët”. “Kam kërkuar përgjigje pse nuk kemi rrymë prej dy ditësh dhe s’kam marrë përgjigje. Vetëm na thanë: kur vjen ta lëshojmë (rrymën) dhe se po thonë që ka prishje”, thotë Arifi i zhgënjyer që një ditë para vikendit donte të lëshonte teleferikun e madh.
Mungesa e rrymës po i kushton 500 euro në ditë që të paguajë kompaninë italiane, punëtorët e së cilës ndodhen në këtë kompleks turistik për të lëshuar në përdorim teleferikun të cilin e kanë punuar e bërë gati. “Në mungesë të rrymës s’po mund ta lëshojmë dhe unë duhet të paguaj ata për çdo ditë që vonohet rryma nga 500 euro ditën”. Ai thotë se klientët më të mirë dhe të rregullt i ka kosovarët.
Arifi që dhe rrugën deri te hoteli e ka asfaltuar me mjetet e tij, thotë për gazetën “Zëri” se me (mos) përkrahjen që ofrohet për turizëm do të ishte mirë të mos kishte qeveri fare. “Kosova e ka zero mundësinë për të ngritur turizmin, falë njerëzve që ka në Qeveri... Kurse resurse ka sa të duash. Ku ta bësh një pikë turizmi, ku ta ngulitësh një flamur aty ke rezultat”. Në qoftë se dhe rruga bllokohet nga bora, prapë Arifi duhet të hapë atë vetë për klientët.
Bjeshkët e Rugovës anashkalohen nga investimet qeveritare
Bjeshkët e Rugovës që shtrihen në veriperëndim të qytetit të Pejës, në Kosovë, e që ndryshe njihen si Alpet Shqiptare, janë lënë krejt anash nga Qeveria. Rexhep Kurtbogaj, përfaqësues i banorëve të Rugovës, thotë se Rugova si zonë ka potenciale të shumta si destinacion i mirëfilltë turistik ku turistët mund të vizitojnë bukuri të rralla, pastaj për rekreacion dhe shërim me ajrin që mbizotëron në këto lartësi mbidetare mbi 1000 metra. Viteve të fundit, ai thotë se janë hapur disa bujtina dhe ka interesim të vizitohet kjo zonë. Por, Kurtbogaj thotë se pengesë kryesore për zhvillimin e turizmit deri më tani ka qenë infrastruktura. Ai thotë se në këtë zonë më shumë është i zhvilluar turizmi lokal. Sipas tij, rrugët dhe sistemi elektrik janë të dëmtuara. “Politika shtetërore nuk ka kontribuar sa duhet në zhvillim dhe promovim me ndonjë projekt apo investime kapitale në këtë trevë malore”, thotë Kurtbogaj për “Zërin”. Në këtë zonë gjendet dhe restorant-hotel “Bjeshka”. Pronari i saj Agron Nikqi rrëfen sesa e vështirë është të ngrihet turizmi, pavarësisht resurseve natyrore që ka vendi. “Edhe njerëzit e kësaj treve janë bujarë, produktet me kualitete natyrale janë baza e turizmit, por me ndihmën e shtetit do të bëhej mirë dhe më i suksesshëm, me afatgjatë dhe i qëndrueshëm”.
Por, Nikqi thotë se shteti apo siç shprehet ai, politika po e ruan këtë “xhoker” për fushatë politike për vota. “Sa herë që ka fushata thonë se do ta përkrahim sektorin e turizmit e kur fitojnë, investimet e premtuara i drejtojnë dika tjetër”, thotë ai për gazetën.
Junikut i ndahen vetëm 77 mijë euro
Leonard Llolluni, drejtor për Ekonomi dhe Zhvillim në Komunën e Junikut, thotë se si Komunë e re dhe me buxhet të limituar, sfidë kryesore mbetet implementimi i projekteve që ndikojnë në zhvillimin e turizmit. “Edhe pse me një buxhet të limituar që ndahet nga Qeveria e Kosovës, Komuna e Junikut asnjëherë nuk është ndalur dhe kështu ka arritur të krijojë një identitet turistik jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës”, thotë Llolluni. Por, sipas tij, kjo është bërë krejt falë donacioneve nga organizatat ndërkombëtare që operojnë në Junik, e që Komuna ka arritur të implementojë shumë projekte që kanë ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në Komunën e Junikut. “Komuna e Junikut ka një trashëgimi shumë të pasur kulturore dhe natyrore. Deri më tani kemi arritur të restaurojmë disa kulla, të cilat edhe i kemi funksionalizuar më pas si: Kulla e Hoxhajve që shërben si bibliotekë komunale, Muzeu Komunal që gjithashtu gjendet në kullën më të madhe në Dukagjin në Junik etj. Gjithashtu projekt kryesor për Komunën e Junikut është edhe hapja dhe asfaltimi i rrugës Junik-Bjeshkë, projekt ky që veç jemi në fazën implementuese. Hapja e rrugës Junik-Bjeshkë do të krijojë mundësi të reja për biznese turistike dhe gjenerim të vendeve të reja të punës”.
Mirëpo, Llolluni thotë se sfidë kryesore për Komunën e Junikut për vitin 2016 mbetet buxheti shumë i vogël që është ndarë nga Qeveria e Kosovës për investime kapitale. “Deri në vitin 2015 Komuna e Junikut ka pasur buxhet 300, 000.00 euro për investime kapitale nga Qeveria e Kosovës, mirëpo për vitin 2016 Qeveria e Kosovës për Komunën e Junikut ka planifikuar vetëm 77 mijë euro investime kapitale, megjithëkëtë Komuna e Junikut nuk do të ndalet edhe përkundër sfidës buxhetore, do të mbështetemi në ndihmën e organizatave ndërkombëtare siç është zyra e Unionit Europian, Swiss Contact, USAID, GIZ, JICA etj.”, thotë Llolluni për “Zërin” .







