Hoti: Kjo qeveri i ka bërë dëm të madh dhe afatgjatë integrimit euroatlantik të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Hoti: Kjo qeveri i ka bërë dëm të madh dhe afatgjatë integrimit euroatlantik të Kosovës

Aktuale May 08, 2024 - 14:55

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria “Kurti” i ka bërë dëm të madh e afatgjatë integrimit të Kosovës.

Kjo deklaratë e Hotit vjen pasi kryeministri Albin Kurti pranoi që Asociacioni është kusht për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

Ai ka renditur disa veprime të Kurtit që kanë çuar në vendosjen e këtij kushti.

“Kjo qeveri i ka bërë dëm të madh dhe afatgjatë integrimit euroatlantik të Kosovës, duke na kurthuar në një marrëveshje që nuk parasheh njohjen, që e liron Serbinë nga ky obligim në progresin e saj drejt BE-së”, shkroi ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:

Qeveria aktuale në fillim të mandatit e braktisi dialogun për njohje reciproke, të nisur në qeverinë paraprake me mbështetje të aleatëve.

Vendosi kushte për dialog, të cilat nuk u morën parasysh as nga ndërmjetësi i BE-së, e as nga aleatët.

- E nisi dialogun pa kushte.

- E pranoi marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, e cila në qendër nuk e ka njohje reciproke, por i ka garancitë për vetëmenaxhim për komunitetin serb dhe kishën ortodokse serbe.

- Në nëntor 2023, e pranoi nga BE-ja draft-statutin e asociacionit, të cilin nuk e refuzoi.

- Tani çuditet pse dërgimi i atij drafti në Gjykatën Kushtetuese po i vendoset si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kjo qeveri i ka bërë dëm të madh dhe afatgjatë integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke na kurthuar në një marrëveshje që nuk parasheh njohjen, që e liron Serbinë nga ky obligim në progresin e saj drejt BE-së. /Zëri