Ministri Murati para Komisionit për Buxhet tregoi se ku do të shpenzohen 20 milionë euro të BERZH-it
Foto:Laura Hasani

Ministri Murati para Komisionit për Buxhet tregoi se ku do të shpenzohen 20 milionë euro të BERZH-it

Aktuale April 24, 2024 - 15:10

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrtoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj. Gjithashtu shqyrton Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2025-2027.

Për pikën e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ky projekt ka një vlerë prej 20 milionë eurove dhe qëllimi i projektit është financimi i një impianti të ri të ujërave të zeza në Ferizaj, zgjerimi i rrjetit të kanalizimit dhe financimi i asistencës teknike përkatëse.

“Projekti përfshin financimin e ndërtimit të një impianti të ujërave të zeza. Financues kryesorë është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, gjithashtu e mbështetur edhe me grant në korniza të Ballkanit Perëndimor për investime. Marrëveshja e kredisë në Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim ka vlerën mbi 20 milionë euro. Në kuadër të këtij projekti kemi kërkuar aplikacion për grant investim dhe rundin e fundit të kornizës së investimit të Ballkanit Perëndimor në vlerë prej 10 milionë euro që do të mbulojë pjesën e shpenzimeve radikale të projektit. Qëllimi projektit është financimi i një implianti të ri të ujërave të zeza në Ferizaj, zgjerimi e rrjetit të kanalizimit dhe financimi i asistencës teknike përkatëse që do t’ i ofrohet kompanisë. Gjithashtu do të mundojë shmangien nga dëmtimi i ekosistemeve lokale, shkarkimin e ujërave të zeza të patrajtuar. Projekti pritet të përfundoj deri më 31 dhjetor të vitit 2027. Qëllimi i projektit është financimi i ndërtimit të impiantit kohëzgjatja shuma është 20 milionë siç e thashë është 12 vite ku 3 janë grejs periudhë. Norma interesit është 1%”, tha Murati.

Po ashtu ai prezantoi projektin e marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) ku si objektiv kryesor i këtij projektit është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja numrit të njësive të banimit social.

“Kjo marrëveshje është nënshkruar në janar të këtij vitit mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin për banim social adekuat. Objektivi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja numrit të njësive të banimit social në vend. Në këtë rast marrëveshja përfshin disa komponentë kyçë për arritjen e qëllimit të projektit. Në kuadër të saj përfshihet ngritja e numrit të njësive të banimit social që mund të bëhet duke reduktuar banesa sociale ekzistuese, shndërrimi ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale, ndërtimi i banesave të reja të banimit social, etj. Nga kjo komponentë mund të përfitojnë familje të cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Marrëveshja varësisht nga nevojat e projektit lejon një pjesë të mjeteve të përdoren për asistuar Komunat, ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për zhvillimin e sistemit të implementimit të nënprojektit. Marrëveshja në fjalë ka vlerë totale prej 25 milionë eurove. Do t’i mundësojë Qeverisë së Republikës së Kosovës që të zhvillojë sistemin e pranimit social në vend, do të rrisë numrin e popullatës në banimin social dhe përmirëson kushtet e jetesës për familjet me të ardhura të vogla. Shuma është 25 milionë euro”, tha Murati.

Diskutimin e hapi deputeti i LVV-së Visar Korenica, i cili i parashtroi pyetje ministrit Murati, duke kërkuar të dijë nga ai se sa njësi banimi do të jenë dhe sa do të jetë kohëzgjatja e implementimit.

“Sa njësi banimi do të jenë dhe sa do të jetë kohëzgjatja e implementimit”, tha Korenica.

Ministri Murati tha se kohëzgjatja është rreth 7 vjet deri më 31 dhjetor 2031.

“Është më tepër një koncept dinamik në bashkëpunim me komunat dhe në bashkëpunim me komunat kanë filluar të identifikohen parcelat ku do të ketë ndërtime dhe pastaj mbetet të shihet sipas dinamikës në qoftë se ka nevojë të ketë ndërtim nga zero apo ndërtesë të re. Sa i përket shifrës së saktë mbizotërojnë edhe kushtet e tregut sa i përket kostos së ndërtimit dhe përpjesëtimi me vlerën e kredisë. Projekti si tërësi parashihet të jetë 45 milionë euro ku 25 janë nga Banka Zhvillimore e Këshillës të Evropës, 11 milionë euro si kontribut financiar i vet shtetit dhe 7 milion euro tjera parashihen si kontribut në natyrë. Në këtë rast tokat për ndërtim dhe 12 milionë tjera grant për asistencë teknike që do ti duhet komunave në tërësi 45 milionë euro, kohëzgjatja është deri më 31 dhjetor 2031, pra është 7 vjet”, ka thënë Murati.

Anëtari i Komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Avdullah Hoti, ka kritikuar punën e ministrit dhe gjithë qeverisë duke i thënë se po e mashtroni i opinionit publik duke i premtuar për katër vjet që do ta realizojmë këtë premtim dhe kur përfundon mandati, hajt po e marr një kredi.

“Ti ju thu njerëzve që ke me ju ofru banesë sociale. Të shkoi mandati, e në fund të mandatit e mbërrin një marrëveshje dhe ju thu që në 5 vitet e ardhshme është mundësu që me ndërtu banesë të përballushme. Me kushtin që komunat kanë me kontribu me 7 milionë, besoj që kjo është korrektësi para e qytetarëve. I keni pas bashkë me nja katër premtime tjera, keni pas premtimin kryesor premtimin e banesave sociale për arsimtarë, familje e shumë njerëz që kanë nevojë, sot na prezantohet një kërkesë për banim social. Kjo qeveri s’ka vuajtur për mungesë fondesh për me bo investime çka do qoftë. As nuk keni ide si ka me u zbatu si praktikë, si ka me u përzgjedh, menyra si kanë me u implementu fare nuk e keni idenë. Mendoj që është diçka jo serioze. Duhet me pranu publikisht me dal publikisht nuk është turp është njerëzore e kemi pas këtë premtim nuk kemi arrit me realizu, tash po shohim një farë forme tjetër, mundemi me bo diçka. Qysh me të besu që ju shkon mandati komplet as ndihma sociale, pensione nuk i indeksoni. Me të besu që po ndërton shtpija për raste sociale. A ki bisedu me komuna për kontribut nëse ato duan me i shti në obligim. Me ofrimin e tokës 7 milion i ke vlerësu ku e din sa kushton toka në Prishtinë dhe mungesa e analizës e dokumentacionet, me pa thjesht po na bjen në ituata të tilla të konfirmimit, nuk është serioze. Është mashtrim i opinionit publik me i thanë katër vjet ka me bo këtë punë e kur përfundon mandati, hajt pe marr ni kredi”, ka thënë Hoti.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kërkuar të dijë detaje të tjera të këtij plani të Qeverisë se a kanë ndonjë marrëveshje paraprake me ndonjë komunë.

“Sa i përket kësaj marrëveshjeje, duhet ta kemi të qartë dhe të informomi me disa sugjerime apo atë që e thatë, për shembull ju thatë që komunat do të paguajnë 7 milionë a keni marrëveshje paraprake me ndonjë komunë. Ju thatë që komunat do të ofrojnë prona a keni marrëveshje dhe kërkesa nga komunat që janë të interesuar për banim social sepse ka komunat që nuk kanë prona dhe nuk kanë ndërtesa publike të veta, ka bukur kosto. Tani të vihet një marrëveshje e tillë pa pas një marrëveshje paraprake pa e dit sa është kërkesa për sa banorë, mendoj duhet të kemi një informacion të saktë në këtë drejtim në qofsë se keni marrëveshje paraprakisht në qoftë se e dini sa është kërkesa në qoftë se e dini sa komuna ofrojnë prona na thuani”, ka thënë Lekaj.

Ministri Murati ka thënë se sot kanë sjellë për miratim marrëveshjen financiare, por jo edhe detajet teknike të projektit.

“Sa i përket kontributit të komunave, është kontribut në natyrë, nuk është kontribut financiar. Ka të bëjë me specifikat rast pas rasti që do të bëhen mes marrëveshjeve të veçanta me komunat dhe ku besoj që do të trajtohen të gjitha çështjet që kemi ngritur. Çka po diskutohet këtu dhe çka kemi sjellë për miratim sot është marrëveshja financiare, është vetëm pjesa e financimit të projektit por jo edhe detajet teknike të projektit”, ka thënë Murati.

Lekaj i është kundërpërgjigjur Muratit, duke i kërkuar edhe një herë të dijë se cila komunë është interesuar për banim social.

“Por paraprakisht për një marrëveshje të tillë që duhet me ditë na sa ka kërkesa nga komunat. Cila komunë dhe kush përfiton a keni marrëveshje paraprake. A mund të na cekni cila komunë është interesuar për banim social, a keni kërkesë zyrtar prej komunave dhe sa ndërtesa ka kërkuar dhe çka ka ofruar. Nëse i keni tamon kërkesa zyrtare na thuani dhe jemi okej. Por ne të hyjmë pa një marrëveshje paraprake dhe pa kërkesa specifike të ndonjë komune apo disa komunave mendoj që është e pakuptimtë”, ka thënë Lekaj.

Ministri Murati i është përgjigjur deputetit Lekaj, duke i garantuar se kërkesat ekzistojnë dhe se ka pasur diskutime mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave përkatëse.

“Kërkesat ekzistojnë, ka pas diskutime mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave përkatëse. Nuk mund të them dhe mund të gaboj se cilat kanë qenë, mirëpo ka pas diskutime pas shprehjes së interesit. Megjithatë formalizimi përmes marrëveshjeve siç po kërkoni ju mund të bëhet tek kur të hynë në fuqi marrëveshja financimit sepse tek atëherë mund të kemi një bazë mbi të cilën mund të ndërtohet marrëveshja për financim dhe bashkëpunim të këtyre ndertesave”, ka thënë Murati.

Ndërsa deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku

“Kjo qeveri ka premtu shumë, që në praktikë ka dështu sidomos në pjesën përmbajtësore. Gjithsesi para se me shku te ndonjë organizatë me kerku kredi besoj kemi buxhetin e Kosovës si shembull për me implementu. Çka e bënë qeverinë e Kosovës të marrim një buxhet nga një organizatë ndërkombëtare. Pse me marrë një buxhet kur ka buxhet aktual. E dyta, cilat komuna do të përfshihen në pjesën e banimit social, cilat komunat kanë nevojë më shumë për banime sociale. Në këtë aspekt te tokat kogja është vështirë me pas një vlerësim adekuat. Prishtina ka një çmim tjetër, ndërsa komunat kanë një çmim tjetër”, ka thënë Lushtaku.

Ministri Murati ka treguar se përse, sipas tij, ka qenë e nevojshme të merret kredi.

“Pse ka qenë e nevojshme të merret kredi. Ndoshta ka mundur të bëhet edhe me mjete buxhetore. Për neve është tepër e rëndësishme dhe e nevojshme të bëjmë prioritizimin brenda buxhetit dhe të shohim cila është mënyra më e mirë për me siguru fonde me financim më të lirë apo koncesionar nga financimet e jashtme. Çka kemi bërë ne, nevojat që kemi për të cilat ndoshta nuk mund të siguronim financim koncesionar, i kemi financu me buxhet. Ndërsa në pjesën tjetër, meqenëse ka gatishmëri të institucioneve financiare kemi kërku si rastin specifik banim social nga Banka Zhvillimore Këshillit të Evropës ku janë edhe kushtet koncesionare dhe grejs-periudha është e gjatë. Kemi bërë një balancim të buxhetit edhe përmbushjen e të gjitha nevojave së paku me aq punës sa kemi si Republikë e Kosovës. Është një diskutim që bëhet mes ministrit të infrastrukturës dhe komunave përkatëse. Di që ka pas komunikime, ndoshta mund të ndahen këto informacione, gjatë seancës mund ta ftojmë ministrin dhe të përgjigjet për pyetjet por ka pas diskutime të tilla dhe ka komuna që janë në pritje të këtij projekti”, ka thënë Murati.

Ndërsa deputeti Visar Korenica propozoi të thirren dy ministrat, në mënyrë që, sipas tij, të diskutohen këto çështje.

Pika e tretë nuk u miratua si shkak i mosformimit të kuorumit dhe pika 4 është shtyrë për javën tjetër, ku pritet të ftohet edhe ministri i Infrastrukturës.

Shtyhet edhe shqyrtimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2025-2027, për arsye të mungesës së kuorumit. /EO