RRGK-ja kritikon Gjykatën Themelore për dënim të ulët për rastin e 11-vjeçares

RRGK-ja kritikon Gjykatën Themelore për dënim të ulët për rastin e 11-vjeçares

Aktuale April 24, 2024 - 10:38

Rrjeti i Grave të Kosovës e ka vlerësuar të ulët dënimin e dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë të akuzuarve për dhunimin e viktimës 11-vjeçare.

“Vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit sipas Kodit Penal të Kosovës, Neni 227, paragrafi 7, është e dënueshme me burgim së paku 10 vjet. Në këtë rast, gjykata ka shqiptuar minimumin e dënimit, gjë që e vlerësojmë si skandaloze dhe të papranueshme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një rast i tillë”, thuhet në reagimin e RRGK-së.

Tutje ata kanë thënë se është thelbësore që gjykatat të kuptojnë peshën dhe ndikimin e këtyre rasteve në shoqëri dhe “të ndërmerren veprime me seriozitet dhe dinjitet në trajtimin e tyre”.

“Dënimet minimale që shqiptohen për këto vepra shkaktojnë shqetësim për gratë dhe vajzat në Kosovë pasi ato duket të jenë në favor të autorëve të krimit dhe jo në mbrojtje të viktimave. Kjo situatë i dekurajon viktimat e dhunës për të raportuar rastet e tyre dhe e bën më të vështirë për ta gjetur besimin në sistemin e drejtësisë”, reagon RRGK-ja.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 62 vjet burgim 6 të akuzuarit e përfshirë në rastin e dhunimit të viktimës 11-vjeçare. Njëri nga të akuzuarit është dënuar me 12 vjet burgim, ndërkaq tre pesë të akuzuarit e tjerë janë dënuar me nga 10 vjet burg. Vendimi është marrë nga Departamenti për të Mitur.