KQZ-ja gati për ‘referendumin’ e nesërm, në katër komunat veriore janë 46.556 votues

KQZ-ja gati për ‘referendumin’ e nesërm, në katër komunat veriore janë 46.556 votues

Aktuale April 20, 2024 - 15:43

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot ka folur për procesin e votimit nesër ku do të votohet për largimin ose jo të katër kryetarëve në komunat veriore.

KQZ-ja bëri të ditur se në katër komunat veriore, në listën votuese janë 46 mijë e 556 njerëz, apo 1 mijë e 461 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023.

Më 3 prill, KQZ-ja ka miratuar qendrat e votimi, ku kanë qenë 43 sosh, por pas raportimeve të Sekretariatit të KQZ-së, u bë e ditur se nga 43 qendra, 33 prej tyre, që janë shkolla, drejtorët e tyre kanë refuzuar dhënien e tyre në përdorim për procesin e votimit.

Ndërsa, Sekretari i KQZ-së, Burim Ahmetaj, bëri të ditur se pas refuzimit të drejtorëve të shkollave, numri total i qendrave të votimit është 23, ndërsa janë 63 vendvotime dhe katër qendra të votimit me kusht.

Ahmetaj bëri të ditur po ashtu se tashmë ka nisur edhe procesi i transportimit të materialit zgjedhor në qendrat e votimit ku pritet të fillojë nesër në ora 07:00.