Bajrami Gërvallës: Të thuash ka rritje të GDP-së për 50% është sikur të pretendosh që jemi njohur nga pesë shtetet e BE-së
Foto: Laura Hasani

Bajrami Gërvallës: Të thuash ka rritje të GDP-së për 50% është sikur të pretendosh që jemi njohur nga pesë shtetet e BE-së

Aktuale May 09, 2024 - 20:28

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka reaguar Donika Gërvallës, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), pasi kjo e fundit ka pretenduar se në Kosovë ka “lulëzim ekonomik”.

Bajrami i ka thënë asaj se pretendimet për këtë zhvillim ekonomik janë sikur të thoshte se “Kosova është njohur nga pesë vendet e Bashkimit Evropian”.

“S’mbulohën dështimet në politikën e jashtme me të pavërteta për ekonominë e Kosovës Asnjë njohje prej se kanë ardhur në pushtet. Asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ndërkohë, kryediplomatja del e flet të pavërteta për “lulëzimin ekonomik” të Kosovës. Kryediplomatja me zero suksese gjatë gjithë mandatit paska thënë që ” kemi rritje të GDP-së për 50%, kjo i bien sikur me pas thanë ”në tri vitet e fundit kemi siguru njohjet nga 5 vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën”, ka shkruar Bajrami.

Më pas Bajrami ka thënë se për 3 vjet janë nënshkruar 890 kontrata njëburimore. Janë rritur çmimet për 50%, ka vetëm punësime partiake, ka deficit tregtar në 5 miliardë, ikje masive të qytetareve – e ka shtuar se Martin Berishaj vazhdon të mbetet në pozitën e ambasadorit në Kroaci përkundër skandalit të raportuar.

Bajrami ka postuar edhe një grafikë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ku pasqyron rënien ekonomike.

“E kur jemi të rritja ekonomike po ta ilustroj me një grafikon të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, agjenci kjo që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar ajo.