Kurti homazhe te varret e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt: Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin të Ilirit

Kurti homazhe te varret e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt: Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin të Ilirit

Aktuale May 09, 2024 - 10:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me një pjesë të kabinetit të tij, kanë bërë homazhe me rastin e 26-vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilir Konushevci dhe dëshmorit dr. Hazir Malaj.

Nga aty kryeministri Kurti foli për kontributin e komandantit Ilir Konushevci e Hazir Malaj.

Ai tha se armët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e komandant “Mërgimit”, nofkë kjo e bartur gjatë luftës.

Kurti tha se barra për Konushevcin ishte e dyfishtë, pasi ishte i ngarkuar për të sjellë armatim nga Shqipëria në Kosovë.

“Në vitet ’90 është dashur të bëhet shumë punë vetëmohuese për luftë çlirimtare të suksesshme. Ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, për organizim, për rekrutim dhe që të gjitha këto bëheshin nga disa njerëz fortë të veçantë të cilët e mundësuan luftën çlirimtare dhe lirinë e Kosovës. Në mesin e tyre ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci ‘Mërgimi’, i cili kishte një barrë të dyfishtë: Në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997, ndërkaq në anën tjetër duhej sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sillte armatim nga Shqipëria në Kosovë”, tha Kurti.

“Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm, sepse është i pamatshëm. Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës, e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë sonë si popull”, u shpreh Kurti.

Image

 

Këshilltari ushtarak i presidentes Vjosa Osmani, gjeneral Sefer Isufi, tha se personaliteti e heroit Konushevci bartet me krenari nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Në nderim të njërit prej themeluesve të UCK, njëherësh të lokomotivës së logjistikës së UÇK-së, heroit të kombit Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij. Vlerat e ushtarakut që bartte personaliteti i jashtëzakonshëm i heroit Ilir Konushevci janë vlera të cilat i bartin me krenari të gjithë ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë udhërrëfyes se si sakrifikohet dhe flijohet për çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe mirëqenien e kombit. Andaj në emër të presidentes Osmani edhe një herë lutemi që nderimi, përkujtimi dhe krenaria për heroin Ilir Konushevci të jetojë për jetë”, u shpreh ai. /eo