Haxhiu mirëpret arrestimin e administratorit të grupit “Albkings”
Foto: Laura Hasani

Haxhiu mirëpret arrestimin e administratorit të grupit “Albkings”

Aktuale April 17, 2024 - 14:50

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person, i cili dyshohet se ishte administratori i grupit “Albikings” në Telegram, ku shpërndaheshin fotografi dhe materiale të shumë vajzave.

Pas kësaj ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka mirëpritur arrestimin e tij, transmeton Zeri.info.

“Mirëpres arrestimin e administratorit të grupit më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë ‘Albkings’. Ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues, të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave”.

“Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura. Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet ose abuzimet nga këta persona. Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet, pasi kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive ose videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje”, shkroi ajo.

Haxhiu tha se secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë, ndërsa e vlerësoi punën e Policisë dhe Prokurorisë deri më tani. /Zëri