Kurti bën homazhe në Drenicë: Gjaku i martirëve dritë e lirisë, rrënjë e Republikës sonë

Kurti bën homazhe në Drenicë: Gjaku i martirëve dritë e lirisë, rrënjë e Republikës sonë

Aktuale April 30, 2024 - 13:13

Kryeministri Albin Kurti filloi ditën duke bërë homazhe në Gllobar, Verboc dhe Shtuticë, në përkujtim të shqiptarëve të vrarë nga këto fshatra dhe zonat përreth nga forcat policore e ushtarake të Serbisë, më 30 prill 1999.

“Para 25 vjetëve janë vrarë 276 shqiptarë, që dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre stërgjyshore dhe gjaku i tyre është sot dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë, për çfarë ne u përkulemi përjetësisht dhe shprehim mirënjohjen tonë për këto familje të dëshmorëve që po qëndrojnë gjithnjë të fortë”, tha kryeministri Kurti.

Pas homazheve në Gllobar, ku nderoi nëntë të vrarët e atij fshati dhe nderimeve për 60 të vrarët në Verboc, kryeministri vendosi buqetë me lule edhe në fshatin Shtuticë. Aty, kryeministri Kurti nderoi 76 shqiptarët e vrarë gjatë luftës, ndër ta 32 të vrarë në masakrën e vitit 1999. Në mesin e tyre dy janë ende të pagjetur.

Duke vlerësuar flijimet kaq të mëdha të popullit në fshatrat Shtuticë, Gllobar, Verboc, Baks, e në mbarë Kosovën, ai tha se Kosova jonë demokratike me progres të gjithanshëm që po e forcon sundimin e ligjit, sovranitetin, integritetin territorial, por gjithashtu edhe drejtësinë dhe ekonominë, është dëshmia që ia ka vlejtur sakrifica edhe për çlirim, edhe për përparim. /Klankosova