Deliu-Kodra: Raportet për Kosovën vazhdojnë të përkeqësohen për shkak të korrupsionit
Foto: Laura Hasani

Deliu-Kodra: Raportet për Kosovën vazhdojnë të përkeqësohen për shkak të korrupsionit

Aktuale April 23, 2024 - 10:22

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se raportet ndërkombëtare për Kosovën po përkeqësohen për shkak të dështimit të Qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe në mënyrën e trajtimit të mediave.

Ajo, përmes një postimi në rrjetin e saj social në Facebook, është shprehur se gjendja në vend tregohet më së miri me Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, i cili sipas saj shpërfaq më së miri paaftësinë e kësaj Qeverie për të ndërtuar institucione të pakorruptuara dhe kredibile.

“Se në çfarë gjendje e ka sjellë vendin qeveria ‘Kurti’ flet më së miri Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, i cili shpërfaq më së miri paaftësinë e kësaj Qeverie për të ndërtuar institucione të pakorruptuara dhe kredibile”, ka shkruar Deliu.

“Raporti flet për korrupsion serioz qeveritar dhe mosndëshkim të zyrtarëve qeveritarë, probleme me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, dhunë të gjerë me baza gjinore, përfshirë dhunë në familje, krimet të dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera”.

“Raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen në një qeveri, në të cilën politikanët tentojnë të frikësojnë mediat”, përfundoi ajo. /Zëri