Projektligji për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror miratohet nga Qeveria
Foto: Laura Hasani

Projektligji për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror miratohet nga Qeveria

Aktuale May 08, 2024 - 14:29

Qeveria e Kosovës sot miratoi Projektligjin për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror, përgjegjësi e së cilës është ofrimi i shërbimeve të kontrollit të navigacionit ajror për çdo fluturim që qarkullon në territorin e Republikës së Kosovës.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëri të ditur se ky projektligj është hartuar në bazë të rregullave të përcaktuara me Rregulloren e Qeverisë së Kosovës.

“Janë marrë për bazë të gjitha Direktivat e BE-së, që ndërlidhen me shërbimet e navigacionit ajror të transpozuara përmes akteve nënligjore nga Autoriteti i Aviacionit Civil, siç edhe e obligon Marrëveshja shumëpalëshe për Themelimin e Hapësirës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit”, shkroi ai.

Aliu tutje tha se ky projektligj ka për qëllim sigurimin e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës, për të cilën ka përgjegjësinë e ofrimit të shërbimeve të kontrollit të navigimit ajror për çdo fluturim që qarkullon në territorin e Republikës së Kosovës. Hartimi i këtij projektligji me propozimet për zbatim më të lehtë të tij, rezulton në plotësimin e prioriteteve të Qeverisë për sundimin e ligjit.