Limaj:Vizat hiqen këtë vit, por jo nga puna e Qeverisë

Aktuale January 07, 2016 - 13:21

Viti që po lëmë pas për kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka qenë viti më i vështirë që ka kaluar Kosova që nga pas lufta.

Koalicioni qeverisës, siç është bërë, për liderin e Nismës që nga fillimi është pritur që të mos jetë koalicioni për qytetarë, por koalicion i dështimeve e zhgënjimeve të mëdha.

Për Limajn, 2015 përveç që do të mbahet mend si viti më i vështirë për vendin, do të ketë edhe një kujtim të mirë, bashkimin e opozitës.

Në një intervistë për KosovaPress, Limaj ka deklaruar se viti 2016 do të jetë vit kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë pa viza, e kjo jo falë përpjekjeve të Qeverisë por të turpit që ka bërë Evropa me vendin tonë.

“Besoj që vet krijimi i këtij koalicioni qeverisës është krijuar të gjithë e dimë në bazë të çfarë parimeve , fatkeqësisht është treguar se Kosova nuk do të ketë një qeverisje ashtu siç e presin qytetarët e Kosovës dëshmoi fillimi i vitit që po e lëmë siç thatë ju në janar me ato deklarimet e njërit nga ministrit të kabinetit qeveritarë. Reagimi i qytetarëve, protestat, shkarkimet për të vazhduar me pastaj plotë të tjera. Nëse Kosova ka pas diçka të mirë në këtë vit që po e lëmë mbrapa ka arritur që të ketë një opozitë të bashkuar. Prej pas luftës është hera e parë që opozita është bashkuar në tema të rëndësishme të vendit”, deklaroi Limaj.

Sipas tij, nëse nuk do të ishte vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dy marrëveshjet tashmë të kontestuara nga opozita, ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, vendim ky që shprehu mospërputhjen e këtyre marrëveshjeve me Kushtetutën e vendit, nuk do të kishte për çka të kujtohet ky vit.

Se bashkimi i opozitës nuk ishte vetëm për interesa të ngushta apo partiake ka qenë i papritur nga shumë skeptik këtë e pohon Limaj, i cili tha se ndonëse opozita është e bashkuar, ata asnjëherë nuk e kanë mohuar që në disa çështje kanë edhe qëndrime të ndryshme nga njëri-tjetri, dhe pikërisht për këtë janë edhe tri parti të veçanta e të ndara në koncepte e programe, e të bashkuara për tema nacionale.

“Ne jemi tri parti të ndryshme, ne asnjëherë nuk e kemi fshehur që jemi të ndryshme, prandaj jemi tri parti kemi edhe programe të ndryshme, koncepte të ndryshme. Ajo që keni na ka bashkuar janë temat e rëndësishme për vendin. Bashkimi opozitarë nuk është mbi bazën e ideologjive dhe partiake, por thjeshtë jemi bashkuar në temat e rëndësishme për vendin, pastaj veprimet e opozitës kanë qenë të përbashkëta, nuk jemi dalluar kush çka bënë, por thjeshtë veprimet aksionet opozitare kanë qenë e opozitës së bashkuar, ne i kemi koordinuar bashkë aktivitetet dhe kjo është më e rëndësishme. Pavarësisht presioneve opozita ka qëndruar bashkë”, tha Limaj.

Presidentja e vendit Atifete Jahjaga, sipas tij, në tejkalimin e krizës politike ka pasur rol për të dëgjuar zërin e mbi 200 mijë qytetarëve që kanë nënshkruar për t’i thënë jo dy marrëveshjeve për Asociacionin dhe demarkacionin. Ajo siç thotë Limaj nuk ka mundur më të qëndroi e heshtur karshi kësaj situate duke dërguar kështu në Kushtetuese marrëveshjen e parimeve lidhur me Asociacionin.