9 janari nuk e shqetëson Qeverinë
Qeveria e Kosovës nuk po brengoset fort nga paralajmërimi i protestës së opozitës më 9 janar, në të cilën opozita do të kërkojë rrëzimin e Qeverisë Mustafa. Sipas përfaqësuesve të partive në pushtet, PDK-së dhe LDK-së, koalicioni qeverisës po ecën mirë dhe është shumë stabil. Ata thonë se nuk frikësohen nga deklaratat e zyrtarëve të opozitës se më 9 janar do të jetë fundi i qeverisjes së Isa Mustafës.
Tashmë opozita po përgatitet në mënyrë intensive që më 9 janar të organizojnë një protestë masive, me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve për të kundërshtuar dy marrëveshjet, atë për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin. Por, në këtë protestë është shtuar edhe një kërkesë tjetër, dorëheqja e kryeministrit Isa Mustafa, pasi, sipas tyre, ka shkelur Kushtetutën.
Gecaj: Nuk iu frikësohemi protestave paqësore
Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë për “Zërin” se Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa është stabile dhe se nuk kanë asnjë arsye që të frikësohen nga protestat paqësore. “Qeveria nuk i frikësohet fare protestave paqësore, pasi janë e drejtë demokratike e qytetarëve. Të shpresojmë se këto do të jenë protesta paqësore. Ne nuk i shohim protestat si presion. Qeveria është stabile dhe po funksionon. Është opozita e cila është në krizë dhe tenton të gjejë rrugë jodemokratike për të ardhur në pushtet”, ka thënë Gecaj.
Grabovci i sheh normale thirrjet e opozitës për rrëzimin e Qeverisë
Edhe partneri i LDK-së në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, nuk u frikësohet thirrjeve të opozitës për dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafës dhe shkuarjes në zgjedhje. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, deklaroi për “Zërin” se i sheh si normale thirrjet e opozitës, derisa ka ftuar qytetarët që të vlerësojnë se kë ta mbështesin, ata që duan qetësi, rend dhe ligj, apo ata që po tentojnë me dhunë të shkatërrojnë gjithçka, duke aluduar në opozitën. “Qytetarët duhet të dinë kujt t’i japin mbështetje. T’i japin atyre që janë të interesuar që të krijojnë rend, ligj dhe qetësi apo atyre që janë të interesuar ta bëjnë krejt të kundërtën, duke rënë ndesh me interesat e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa, thirrjet e opozitës i marr si normale, opozita ka të drejtë të jetë e pakënaqur. Mirëpo, ky është fati. Koalicioni është shumë stabil, është duke funksionuar. Kemi marrëveshjen dhe është respektuar me përpikëri deri sot”, ka theksuar Grabovci. Ai i ka bërë thirrje opozitës që për të ardhur në pushtet t’u referohet rregullave demokratike, ta konsolidojë së pari vetveten dhe të mendojë për një ofertë më bindëse për qytetarët.
Një pjese të opozitës asnjëherë s’i ka interesuar Republika, por destabilizimi
Grabovci ka ndarë edhe opozitën, në ata të cilët duan destabilizimin e vendit dhe që nuk kanë bërë asgjë për lirinë e vendit, dhe ata që kanë dhënë kontribut në lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit. “Një pjesë e opozitës asnjëherë nuk e ka pasur shqetësim republikën, nuk e ka shqetësim mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të Kosovës, po ka për qëllim, mision, për të shkaktuar destabilitet, pasiguri dhe për të mbytur rrugën e perspektivës sonë evropiane. Ndërsa, një pjesë e opozitës ka kontribuuar për çlirimin e vendit, shpalljen e pavarësisë, për formimin e institucioneve dhe jam i sigurt që do t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, pjesa tjetër e cila ka mision thjesht për të destabilizuar, nuk e ka dhënë asnjë kontribut në çlirim të vendit, shpalljen e pavarësisë, ndërsa nuk e ka njohur deri më sot asnjë institucion të shtetit të Kosovës”, ka theksuar ai.