Ndryshimet klimatike, afër 80% e komunave përballen me mungesë të ujitjes

Ndryshimet klimatike, afër 80% e komunave përballen me mungesë të ujitjes

Aktuale April 23, 2024 - 12:20

Për shkak të ndryshimeve klimatike që nga viti 2004, afër 80 për qind e komunave në Kosovë po përballen me mungesë të ujitjes si shkak i ndryshimeve klimatike. Kështu u tha se lansimin e kampanjës “Ndrysho për Klimën”, organizuar nga USAID-i dhe programit për grante, që ka për qëllim të forcimit të përpjekjeve për përshtatje dhe veprim ndaj ndikimeve që po sjellin ndryshimet klimatike.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Kosova ndër sfidat kryesore që ka është përmbytjet dhe thatësirat. Sipas tij, si shkak i thatësirave në Kosovë, ujiten vetëm 7 mijë hektarë tokë.

“Këto fatkeqësi natyrore kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kosova ka përjetuar thatësira të shumta në dekadat e fundit. Që nga viti 2004 afërsisht 80 për qind e komunave të Kosovës janë përballur mungesë të ujitjes për shkak të thatësirave. Sipas masterplanit të Kosovës për ujitje, aktualisht ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë”, ka thënë Aliu.

Alex Albertine, ushtrues detyre i zëvendës drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, ka theksuar se ndryshimet klimatike kanë ndikim në të gjithë kontinentin e po ashtu edhe në Kosovë.

“Ky regjion është i cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike jo vetëm për të ndikuar në mjedis, por edhe në shëndet e ekonomi. Së bashku mund të bëjmë një Kosovë më të qëndrueshme”, ka deklaruar ai.

Petrit Gashi, nga “USAID Kosovo Adapt Activity”, ka thënë se këto ndryshime klimatike kanë ndikim të madh edhe në ekonomi. Ai ka theksuar se sipas raportit të Bankës Botërore, 4. 2 për qind do të jetë rënia vjetore e GDP-së së Kosovës deri në vitin 2050 nëse nuk ndërmerren veprime klimatike. /Rtk