Politizimi i Universitetit mban peng reformimin e zgjedhjeve
Zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” nuk pritet të jenë të reformuara. Ligji i ri për arsimin e lartë nuk ka kaluar në Kuvend ende për miratim. Zgjedhjet paralajmërohet të mbahen sipas së “vjetrës”, ku edhe politika do të jetë prezent me preferencat e saj. Në këtë Universitet, sipas ekspertëve të arsimit, aktivistëve, ish-përfaqësuesve të organizatave të studentëve, politika ka përfshirë të gjitha strukturat menaxhuese dhe shumicën e profesorëve, saqë zgjedhjet nuk mund të organizohen të papolitizuara.
Të enjten rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, ka bërë apel për zgjedhje të rregullta dhe transparente. Zejnullahu në letrën e tij ka thënë se zgjedhjet janë një mundësi për t’i ndryshuar gjërat me të cilat jemi të pakënaqur, por edhe për t'i korrigjuar ato me të cilat nuk jemi krejtësisht të kënaqur. “Procesi zgjedhor në Universitetin e Prishtinës tashmë ka filluar dhe do të vazhdojë javëve në vijim. Uroj të kemi një proces të ndershëm dhe transparent, i bindur se të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për peshën e votës së secilit dhe vendimeve që do të merren mbi bazën e votës”, ka thënë ai duke ua kujtuar udhëheqësve të njësive akademike dhe përfaqësuesve të studentëve se kanë një përgjegjësi të shumëfishtë.
Rektori ka bërë të ditur se Universiteti ende është duke i vuajtur pasojat e ndërhyrjeve shumëvjeçare, si nga këndi i interesave politike, ashtu edhe atyre grupore dhe klanore.
Por Rron Gjinovci, aktivist i shoqërisë civile, vlerëson se për të pasur zgjedhje të rregullta duhet një ndërhyrje arbitrare nga Kuvendi i Republikës, si institucioni që e ka miratuar statutin e tij, për një reformë serioze. “Mendoj se duhen suspenduar të gjithë dekanët aktualë dhe të suspendohen të gjitha strukturat tjera. Gjatë kësaj periudhe do të duheshin bërë ndryshimet statutare me qëllim të vënies së filtrave që do të ndalonin zgjedhjen e personave të papërgjegjshëm”, thotë Gjinovci.
Të gjitha këto përbëjnë situatë ideale, sipas tij, nëse në këto zgjedhje media luan rolin e saj për demaskimin e pretenduesve për poste. Po ashtu, ai thotë se dhe organizatat studentore duhet të organizojnë një monitorim joformal të krejt procesit. “Mundësitë që të ketë përmirësime janë më të vogla se që mund t'i mendojmë, por përpjekja jonë si aktivistë e si qytetarë do të vazhdojë derisa të arrihet qëllimi: autonomia e Universitetit dhe rritja e kualitetit të tij”, thotë Gjinovci.
Edhe Ilir Hoxha, ish-përfaqësues studentor, thotë se Universiteti ka njerëz të denjë për t’u zgjedhur, por sipas tij problemi qëndron tek sistemi zgjedhor që si i tillë “ua mundëson klaneve të instaluara nga politika për ta mbajtur nën kontroll UP-në”.
Hoxha thotë se për t’i ikur politizimit zgjidhja më e mirë është që rektori të zgjidhet jo nga Senati dhe as nga Këshilli Drejtues, por drejtpërdrejt nga stafi akademik i Universitetit. “Mekanizmi më i politizuar në UP është Këshilli Drejtues i UP-së”.
Ndërkaq, Teuta Haxhiu, anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim, ka thënë se nuk beson se dhe kësaj radhe do të ketë zgjedhje konform me ligjin. Ajo thotë se është vështirë me situatën që është krijuar në sektorin e arsimit, ku politika haptas ndikon të ketë zgjedhje të mirëfillta. Haxhiu thotë se zgjedhjet jo në përputhje me ligjin do të sjellin prapë në krye të UP-së njerëz të politikës. Sipas saj, dëshmia më e fundit është rasti i rektorit Ramadan Zejnullahu, i cili u shkarkua dhe prapë pas dy ditësh u kthye në postin e tij. Ajo vlerëson se ky veprim i Qeverisë ishte politik.
Haxhiu apelon që të mos lejohet që në UP të vendosen njerëz të preferuar të politikës. “Asnjëherë prej pasluftës në këtë Universitet nuk ka pasur rektor apolitik”, thotë ajo. Të gjitha strukturat menaxhuese sipas saj janë politizuar. Madje, ajo thotë se edhe studentët përfaqësues në organet e Universitetit duhet të zgjidhen ata me sukses të lartë dhe që nuk i shërbejnë asnjë partie politike.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në kohën kur nxori vendimin për zgjedhjet e parakohshme në të gjitha nivelet universitare, ka paralajmëruar se për vëzhgimin e procesit zgjedhor në Universitet do të ftohen edhe organizatat profesionale ndërkombëtare dhe nacionale.
Zgjedhjet do të përfshijnë të gjitha organet e Universitetit, nga këshillat e njësive akademike, udhëheqësit e njësive akademike, Senatin, Këshillin Drejtues dhe shpalljen e konkursit për menaxhmentin e ri të Universitetit.
Ndërsa, Projektligji për Arsimin e Lartë, me të cilin parashihet të mbahen zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitet, të organizohen në përputhje me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë, nuk ka dalë ende në Kuvend të Kosovës.