Gërvalla kujton masakrën e familjes Deliu në Abri të Drenasit, takohet me fëmijët që i mbijetuan këtij tmerri

Gërvalla kujton masakrën e familjes Deliu në Abri të Drenasit, takohet me fëmijët që i mbijetuan këtij tmerri

Aktuale April 25, 2024 - 14:19

Të mërkurën janë bërë 25 vjet që kur forcat serbe kryen masakrën ndaj familjes Deliu në Abri të Drenasit.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kujtuar sot këtë ditë, duke përkujtuar edhe viktimën e 23-të të kësaj familjeje, që ishte Diturije Deliu vetëm gjashtëjavëshe, kur nën trupin e nënës së vrarë i ka mbijetuar masakrës që forcat serbe bënë më 26 shtator 1998, transmeton Zeri.info.

“Ajo nuk arriti të mbijetojë dhe u bë viktima e 23-të e kësaj familjeje që mizorisht u ekzekutuan nga paramilitarët serbë, vetëm pse ishin shqiptarë”, shkroi ajo në Facebook.

Ndërkaq Gërvalla ka shtuar edhe për momentet kur katër fëmijët e mbijetuar kanë parë këtë masakër.

Gërvalla ka treguar tutje se kryefamiljari Imer Deliu kishte vendosur të mos i varroste familjarët e tij pa prezencën e gazetarëve dhe misioneve ndërkombëtare, ku atë ditë u fotografua çdo viktimë e kësaj masakre.

“Reporterët Julius Strauss dhe Vaughan Smith publikuan imazhet dhe faktet tronditëse në lajmet e BBC-së dhe mediat tjera ndërkombëtare për masakrën, ndërsa shishja e Valmirit 2 vjeç, arriti në Senatin Amerikan”, shtoi Gërvalla.

25 vjet pas kësaj masakre, gazetari Julius Strauss u kthye në Kosovë, për të takuar familjarët e mbijetuar.

“25 vjet pas masakrës, gazetari Julius Strauss u kthye në Kosovë, për të takuar përsëri fëmijët e mbijetuar të masakrës dhe Bacën Imer dhe bashkë me ta, me bashkëpunëtorët e tjerë si Leman Kamberi realizoi dokumentarin ‘Kthimi në Kosovë, të cilin mbrëmë e pamë si premierë”, tha ajo.

Ajo përfundoi duke u shprehur se edhe pas 25 vitesh ende nuk janë gjykuar e as dënuar ata që kanë bërë këto krime, si edhe u shpreh se nuk do të ndalen derisa të ketë drejtësi për mijëra civilë të vrarë e masakruar nga forcat serbe. /Zëri