Specialja - për individë, nuk e gjykon UÇK-në

Aktuale January 04, 2016 - 08:17

Gjykata Speciale nuk po themelohet për të gjykuar luftën e Kosovës për liri, por për disa individë. Kështu ka thënë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Zëri”. Ai rikujton raportin e Marty-t, duke thënë se “në këtë raport, i cili e ka nisur tërë këtë para 4-5 vjetëve, flitet për një numër relativisht të vogël të individëve. Dhe mendoj se duhet të përqendrohemi në këtë se kjo është për një numër relativisht të paktë të individëve, e jo për luftën e Kosovës për liri”, ka shtuar Delawie. Ai ka bërë të ditur se SHBA-ja e përkrah Gjykatën Speciale dhe është me rëndësi të qartësohet se çka është e çka nuk është ajo. “Ideja e kësaj Gjykate, është se do të ndjekë penalisht një numër relativisht të vogël të individëve, të cilët janë akuzuar se kanë kryer krime specifike.

Pra, nuk ka të bëjë me vënien në pyetje të luftës së Kosovës për pavarësi apo diçka të tillë”, ka shtuar ambasadori amerikan në Kosovë. Ai shpreson që gjithçka të vihet në vijë shpejt. Janë ende disa hapa ligjorë që duhen të ndërmerren lidhur me Gjykatën. “SHBA-ja e ka siguruar kryeprokurorin për këtë Gjykatë, që është vendosur në Holandë. Kam lexuar në shtyp disa spekulime se dhuna në Kuvend, mbase nuk është për shkak të kufirit me Malin e Zi apo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por në të vërtetë ka të bëjë me pengesën e aktiviteteve për themelimin e Gjykatës Speciale. Nëse mund t’i kryejmë këta hapat e fundit ligjorë, atëherë do ta shohim se a është ky spekulim i vërtetë, apo jo?”, ka thënë Delawie. Ai gjatë intervistës ka folur edhe për bisedimet me Serbinë, radikalizmin fetar etj.

Zëri: Njëra ndër çështjet më të ndjeshme është Gjykata Speciale. Qëkur është përmendur për herë të parë, ka pasur reagime të shumta nga shumica e partive politike. Cilat janë pritjet tuaja në muajt e ardhshëm? Kemi vonesa lidhur me procesin, pra, kur prisni që procesi të fillojë?

Delawie: Kjo është pyetje e mirë. Do të duhen muaj të tërë. Sigurisht, SHBA-ja e përkrah Gjykatën Speciale dhe është me rëndësi të qartësohet se çka është e çka nuk është ajo. Gjykata, ideja e kësaj Gjykate, është se do të ndjekë penalisht një numër relativisht të vogël të individëve, të cilët janë akuzuar se kanë kryer krime specifike. Krime për të cilat do të ndëshkoheshim edhe ju apo unë nëse i kryejmë. Pra, nuk ka të bëjë me vënien në pyetje të luftës së Kosovës për pavarësi apo diçka të tillë. Ka të bëjë me ndjekjen penale të individëve për krime individuale. Shpresoj që gjithçka të vihet në vijë shpejt. Janë ende disa hapa ligjorë që duhen të ndërmerren lidhur me Gjykatën. SHBA-ja e ka siguruar kryeprokurorin për këtë Gjykatë, që është vendosur në Holandë. Kam lexuar në shtyp disa spekulime se dhuna në Kuvend, mbase nuk është për shkak të kufirit me Malin e Zi, apo për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, por në të vërtetë ka të bëjë me pengesën e aktiviteteve për themelimin e Gjykatës Speciale. Nëse mund t’i kryejmë këto hapat e fundit ligjorë, atëherë do ta shohim se a është ky spekulim i vërtetë, apo jo?

Zëri: Megjithatë, Gjykata Speciale po promovohet si të jetë kundër luftës së UÇK-së. A është Gjykata më shumë për individët e jo për luftën e UÇK-së në përgjithësi? A e shihni refuzimin e partive kryesore politike si frikë të individëve se do të dënohen nga ky proces?

Delawie: Gjykata Speciale nuk është për ta vënë në pyetje luftën e Kosovës për liri.

Zëri: Por, si e shihni refuzimin e partive politike? Sepse shkurt nëse nuk kanë kryer krime, atëherë përse të kenë frikë nga kjo Gjykatë Speciale?

Delawie: E kam të vështirë ta ftilloj këtë pyetje sepse askush nuk ka folur me mua personalisht për këtë. Pra, janë spekulimet për të cilat kam dëgjuar dhe kam lexuar në shtyp, por askush nuk më është afruar duke thënë se “shqetësohem se do të ndiqem penalisht”. Mendoj se nëse e lexoni raportin e Marty-t, i cili e ka nisur tërë këtë para 4-5 vjetëve, në të flitet për një numër relativisht të vogël të individëve. Dhe mendoj se duhet të përqendrohemi në këtë, se kjo është për një numër relativisht të paktë të individëve e jo për luftën e Kosovës për liri.

Zëri: Varet kush janë këta pak individë, mund të jenë të fuqishëm?

Delawie: Nuk e di kush janë. Vetëm një grusht njerëzish e dinë se kush janë ata dhe unë nuk jam në mesin e tyre. Në fakt, askush nga Ambasada ime nuk e di se kush janë ata individë.

Ka pasur arritje nga dialogu me Serbinë

Zëri: Do t’i kthehem dialogut me Serbinë. Kosova ka nënshkruar shumë marrëveshje dhe ende kemi probleme sa i përket serbëve në Kosovë. Po thuhet dhe po shihet si dështim i procesit. A duhet ta ndryshojmë fokusin, si duhet ta vazhdojmë këtë proces? P.sh. kemi parë qëndrimin e Beogradit në rastin e UNESCO-s, madje edhe pasi që e kanë nënshkruar marrëveshjen se nuk do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e kemi parë fushatën dhe propagandën e tyre. Pra, cili është rezultati i dialogut kaq të gjatë?

Delawie: E di se në këtë çast njerëzit janë paksa të thartuar lidhur me dialogun, por duhet ta pranoni se ka pasur arritje të njëmendta përmes tij. Në vitin 2013, qytetarët e pjesës veriore të Kosovës kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale, kurse në 2014-n morën pjesë në zgjedhjet parlamentare. Kemi integrimin e ish-MPB-së në Policinë e Kosovës, tani mblidhen detyrimet doganore në vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe si rezultat i marrëveshjeve të kësaj vere, Kosova do ta përfitojë kodin e vet telefonik, do të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, që është në proces e sipër. Pra, mendoj se ka pasur të arritura të njëmendta. A po lëviz gjithçka aq shpejt sa do të dëshironin njerëzit? Absolutisht jo. Edhe unë vetë jam i paduruar, por me historinë e këtij rajoni, nevojitet kohë që njerëzit t’i besojnë njëri-tjetrit, nevojitet kohë që disa prej këtyre çështjeve të ndërlikuara të zgjidhen, por nuk shoh ndonjë mënyrë tjetër përveç dialogut që Kosova ta përmbushë ambicien e saj për të qenë pjesë e qendrës së Evropës, anëtare e Bashkimit Evropian, e NATO-s, e Këshillit të Evropës... Sipas pikëpamjes sime, Kosova duhet të ketë aspirata që të jetë pjesë e Evropës si çdo shtet tjetër evropian, që të jetë pjesë e të njëjtës përbërje demokratike, ekonomike, politike dhe kjo është edhe aspirata jonë për Kosovën. Nuk do të ndodhë po aq shpejt sa do të dëshironim të gjithë, përfshirë edhe mua, por po ndodh, po arrijmë përparim, por nganjëherë gjërat marrin më shumë kohë sesa do të dëshironim.

Zëri: Në veri janë 40000 serbë që nuk i pranojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ka shumë shqiptarë që nuk mund të shkojnë në shtëpitë e tyre atje. Ka dallim ndërmjet asaj kur i dëgjojmë politikanët duke folur për pjesën veriore dhe kur shkojmë në terren. E kemi një gazetare, e cila flet rrjedhshëm gjuhën serbe dhe i është dashur të thotë se është gazetare serbe ose ndërkombëtare, vetëm për të shkuar atje për t’i përcjellë ngjarjet atje.

Delawie: E kuptoj këtë. Mendoj se ka përparim qysh prej vitit 2008. Komunat në veri po marrin pjesë në procesin e buxhetit kombëtar, njerëzit në veri kanë votuar në zgjedhjet nacionale, por pajtohem plotësisht se duhet të arrihet më shumë. Vizioni dhe qëllimi ynë për Kosovën është që ta forcojë demokracinë e saj shumetnike, të vazhdojë të rritet dhe kemi punuar për ta mundësuar këtë qysh prej fillimit. Është arritur përparim i madh, por absolutisht duhet të arrihet përparim edhe më i madh.

 Kosova të përmbushë tetë pikat për liberalizimin

Zëri: Kosova ende mbetet e izoluar. Qartazi edhe vendet e tjera në rajon përballen me korrupsion, Kosova nuk është e vetmja në këtë. Pra, a jemi në gjendje shumë më të keqe se vendet e tjera, të cilat ka ca vite që e kanë fituar liberalizimin? Izolimi shkakton shumë probleme?

Delawie: I kam disa reagime lidhur me këtë. Së pari, sa i përket izolimit të Kosovës mendoj se gjërat po përmirësohen. Kosova e ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në në tetor dhe kjo gjë ka kaluar paksa pa u vërejtur nga shtypi, por mendoj se është tepër me rëndësi. Është hapi i parë në procesin, dhe kam njohuri rreth kësaj sepse kam qenë në Kroaci kur Kroacia ka kaluar nëpër procesin e njëjtë, dhe është hapi i parë dhe më i rëndësishmi në rrugëtimin drejt integrimin në Bashkimin Evropian. E nëse shikojmë drejt verës së 2016-s dhe Lojërave Olimpike në Rio, sportistët kosovarë do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike. Pra, ka përparim.

Sa i përket liberalizimit të vizave, pa thënë diçka që i përket Bashkimit Evropian dhe misionit të tij këtu, unë kam vërejtur disa pika pozitive në raportin që doli para ca ditëve. Pikë së pari, aty thuhet se ky do të jetë raporti i fundit, gjë që është pozitive. Së dyti, në raport thuhet se janë tetë detyra specifike që Kosova duhet t’i përmbushë dhe po ashtu u tha që Kosova mund t’i përmbushë ato relativisht shpejt. Komisionari Avramopolous është i gatshëm të vijë në fillim të vitit për të parë statusin e atyre tetë detyrave të mbetura. Pra, mendoj se ishte raport relativisht pozitiv dhe tash Kosovës i mbetet t’i përmbushë ato tetë masa, disa prej të cilave janë mjaft të drejtpërdrejta dhe t’i zbatojë ato sa më shpejt që është e mundur dhe kjo do të ndihmojë në arritjen e përparimit drejt liberalizimit të vizave.

 Radikalizmi duhet të parandalohet

Zëri: Çështja e fundit ka të bëjë me radikalizmin. Thjesht, dera e vetme që mbetet e hapur për ne është Turqia. Zyrtarisht janë 300 kosovarë në ISIS dhe ky numër është i njëjtë prej fillimit, por Kosova ka numrin më të madh të individëve në ISIS nga shtetet e Ballkanit. Në fillim kemi menduar se ka të bëjë me gjendjen ekonomike, por tash po e shohim se ata që po i bashkohen ISIS-it jo të gjithë janë të varfër.

Delawie: Të jem i sinqertë, shumëçka që di rreth kësaj çështjeje vjen nga raportet tuaja dhe ndoshta duhet t’ju pyes juve rreth arsyeve. Mendoj se është shumë interesante që disa prej rasteve më të fundit të radikalëve janë njerëz të klasës së mesme e jo për shkak të papunësisë. Mendoj se është me rëndësi ta kuptojmë se Kosova nuk është e vetmja që ballafaqohet me këtë problem. I pamë sulmet në Paris para një muaji, kemi të radikalizuar në SHBA që udhëtojnë për në Lindjen e Mesme dhe rruga prej Amerikës është shumë më e gjatë sesa nga Kosova. Po ashtu, mendoj se deri para disa viteve nuk e kemi kuptuar përmasën e problemit dhe deri në një masë ende po përsiatemi me atë se si të merremi me këtë problem.

Kosova ka ndërmarrë disa masa të rëndësishme, p.sh. në fillim të këtij viti ka miratuar Ligjin që ndëshkon Pjesëmarrjen në Konflikte të Huaja. Në pranverë, zyrtarët kosovarë kanë marrë pjesë në Samitin Rajonal në Shqipëri, kurse në shtator kanë marrë pjesë në Samitin e presidentit Obama gjatë kohës së mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Gjithashtu, ka arrestime, p.sh. disa veta janë arrestuar afër Liqenit të Badocit. Është problem i rëndë, por mendoj se është problem me të cilin përballen të gjitha shtetet e Ballkanit, si dhe të gjitha shtetet evropiane, si dhe shumica e vendeve të botës, përfshirë edhe ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhet të merreni me të nga aspekti i zbatimit të ligjit, por pikë së pari duhet të parandalohet radikalizmi në pikënisje. Sinqerisht, nuk kam ndonjë përgjigje më të mirë rreth kësaj. Po punojmë rreth kësaj dhe është njëra nga temat për të cilën po punojmë me USAID-in dhe me sektorin e marrëdhënieve me publikun në Ambasadë, si dhe po përpiqemi t’i mbështesim ata që punojnë në çështjet kundër ekstremizmit të dhunshëm. Jemi të hapur ndaj sugjerimeve për çfarëdo mase specifike, të cilën do të mundë ta mbështesnim sepse është çështje madhore dhe është çështje me rëndësi për ne. Gjithashtu, është me rëndësi që të punojmë edhe në aspektin rajonal për t’i zbuluar rrjetet që i kalojnë kufijtë lehtësisht, por edhe për t’i mësuar përvojat pozitive dhe negative që qeveritë tjera në Ballkan i kanë pasur.