27-vjetori i rënies së Luanit, Ramush Haradinaj: Aleanca me Amerikën na ndihmoi ta fitojmë luftën

27-vjetori i rënies së Luanit, Ramush Haradinaj: Aleanca me Amerikën na ndihmoi ta fitojmë luftën

Aktuale May 06, 2024 - 12:24

Në 27-vjetorin e rënies së heroit të kombit, Luan Haradinaj, janë mbajtur homazhe në kompleksin memorial në Gllogjan.

Të pranishëm ishin ish-komandantë të UÇK-së, ushtarakë amerikanë e qytetarë të kësaj ane.

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se falë ndihmës dhe aleancës me Amerikën Kosova e ka fituar luftën.

“Ka ndodhur një mrekulli e madhe që është aleanca me Amerikën. Kjo aleancë me Amerikën, na ndihmoi ta fitojmë këtë luftë, na ndihmoi të bëhemi të pavarur dhe të bëjmë ushtrinë”, u shpreh ndër të tjera Haradinaj.

Ai përmendi edhe ditëlindjen e nënës së tij, për të cilën tha se e festoi dje, pasi në ditën e saj të lindjes ra Luan Haradinaj.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se periudha e luftës në këtë zonë ishte e vështirë, por që ideali për liri i motivonte.

Ai foli për periudhën e mobilizimit të ushtrisë e deri te çlirimi i Kosovës. Për këtë të fundit, tha se u arrit falë ndihmës së aleatëve.

“Ishte periudha që organizoheshin grupe e demonstrata, ishte periudha që gjithnjë idealet e tyre po depërtonin në popull. U pushtuan rrugës e Kosovës, idealet nuk vdesin. Kjo ishte përudha e mobilizimit e pajtimit deri në pajtim të gjaqeve sepse gjaqet falen në prag të luftës. Lufta morri shumë të rinj, u bë gjenocid, që s’ka faqe e letër që mund t’i përfshij. U çlirua Kosova bashkë me aleatët, mirënjohës Amerikës, NATO-s por ama e larë me gjak truallin tonë. U shpall Pavarësia, tani Kosovës i duhen miq, akoma ky proces është i pa mbaruar. Kosovës i duhet mbështetje ndërkombëtare, Kosova ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së, BE-së e NATO-s”, tha Ahmeti.

Ai pati edhe një porosi “që të ruhen miqtë e aleatët”.

“Kosova është në proces duhet të pranohet në mekanizmat ndërkombëtar. Kosova ka nevojë për miq në rajon e sidomos për fqinjë, sepse të gjithë miqtë i ka të pranuar në mekanizmat ndërkombëtarë… përpiquni për të ardhmen e ndërtojmë ne vetë por e ardhmja e sigurt është vetëm me miq, bashkëpunëtorë e aleatë, që përfundimisht Kosova të jetë e pranuar në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Kjo është një datë e veçantë edhe për heroin kombëtar që na ka mbajt gjallë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha ai.