Lajçaku për dinarin: U zvogëluan dallimet, presim propozime konkrete në takimin e ardhshëm
Foto: Laura Hasani

Lajçaku për dinarin: U zvogëluan dallimet, presim propozime konkrete në takimin e ardhshëm

Aktuale April 23, 2024 - 16:06

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka shkruar lidhur me çështjen e dinarit.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Lajçaku përmblodhi angazhimin e tij javor.

Ai bëri të ditur se në takimin në Bruskel diskutuan për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e dinarit, dhe sipas tij kanë arritur t’i zvogëlojnë dallimet.

“U ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një rrugë në lidhje me të ashtuquajturën “çështje dinar”. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta kalojmë pengesën e madhe. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, shkroi Lajçaku.

Lajçaku shtoi së në takimin e radhës në Bruksel pret që bisedimet të bazohen në ide konkrete.