Fëmija në rrezik, mjekja askund

Aktuale January 14, 2016 - 07:50

Ndonëse babai i tij e kishte sjellë në Klinikën e Dermatologjisë me shpejtësi të madhe, pasi i ishte shfaqur një alergji, 10-vjeçarin nga Fushë-Kosova nuk e ka marrë askush në dorë për më shumë se tridhjetë minuta sa ka pritur në atë klinikë.

10-vjeçarin, H. D. nga Fushë-Kosova e ka dërguar në Dermatologji babai i tij D. D., pas konsultimit që kishte bërë përmes telefonit me një doktor, të cilit i kishte treguar se i biri i tij kishte qenë duke ngrënë darkë, kur i ishte mbushur përnjëherë i gjithë trupi me puçrra.

Por në Klinikën e Dermatologjisë infermierja që e ka takuar prindin me fëmijën e tij i ka kthyer mbrapsht ata, duke i thënë se duhet të ktheheshin në Klinikën e Pediatrisë për të marrë një udhëzim.

Në atë moment, prezent në klinikë kanë qenë edhe gazetarët e “Zërit” të cilët kishin informacione se doktoresha Mybera Ferizi, që ishte kujdestare, gjendej jashtë repartit.

 

Mjekja jashtë repartit, infermierja sorollat fëmijën

Prindi u shpreh i gatshëm që të paguajë kontrollin, vetëm e vetëm t’i merrej në dorë i biri i tij i sëmurë, pasi që ai kishte dëgjuar se nga alergjia fëmija i tij mund të rrezikohej edhe me jetë.

Por, infermierja ishte treguar e prerë, që ai të kthehej në Pediatri, të merrte udhëzimin e pastaj të kontrollohej.

“Unë isha i gatshëm që të paguaj dyfishin, ashtu siç edhe parashihej me ligj dhe këtë ia thashë infermieres, vetëm e vetëm që djalin të ma merrnin në dorë e në ato orë të mbrëmjes të mos endesha herë në një klinikë e herë në një tjetër. Nuk pata rrugëdalje tjetër dhe djalin e dërgova në Klinikën e Pediatrisë”, thotë babai i fëmijës.

Atje tregon se meqë ishin disa fëmijë duke pritur në radhë, kishte pritur disa minuta. Por, mjekët aty në Emergjencën e Pediatrisë e kishin marrë në dorë dhe pasi e kishin kontrolluar, sërish e kishin referuar që të kthehej në Klinikën e Dermatologjisë.

“Më shkruajtën terapi por më dhanë udhëzimin që gjithsesi të shkoj në Klinikën e Dermatologjisë”, ka thënë prindi i këtij fëmije.

Ai tregon se sërish ishte kthyer në klinikë, ku ishte takuar me të njëjtën infermiere. “Ajo më pyeti nëse në pediatri më kërkuan udhëzim dhe tërë kohën e amortizonte bisedën vetëm e vetëm të mos e kuptoja që doktoresha nuk ishte aty. Më mori gjitha shënimet tepër ngadalë. Madje më pyeti edhe për grupin e gjakut të fëmijës…”, thotë prindi.

Në këtë kohë kur prindi ka dhënë këto shënime, prezent me lejen e këtij prindi në ambulancë ka qenë edhe ekipi i gazetës “Zëri”.

Pastaj, infermierja ka dalë jashtë, duke iu thënë pacientit dhe prindit të tij të presin qoftë në dhomën ku bëheshin kontrollet, qoftë në korridor.

Prindi ka zgjedhur të presë në korridor, duke menduar se mjekja do të zbriste shumë shpejt në ambulancën specialistike.

Alergjitë në ushqim janë vdekjeprurëse në 7 për qind të rasteve

Por, as pas tridhjetë minutave, doktoresha kujdestare Mybera Ferizi nuk është afruar te dhoma ku bëhen kontrollet.

Në atë kohë, pas 30 minutave pritje, ekipi i “Zërit” e ka njoftuar drejtorin e SHSKUK-së, Curr Gjocaj, se askush nuk gjendej nga mjekët në klinikë dhe ka pyetur se pse ndodhte një gjë e tillë.

Dhe, pas pak çastesh, mjekja erdhi nga oborri i klinikës me mantel të bardhë u fut në ambulancë dhe tek atëherë kontrolloi pacientin.

Por, edhe në atë moment, ndonëse bëhej fjalë për një alergji, sipas prindit, doktoresha në vend se të merrej me sëmundjen, filloi të merrej me dokumentet.

“Pyetja e parë që bëri ishte: a keni udhëzim…”, thotë prindi që kishte pritur më shumë se 30 minuta.

Te pasi infermierja ia kishte konfirmuar këtë gjë, doktoresha Ferizi e ka kontrolluar fëmijën, duke i shkruar terapi dhe duke e vazhduar referimin në Klinikën Infektive.

Doktoresha Ferizi nuk ka pranuar të bisedojë me ekipin e “Zërit”, të cilët e kanë kontaktuar të nesërmen. “Kjo që thoni nuk është e vërtetë. Mos më pengoni, jam duke bërë vizitë pacientëve...”, ka thënë prerazi doktoresha, duke mbyllur telefonin e saj.

Ndërkohë, drejtoresha e Klinikës së Dermatologjisë, Fatime Kokollari, ka thënë se me rastin tashmë janë duke u marrë instancat përgjegjëse në QKUK.

“Çështja është proceduar më tutje në instanca më të larta, përfshirë komisionin disiplinor”, ka thënë Kokollari.

Ndryshe, Akademia Amerikane për Alergji, Astmë dhe Imunologji në studimet e bëra ka treguar se alergjitë që shkaktohen nga ushqimet, në 7 për qind të rasteve janë vdekjeprurëse.

Sipas të dhënave të publikuara nga kjo Akademi, në një reagim alergjik, sistemi imunitar mbireagon ndaj faktorit alergjik duke lëshuar kimikate që shkaktojnë simptoma në pjesë të tjera të trupit, duke dhënë ndjenja kruajtje në gojë apo në fyt. Kështu, ndodh një reagim serioz, i njohur si “anafilaksis”, e që shkakton vështirësi në frymëmarrje, gulçim apo ënjtje fyti, e që mund të rezultojë me vdekje të pacientit.