Ugljanin: Dalja e qytetarëve në votim më 21 prill do të jetë e ulët
Foto: Laura Hasani

Ugljanin: Dalja e qytetarëve në votim më 21 prill do të jetë e ulët

Aktuale April 19, 2024 - 23:32

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, thotë se dalja e qytetarëve për të votuar në referendumin e 21 prillit në veri do të jetë e ulët.

Ugljanin, thotë se qytetarët serbë do të vazhdojnë t’i përdorim ende krizat politike, të cilat i konvenojnë Listës Serbe dhe shtetit të Serbisë.

“Dalje do të jetë në një nivel shumë të ulët, sigurisht pasi për atë edhe përmenda që janë të habitur. Sepse, nuk është kjo vetëm më 21 prill, jam habitur edhe me procesin e regjistrimit të popullsisë, me pagesën e rrymës. Unë vazhdimisht kam thënë se do të përdoren krizat politike, të cilat do t’i konvenojnë në terren sidomos Listës Serbe dhe shtetit serb”, tha ai në Tëvë1.

Tutje, ai tha se procesi i destabilizimit do të vazhdojë edhe pas datës 21 prill.

“Do të vazhdojë procesi i destabilizimit të situatës edhe pas 21 prillit, ku në fakt ata kur i kanë lëshuar institucionet ata nuk kanë qenë as të interesuar për me u kthye në institucione të Kosovës, sepse nuk është vetëm institucioni komunal, por është edhe ai gjyqësor, prokuroria, policor dhe institucioneve tjera, ku ata i kanë lëshuar vendet e punës. Është gabim kardinal që e kanë bërë përmes institucioneve nga Serbia. Ata po dëshirojnë me mbajt krizën politike në terren”, shtoi ai.

Të dielën e 21 prillit, banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, do të vendosin pro apo kundër largimit të kryetarëve të këtyre komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri, të cilat u mblodhën nga mesi i muajit janar.