Grup ekspertësh për statutin e Asociacionit

Aktuale January 15, 2016 - 08:07

Qeveria e Kosovës ende nuk ka filluar hartimin e statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Kjo për faktin se ekzekutivi i vendit aktualisht është duke krijuar një grup ekspertësh, i cili do të merret me hartimin e statutit, pavarësisht kundërshtimeve nga opozita.

Zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë për “Zërin” se kryeministri, Isa Mustafa, është në fazën e themelimit të grupit të ekspertëve për hartimin e statutit dhe se shumë shpejt do të fillojë punën.

“Fillimisht jemi duke u marrë me themelimin e një grupi ekspertësh, të cilët do të merren me pjesën ligjore të përpilimit të statutit, posaçërisht sa i përket leximit të drejtë dhe korrekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë grup kryeministri Mustafa ka ftuar publikisht edhe opozitën. Shpresojmë se pas kësaj, puna rreth përpilimit të statutit do të fillojë sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Gecaj.

Ai ka shtuar se janë duke tentuar që në këtë grup të inkuadrojnë edhe ekspertë ndërkombëtarë. Mirëpo, opozita assesi të pajtohet me themelimin e AKS-së. Ata thonë se nuk do të marrin pjesë në asnjë grup për hartimin e statutit për themelimin e AKS-së. Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, thotë për “Zërin” se në momentin kur Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendimin për shkelje të Kushtetutës, respektivisht mospërputhje në 23 pika të marrëveshjes, kjo Qeveri ka rënë dhe është jolegjitime dhe jokushtetuese. “Është çështje kohe dhe përpjekje prolongimi me qëllim të përfitimit në kohë. Por, de fakto dhe de jure nuk ka si të vazhdojë tutje. Ka humbur legjitimitetin dhe sot është e vetmja qeveri në Evropë që pretendon të qeverisë përkundër shkeljes që ka bërë. Ata tani duhet të fillojnë angazhimin për tejkalimin e kësaj periudhe transitore të pushtetit të tyre jolegjitim, duke pranuar zgjedhje të reja, një mënyrë kjo për të rikthyer në vend legjitimitetin demokratik”, është shprehur Kadaj-Bujupi.

Ndërsa profesori në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Vigan Qorrolli, thotë se do të duhej të krijohej një grup negociatorësh i përzier nga Qeveria dhe opozita, ndërsa për çështje specifike do të duhej të përfshiheshin edhe ekspertët jopartiakë dhe joinstitucionalë. Sipas tij, grupi i përzier do të duhej në radhë të parë të analizojë tërë dialogun sa i takon rastit të Asociacionit, meqë Kosova gjendet në një situatë goxha të pavolitshme ngase ndodhet mes dy zjarreve, para një obligimi ndërkombëtar për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe konstatimit nga Kushtetuesja se jo gjithçka në procesin e krijimit të Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën.

“Në këtë situatë në fazën e hartimit të statutit, ky grup i përzier duhet t’i kërkojë fillimisht sqarim Kushtetueses se si duhet ta zbatojë këtë aktgjykim. Një praktikë e tillë ekziston tashme sipas rastit “Pacolli” (Behgjet), ku i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese të sqaronte aktgjykimin e saj për të mundësuar zbatimin e tij. Pas këtyre sqarimeve se si duhet vepruar më tej, grupi i përzier duhet të këmbëngulë që ose statuti i Asociacionit të bëhet në përputhje me sqarimet e GJK-së, ose të rinegociohen parimet e Asociacionit”, ka thënë Qorrolli.

Opozita qysh në vitin e kaluar me nisjen e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit po e bllokon punën e legjislativit dhe po organizon protesta për të kundërshtuar themelimin e Asociacionit, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar më 25 gusht 2015, në Bruksel, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.