A do të ketë dënime për ata që nuk regjistrohen, çfarë thonë nga ASK-ja?
Foto: Laura Hasani

A do të ketë dënime për ata që nuk regjistrohen, çfarë thonë nga ASK-ja?

Aktuale May 11, 2024 - 14:58

Udhëheqësja për komunikim me publikun në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Hazbije Qeriqi ka treguar se çka ndodh me qytetarët që refuzojnë të regjistrohen si dhe për ata që ende nuk janë kontaktuar nga regjistruesit në terren.

Qeriqi tha se Ligji e parasheh që ata që refuzojnë të regjistrohen në regjistrimin e popullsisë do t’i prekë dënimi deri në 2 mijë euro për individ.

“Agjencia e Statistikave të Kosovës deri më tani është munduar që kjo mënyrë e kushtëzimit të qytetarëve të hiqet dhe të binden vetë qytetarët se regjistrimi i popullsisë është në interesin e tyre dhe është në të mirën publike. Prandaj, dhe ne jemi duke bërë përpjekje që të gjithë ata pak persona që kemi pas që kanë tentuar të refuzojnë, jemi munduar që gjatë këtyre ditëve t’i bindim që të gjithë të regjistrohen dhe të mos ketë pasoja, sepse pastaj nuk është më në dorën e Agjencisë Statistikave, por kalon kompetenca në organet e tjera institucionale”, u shpreh ajo.

Ajo tregoi se ku duhet të drejtohen qytetarët të cilët ende nuk janë kontaktuar nga regjistruesit në terren.

“Në qoftë se një ekonomi familjare nuk është kontaktuar ende nga ndonjë regjistrues për arsye të ndryshme, atëherë, numrat e telefonit janë të vendosur në ueb-faqen e Agjencisë së Statistikave, është numri fiks i zyrës sime dhe janë dy numra telefonit mobil që ata mund t’i kontaktojnë”, ka thënë ndër të tjera Qeriqi.

Ndryshe, ASK-ja u ka sugjeruar komunave që numrin kontaktues ta bëjnë publik për qytetarë.

Në rast se nuk merr ndonjë përgjigje nga komuna (pas disa tentimeve) qytetarët mund të kontaktojnë Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) në: Email: [email protected]

Tel: (+383) 038 200 31 129

Tel: (+383) 046 500 156 (REKOS2024)

Tel: (+383) 046 500 151  (REKOS2024)

ASK-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të regjistrohen deri më 17 maj 2024. /telegrafi