Mali i Zi, nikoqir i samitit të liderëve Ballkan Perëndimor - BE
Sot në Mal të Zi mbahet Samiti Rajonal i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Në këtë takim, që mbahet në Kotorr të Malit të Zi, pritet të marrë pjesë edhe ndihmëssekretari amerikan në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, James O’Brien.
Angazhimet e tij në samit do të fokusohen në integrimin ekonomik rajonal dhe mundësinë e rritjes të ofruar nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor të BE-së, si dhe do të përforcojnë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, thuhet në komunikatë e Departamentit të Shtetit, raporton RTKlive.
Ndryshe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të jetë folës në panelin e diskutimit "Situata aktuale dhe planet e së ardhmes - Plani i ri i rritjes”.
Në samit pritet të marrin pjesë edhe kryeministrat: i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe komisioneri evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheley.