Mustafa: Prokurimi elektronik rrit transparencën dhe minimizon korrupsionin

Aktuale January 05, 2016 - 15:37

Kryeministri Isa Mustafa, e ka quajtur të mbarë këtë vit, i cili po fillon me aplikimin e prokurimit elektronik në Kosovë, dhe që pritet të zgjerohet në të gjitha agjencionet kontraktuese të Kosovës, në gjysmën e këtij viti.

 “Është një proces që lidhet me efiçiencën dhe efikasitetin e shpenzimeve të parasë publike, por edhe të projekteve të cilat ne i financojmë me paratë publike, sikurse atyre që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me furnizime, po ashtu edhe me investime kapitale, qoftë në organizata buxhetore, në kompanitë publike ose në agjencionet e pavarura të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Mustafa, po ashtu, tha se qëllimi themelor është që përmes prokurimit elektronik të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit, të ndikohet në uljen e çmimeve, dhe në kursimin e parasë publike, si dhe në cilësinë më të mirë të projekteve të cilat financohen me paranë publike.

Duke theksuar se nuk pret që prokurimi elektronik të jetë shkop magjik përmes të cilit do të zgjidhen të gjitha problemet në procesin e prokurimit, kryeministri Mustafa tha se është shumë e qartë që përmes tij do të ketë një pasqyrë të qartë të procedurave të prokurimit publik që nga fillimi deri në mbarim, përmes të cilit do të shihen të gjitha gjurmët, qoftë të mira apo të padëshiruara në procesin e prokurimit.

“Kjo do të mundësojë që ne këto t’i eliminojmë, ta rrisim transparencën, dhe po ashtu ta rrisim edhe përgjegjësinë, ta ulim korrupsionin në proceset e prokurimit publik, që ka qenë një prej brengave tona më të mëdha deri më tani”, tha Mustafa.

Duke bërë të ditur se përmes prokurimit elektronik do të rritet efiçienca e shfrytëzimit të parasë publike dhe kursimi i parasë publike nga pesë deri në dhjetë për qind, kryeministri Mustafa tha se kjo nuk i takon vetëm mjeteve buxhetore por edhe atyre të kompanive publike.