Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Aktuale April 17, 2024 - 22:18

Për ndalimin e qytetarëve kosovarë në kufijtë e Serbisë me Hungarinë dhe Kroacinë, pronari i kompanisë së autobusëve “Zhitia Turist”, Gazmend Zhitia, ka thënë se prej 261 udhëtarëve kanë qenë 23 të intervistuar, me arsyetimin se kanë qenë pjesëmarrës në luftën e fundit në Kosovë.

Sipas tij, gjashtë autobusë të kompanisë janë ndalur dhe udhëtarët kanë qëndruar në kufi për orë të tëra duke u thënë se po bëhet një kontroll për verifikimin e tyre.

“Unë kam mbërri në kufi në ora 12 të ditës. Autobusët të kompanisë sonë janë ndalur nga ora 01:00 deri në orën 01:15. E kam fjalën disa të tjerë janë ndalur më herët kanë mbërritur aty që i kanë ndalur. I kanë ndalur aty gjoja se janë duke bërë një kontroll për verifikimin, këtë jozyrtarisht ma kanë thënë zyrtarët e policisë aty”, ka thënë Zhitia.

Zhitia ka theksuar se ndër të intervistuarit nga policia serbe ishin edhe një djalë i lindur në vitin 2006, i cili nuk kishte asnjë lidhje me luftën, duke e cilësuar këtë si një lojë të ulët nga autoritetet serbe.

“Udhëtarët kanë mbërritur që nga ora 01:15 të natës deri në ora 15:00 të ditës së sotme. Kanë qenë gjashtë autobusë, tre kanë qenë në hyrje të Serbisë, tre kanë qenë në dalje. I kanë ndalur edhe në hyrje edhe në dalje, gjoja se po bëjnë një verifikim të udhëtarëve. Këtë e kanë thënë Policia aty, bukvalisht këtë e kanë thënë ‘ata të cilët kanë qenë pjesëmarrës të luftës duhet me qëndru këtu’. Prej gjithsej 261 udhëtarëve kanë qenë 23 të intervistuar. ‘Le të rrinë këta 23 këtu’ thanë dhe ‘ju të tjerët mundeni me vazhdu rrugën’. Ne nuk pranuam sepse një djalosh i lindur në 2004-ën nuk ka të bëjë me luftën aspak”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk kishte udhëtarë që ka pasur probleme shëndetësore dhe se asnjë nga pasagjerët e autobusëve të kompanisë së tij nuk është ndaluar në Serbi.

Sipas tij, kjo është një hakmarrje e Serbisë për dështimet në arenën ndërkombëtare, dhe një lojë e nivelit shumë të ulët që vetëm ata dinë ta bëjnë. /dukagjini